Maqedoni, udhëheqësia joprofesionale shkak për zvogëlimin e fondeve IPA

Sasia e mjeteve që sigurohen me programin IPA të Bashkimit Evropian çdo vit e më shumë shkojnë duke u zvogëluar, sipas organizatës joqeveritare “Evrothink” kjo ndodh si pasojë e mosrealizimit të projekteve me anë të së cilave do të tërhiqeshin fondet IPA por edhe për shkak të kuadrit joprofesional që udhëheq me komunat dhe institucionet shtetërore, raporton Portalb.mk.

“Nga analiza që doli nga të dhënat, kemi ardhur në përfundim se mjetet e programit IPA në vend se të rriten, kanë shkuar duke u zvogëluar. Kjo ka ardhur si pasojë e asaj se nuk janë realizuar projekte nga vetë të involvuarit, kurse nga ana tjetër nuk janë respektuar afatet ligjore për aplikim dhe realizim të projekteve. Nëse e shohim në aspekt kronologjik, më vitin 2009 ka pasur përdorim më të madh të mjeteve të programit IPA, kurse çdo vit më pas ato kanë shkuar duke u ulur”, tha Aleksandar Kolekeski nga OJQ “Evrothink”.

Sipas Kolekeskit, që të kemi rritje të mjeteve të programit IPA duhet të kemi interesim më të madh ndaj tyre dhe të realizohen projekte në bazë të së cilave do të thithen mjetet e Bashkimit Evropian.

Meqë të kaluarën u tha se shumica e komunave në Maqedoni nuk kanë shfrytëzuar mjetet e programit IPA, si pasojë e së cilës paratë janë kthyer në Bashkimin Evropian ndërkaq projektet nuk janë realizuar, Aleksandar Kolekeski vlerësoi se kjo mund të ndryshohet në të ardhmen nëse komunat por edhe institucionet udhëhiqen nga profesionistë.

“Që të kemi mjete më të mëdha dhe të mos përsëritet e kaluara kur fondet janë kthyer pas te Bashkimi Evropian duhet të realizohen projekte të mira. Komunat janë vetëm njëri nivel i përdorimit të fondeve IPA, por që të eliminohet praktikat e deritashme duhet të kemi përkushtim politiko-institucional, përfshirje të të gjitha palëve të cilët do të kishin dobi nga realizimi i projekteve dhe përfshirja e të gjitha palëve në fazën fillestare të realizimit të programit IPA”, tha Kolekeski.

I pranishëm në ngjarje ishte edhe ministri i Financave, Dragan Tevdovski i cili tha se meqë Maqedonia synon të integrohet në Bashkimin Evropian, do të përkushtohet në rritjen e kapaciteteve të sigurimit të mjeteve që parashihen me programin IPA.

“Meqë Maqedonia synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian duhet të punohet në ngritjen e kapaciteteve të sigurimit të mjeteve IPA. Të dhënat e deritashme kanë treguar se shumë mjete IPA janë kthyer prapa sepse nuk janë shfrytëzuar, prandaj edhe niveli i tyre ka shkuar duke u zvogëluar”, tha Tevdovski.

Sipas përfaqësuesit tjetër të OJQ “Evrothink”, Lupço Petkovski, mjetet e marra nga programi IPA kanë rritur bruto prodhimin vendor për 5%.

Përndryshe, këto vlerësime u thanë sot në konferencën “Menaxhimi me fondet IPA të Bashkimit Evropian”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button