Hipokrizitë për Demarkacionin apo mashtrimi për liberalizim!?

E kam thënë edhe më herët, po e përserisë prapë, ndërrimi i mëndjes për sjelljen në Kuvend të Demarkacionit me Malin e Zi sipas versionit të qeverisë së kaluar do të jetë “vdekjeprurës” për kryeministrin Haradinaj. Me një veprim të tillë, Haradinaj përveq humbjes së imazhit pozitiv (pas caktimit të komisionit të ri për demarkimin e kufirit), përfundimisht do të humbas edhe kredibilitetin si liderë shtetëror, kur dihet se i njëjti si opozitë e bashkuar (LAN) e kundërshtoi me të gjitha mjetet në kuvend ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, të nënshkruar nga presidenti Thaçi.
Në këtë rast e keqja bëhet më e madhe kur versioni i qeverisë së kaluar u sjell me plot hipokrizi dhe standarde të dyfishta. Vetë sjellja në Kuvend e Demarkacionit nga ana e kryeministrit Haradinaj nënkupton pranimin e versionit të kaluar nga ana e tij, ndërsa në anën tjetër deputetet e AAK-së e kundërshtojnë si të papranueshëm versionin e qeverisë së kaluar!
Gjasat janë të mëdha, që sjellja e demarkacionit në Kuvend mund të jetë vetëm një skenar për mocion të përshpejtuar kundër Qeverisë “Haradinaj”, gjegjësisht çuarja e vendit në zgjedhje të reja parlamentare.
Në fakt, rruga e ardhjes në pushtet e Haradinajt, mund të jetë e njëjta për zbritje nga froni i pushtetit. Andaj, si “shpëtim” për Haradinajn ashtu edhe e dobishme për vendin do të ishte mbrojtja e qëndrimeve nga ana e kryeministrit Haradinaj për mos sjellje në Kuvend të versionit të qeverisë së kaluar.
Pavarësisht faktit, si do të rrjedhin zhvillimet në Kuvend, koston e gabimeve të politikës do ta paguajnë prapë qytetarët e vendit me getoizim të mëtutjeshëm, përkeqësim të jetës dhe humbje të shpresave për ardhmëri të ndritshme në shtetin e tyre.
Sjellja në Kuvend e raportit të ri me të gjeturat nga Komisioni për demarkacionin. është një dëshmi se Qeveria ndodhet para një presioni të madh ndërkombëtar dhe prapaskenave të faktorit politik vendor.
Qeveria duke qënë e bindur në dështimin e saj për ratifikimin në Kuvend, synon që ta dërgoj çështjen e Demarkacionit në Arbitrazh ndërkombëtar të marrëveshjes paraprake, gjegjësisht për ta kaluar në variantin e më parmë të marrëveshjes se nënshkruar nga presidenti Thaçi.
Obligimet ndërkombëtare që kanë marrë qeveritë paraprake, si kushte për liberalizimin e vizave dhe marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel nga Thaçi e Mustafa, janë obligime edhe për Qeverinë “Haradinaj” dhe secilën qeveri që vjen pas saj.
Për të gjitha vonesat në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare, pasojat do t’i vuajnë qytetarët e vendit me getoizim të mëtutjeshëm nga izolimi ndërkombëtar i shtetit të Kosovës.
Edhe përkundër faktit se dalja e Kosovës nga obligimet ndërkombëtare, është shumë e vështirë, nuk është krejtësisht e pamundur!
Sikurse kryeministri Haradinaj ta kishte me gjithë mendje kundërshtimin e variantit të qeverisë së kaluar, hapi fillestar do duhej të ishte nxjerrja e një ligji për hedhjen poshtë të marrëveshjeve të deritanishme ndërkombëtare për Demarkacionin me Malin e Zi dhe për Asociacionin e komunave serbe, gjegjësisht miratimin në Kuvend  dhe nxjerrjen më pas para drejtësisë të nënshkruesve të marrëveshjeve fatkeqe për vendin.
Pa nxjerrjen e një ligji të tillë, të gjitha veprimet dhe deklarimet për demarkacionin do mbeten vetëm hipokrizi dhe marrëzi politike, të cilat në masë të madhe do të rrezikojnë mardhënjet e Kosovës me miqt ndërkombëtar, në veqanti me SHBA-të.
Riprocedimi i Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, me një raport zyrtar të Komisionit të kryesuar nga Shpejtim Bulliqi, që pasoi ekipin e mëhershëm të udhëhequr nga Murat Meha, më tepër i ngjet një alibie për të justifikuar rrëmujën e madhe, zhurmën, debatet, hartat, Çakorrin, Kullën, se sa vullnetin dhe këmbëngulësinë për të shpëtuar territor të vendit!
Në fakt nga rrëmuja  e madhe për demarkacionin nuk po dihet në të vërtetë kush është pro e kush tjetër kundër variantit të ri qeveritar!
Në anën tjetër pala malaziase na e bëri edhe një herë të qartë, se marrëveshja ndërkombëtare e nënshkruar nga liderët shtetëror, pavarësisht vendimeve në parlamentin e Kosovës do të mbetet e pandryshuar.
Pra, “lufta” për territorin e vendit, është zhvendosur në Parlamentin e Kosovës, ku fituesi dihet (Mali i Zi), ndërsa neve humbësve më të mëdhenjë na ka mbetur në dorë vetëm patriotizmi folklorik, sa për të nxjerrur në sipërfaqe “heronjë” dhe “tradhëtarë” me bollëk sikurse përgjatë të kaluarës tonë të dhimbshme.
Përderisa tashmë po dihet fundi i dhimbshëm dhe fatal i demarkimit të kufirit me Malin e Zi, askush nuk di, se cili do të jetë epilogu përfundimtar i demarkimit me fqiun tjetër verior verior-Serbinë!?
Në një shkrim autorial të datës 14.06.2017, pas epilogut të zgjedhjeve nacionale e pata dhënë këtë propozim; “Zgjidhja më e mirë dhe më optimale për rrethanat e krijuara pas zgjedhjeve të 11 qershorit, do të ishte krijimi i një “qeverie teknike” me kryeministër nga partia më  e madhe politike në vend e dalur nga zgjedhjet, në këtë rast nga VV-ja, ndërsa posti i kryeparlamentarit t’i lihet koalicionit më të madh fitues të zgjedhjeve (PAN), kurse ndarja e posteve tjera ministrore të bëhet në përputhje me fuqinë politike të secilit subjekt parlamentar”.
E thash pikërisht kështu, jo që isha kundër Ramushit apo pro Albinit, por pse vendit i duhej një qeverisje gjithpërfshirëse për t’u përballur me sfidat e kohës.
Kthimi i demarkacionit, nga çështje shtetërore në partiake është gabimi më i madh politik dhe dëmi më i pariparueshëm për vendin.
Se vërtetë është pikërisht kështu, e dëshmojnë deklarimet dhe qëndrimet e kundërta të partive në koalicionin qeverisës.
Deri tek kjo kemi ardhur shkaku i mungesës së një koncensuesi nacional lidhur me çështjet madhore për vendin.
Qëndrueshmëria e qeverisë “Haradinaj” është më së paku e rëndësihme në raport me tërësinë territoriale dhe sovranitetin e vendit.
Në këtë rast, Demarkacioni me Malin e Zi po e tregon gjëndjen e mjerë të kësaj klase politike dhe talljen e tyre me qytetarët e vendit, që i kanë lënë të getoizuar në koloseumin e quajtur Kosovë, pa të drejtë levizje dhe pa asnjë shpresë për jetë në këtë vend.
Mbase një “Qeveri Teknike”, në mos zgjidhje fatlume, do t’u jepte fund iluzioneve të qytetarëve,…me çka do të bëhej përfundimisht e qartë çështja e kufijve të jashtëm të vendit tonë, jo vetëm në raport me Malin e Zi, por edhe me Serbinë në pjesën veriore të vendit tonë.
Qeveria aktuale, përkundër dëshirës, e ka të pamundur t’u bëjë ballë presioneve të jashtme dhe faktorëve të brendshëm shkaku i numrave vicioz,…e si pasojë e kësaj e ka të pamundur të miratojë në kuvend çështje të ndjeshme siq është Demarkacioni me Malin e Zi dhe tema tjera më interes kombëtar shkaku i “lakut në fyt” nga Lista “SRPSKA”.
Në anën tjetër, mbetet e pajustifikueshme loja plot hipokrizi e ish kryeministrit, e liderit aktual të LDK-së Isa Mustafa, gjoja për mbështetjen e votimit për Demarkacionin me Malin e Zi,…i cili nga mungesa e mbështetjes së të njëjtit variant në legjislaturën e kaluar u përball me mocion mosbesimi, nga i cili përfundoj në opozitë duke i dhënë goditjen më të rëndë subjektit të tij politik.
Nga qëndrimet zyrtare të LDK-së, shihet qartë se përseri kemi një bashkrendim të veprimeve në prapaskenë të liderit të saj me strukturat e PDK-së për ta nxjerrur nga loja kryeministrin Haradinaj pikërisht përmes demarkacionit, me qëllim të bashkimit të sërishëm në një kurorëzim të radhës të nëntokave politike që krijuan të gjitha rrëmujat viteve të fundit  në skenën politike kosovare.
Pas debaklit zgjedhor që pësuan ish partnerët e koalicionit, çarja e VV-së ua ka ringjallur shpresat dhe ngacmuar përseri ndjenjat për pushtet. Hipokrizitë rreth demarkacionit janë mashtrimi më flagrant i qytetarëve të Kosovës, ngase demarkacioni nuk ka qënë dhe nuk ësht kushti themeltar për liberalizim të vizave.
Pasi, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është kushti kryesor i vënë nga BE-ja për ecjen tutje të shtetit të Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe levizjen e lirë të qytetarëve kosovar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button