Bardh’ e zi: akademiku dhe censori

Vëzhgimet objektive nga jeta e përditshme na rrëfejnë se bota në të cilën jetojmë është e krijuar në bazë të antipodeve apo kundërtive: e mirë-e keqe, e bukur-e shëmtuar, vlerë-jovlerë, drejtësi-padrejtësi, dhe të diadës, dikotomisë apo dysisë: poshtë-lart, ditë-natë, bardh e zi, e kështu me radhë. Të ndryshmet, antipodet i hasim gjithandej. Ato na ndihmojnë t’i dallojmë gjërat, të shohim diferencën, dhe të dimë të bëjmë përzgjedhjen se në bazë të çka-it duhet ta ndërtojmë personalitetin dhe shoqërinë tonë.

Këtyre ditëve të fundvitit na rastisi që më kthjellaz të përballemi me dy ngjarje të natyrave të ndryshme, që flasin për dy personazhe, për dy karaktere njerëzish, për dy mendësi. Njëra e një shkollari të niveleve të apogjeut, të majës së piramidës sociale, të një akademiku, shkencëtari që është duke bërë historinë diturore të shqiptarëve: ish-rektori i UEJL-së, që më 2 dhjetor festoi ditëlindjen e 75, dhe një personalitet i errësirës, simbol i zezonës kulturore dhe mediatike, një tip anakronik, ithtar i shoqërisë së survejimit.

Akti që na bëri krenar të gjithë neve ishte promovimi i dy veprave shkencore, i mbi njëmijë faqeve të opus vitae-s së një figure që ka arritur gjithë atë që mund të arrihet në jetën akademike, të gjithë titujt shkencorë, që për 10 vite ka mbajtur postin e lançuesit dhe prijëtarit të një fanari arsimor, UEJL-së, të “institucionit më europian në Ballkan” (Rehn). Atë ditë të mbarë të javës, e enjte, salla e ASHAM-it kumbonte nga elozhet që kolegët thurnin për karrierën e një titani, specialistit të elektromanjetikës, materialeve elektrike, energjisë dhe mjedisit, që nga kasaba e dikurshme e Tetovës arriti në Zagreb, Prishtinë, Kinë e SHBA, për të kontribuar më vonë në shndërrimin e këtij qyteti në një qendër universitare, që shtoi një yll të pashuar në orbitën tonë kulturore-akademike, që e tregoi veten nga industria, politika deri te pozita menaxheriale universitare e rektorit, që krijoi një “benchmark” për hapësirën e arsimit të lartë në vend dhe në rajon, që ka trasuar rrugën e brezave drejt ardhmërisë, nga familja me disa doktorë të rinj shkencash e më gjerë, me pasardhës që veprojnë sukseshëm në qendra europiane si Vjena, Londra etj., që çmohet si nga kolegët ashtu edhe nga mijëra studentë që kanë defiluar nëpër amfiteatrot dhe sallonet universitare.

Jeta s’do të ishte jetë sikur të mos e ndryshonte kursin e vet, sikur të mos na shpërfaqej edhe përmes segmenteve të veta negative, deprimuese. Një rast i rutinë  i epokës së murtajës së kuqe, i real-socializmit, që mesa duket te ne nuk ka përfunduar, së paku te disa qenie njerëzore që nuk e pranojnë dinamizmin shoqëror, evoluimin dhe ndryshimin e fazave kulturore, politike, ekonomike. Bëhet fjalë për censurën, për tentimin për të kontrolluar medien, gazetarët, për të kufizuar lirinë.

Një gazetare na shkroi në FB dhe na luti që të bëheshim pjesë e një interviste lidhur me “varësinë nga interneti”, me theks të veçnatë për rreziqet që ju kanosen fëmijëve. Siç është e natyrshme dhe konform etikës, për t’i kontribuar të mirës kolektive, shprehëm gatishmërinë tonë, për të thënë atë që dimë nga këndvështrimi sociologjik.

Vajza u falënderua shumë, por… një ditë para se të bëhej incizimi, sërish na shkroi, jo për të konfirmuar intervistën dhe për të caktuar detajet, por për të treguar fytyrën e vërtetë të “bosit” super-selektiv e super-inteligjent: “Përshëndetje profesor! Desha t’ju informoj se intervistën e nesërme duhet ta anulojmë. Më vjen shumë keq, por ashtu i kemi rrethanat. Më lajmëruan në momentin e fundit. Ju jam shumë mirënjohëse. Më vjen shumë keq, më falni që ju shqetësova.”

Evidente ishte ngarkesa psikologjike e saj, por edhe sinqeriteti dhe profesionalizmi, në veçanti etika gazetareske, ndërgjegjja që s’ia lejonte t’i vinte vizë të kuqe një komunikimi për informacion,informim dhe vetëdijësim të komunitetit. “S’ke çka shqetësohesh. Kjo jemi ne si shoqëri”- iu përgjigjëm. Disa medie ende jetojnë në kohën e “mendjes së robëruar” (Çesllav Millosh). “ЦТ СССР”, “Правда”, “Zëri i Popullit”, 1977. Censurojnë gazetarët që mos kontaktojnë persona që i kanë në listë si “të papërshtatshëm”.

Shekulli XXI i ka rrënuar monopolet, por ka krijuar mini-gurutë shërbëtorë të ideologjive të caktuara, që selektojnë në bazë të kritereve të diktuara nga “liderët vizionarë”. Për fat të keq, shoqëria e kontrollit, enverhoxhistët dhe censorët ende janë në skenë, a ne flasim për shoqëri liberale, për shoqëri të hapur, për vlera europiane, për fjalën e lirë, për kriticizëm, debat, polemikë, divergjenca, diversitet. Disa njerëz duan të disiplinojnë e të ndëshkojnë (Foucault), por e kanë gabuar kohën. Boshnjakët profilit të censorit do t’i kishin thënë: “Gdje će ti duša?” (Ku do të të shkojë shpirti?)  Figura e parë e këtij shkrimi është me emër, e dyta anonime, për të dy flet mendësia, për të dy do shkruaj historia. Kështu e ka jeta, me shumë lakesa e vija. Hajr e boftë Perëndia!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button