Mogherini: BE nuk do ta njohë Jerusalemin kryeqytet të Izraelit

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se ka “unitet të plotë brenda BE-së” në mbështetje të Jerusalemit edhe si kryeqytet i Izraelit, edhe si kryeqytet i shtetit të ardhshëm palestinez, transmeton REL. 

Mogherini tha se vendet anëtare të bllokut nuk do ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit përpara statusit final me marrëveshjen e paqes.

Ajo i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, në Bruksel, i cili u bëri thirrje vendeve të BE-së të ndjekin shembullin e Shteteve të Bashkuara.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, e ka njohur Jerusalemin kryeqytet të Izraelit, duke shkaktuar kritika ndërkombëtare.

Mogherini tha se BE do të vazhdojë të njohë “konsenusin ndërkombëtar” mbi Jerusalemin.

“Ju e dini qëndrimin e Bashkimit Evropian. Ne mendojmë se zgjidhja e vetme reale për konfliktin midis Izraelit dhe palestinezëve bazohet në dy shtete dhe me Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe të Palestinës”, tha Mogherini.

Jerusalemi është pika më e nxehtë e konfliktit izraelito-palestinez.

Palestinezët e konsiderojnë atë si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Izraeli, ndërkaq, e ka pushtuar Jerusalemin Lindor në luftën e vitit 1967 dhe pretendon se i gjithë qyteti është kryeqytet i tij.

Megjithatë, sovraniteti i Izraelit mbi Jerusalemin nuk është njohur kurrë ndërkombëtarisht dhe të gjitha vendet i kanë ambasadat e tyre në Tel Aviv.

Trump ka thënë se do ta zhvendosë edhe ambasadën amerikane në Jerusalem.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP