Kurs edukativ për punë sevapi

Para 2-3 ditësh më ra të lexoj deklaratën albanofobe të një prorektoreje të Universitetit të Manastirit, e cila, në stilin e edukatorëve të saj, që nga Ilija Garashanini e gjer te pinjollët e gjallë të kabiles së etur për demonstrim racizmi, volli:  Në universitetin tonë nuk na duhen shqiptarët, aq më pak shqiptarët nga Kosova. Për shqiptarët nevojiten vetëm dhomat e gazit…!?

Kanibaleske, apo?

Megjithatë, jo dhe befasuese, të paktën për ne që jetojmë përmbi 100 vjet me monstra, të cilët me predikime kriminogjene, më shumë se shqiptarët, i fyejnë bashkëkombësit që e njohin shenjtërinë e kush jam-it? për vete dhe për të tjerët.

Pyetja e parë që shtron njeriu normal kur degjon/ lexon deklarata të tilla publike, të denja vetëm për luciferrë mesjetash, është: Perëndia ime! Me kë kam ndarë të shkuarën, me kë ndaj të sotmen dhe me kë bëj plane të ndërtoj të ardhmen?!

Nëse kështu na sheh një profesoreshë universitare, madje një prorektore në duart e së cilës rriten qytetarët e nesërm akademikë, atëherë ç’gogolë jemi para syve të njerëzve të thjeshtë që marrin dije me të dëgjuar dhe që kanë besim në elitën intelektuale dhe akademike të vendit?

S’do mend se në shtetet mirëfilli demokratike deklaratat e mbarsura me ndjenja raciste, me urrejtje patologjike ndaj tjetrit dhe me porosi të drejtëpërdrejta gjenocidiste përfundojnë me dënime të rrepta të fajtorëve, gjë që duhet të ndodh edhe në rastin në fjalë, veçmas tani kur ka nisur kërkimi i përgjegjësive prej ideatorëve të dhomave të gazit, si puna e prorektores piromane, që sollën gjer te kasaphana e 27 prillit të këtij viti, brenda ambienteve të kuvendit republikan.

Në një shtet demokratik dhe ligjor, një dhunë e ngjashme si ajo e kuvendit, një konflikt përmasash ndëretnike, me potencial për ta vdekur pakthyeshëm shtetin, që, do-s’do prorektorja, s’ka si të mos jetë edhe i shqiptarëve, të cilët pikërisht në Manastir vunë themelet e ABC-së së tyre, do të duhej të luftohej qysh në fazën embrionale, sepse ndryshe nuk ndërpritet përsëritja që përsëritet përsëri.

Shi për këtë, si njeri i arsimit, i paqes, i tolerancës dhe i mirëkuptimit reciprok ndërmjet njerëzve dhe etnive të ndryshme, kam të drejtë morale të kërkoj përgjegjësinë e prorektores së Univesritetit të Manastirit dhe përjashtimin e saj të menjëhershëm nga procesi mësimor dhe posti i lartë që i është besuar. Këtë të drejtë ma jep sjellja si mësimdhënës dhe si dekan i Fakultetit të Filologjisë, po dhe sjellja korrekte e gjithë mësimdhënësve dhe stafit drejtues të Universitetit të Tetovës, ndaj kolegëve të programit studimor të Gjuhës dhe letërsisë maqedonase.

Le të jetë kjo dhe një ftesë publike për adhuruesit eventualë të komorave të gazit me tituj akademikë, në krye me prorektoren e lodhur jete, që të shfrytëzojnë ofertën për ndjekjen e një kursi edukativ, i cili uroj t’u hyjë në punë pas vuajtjes së dënimeve të merituara, nëse ndodh mrekullia t’i gëzojnë.

Kursin do t’ua mbaj gratis për punë sevapi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Fatmir i dashur, nuk mjafton kurs gratis dhe atyre qe deklarohen keshtu si e ke nisur tekstin nuk u sjell dobi trajtimi ngase jane trajtuar keq ne femijeri. E ka thene Platoni dhe konfirmuar Frojdi me duket se 7 vitet e para te jetes jane determinuese. Une e di miku im se ti i di me mire se une keto gjera, e kuptoj edhe metaforen tende, por nese femra e cituar me larte ka thene, me gojen e vet ka thene komora gazi per shqiptaret, kesaj duhet detyrimisht ti pergjigjemi me aktpadi. private apo kolektive, apo aktpadi nga avokati i popullit, nese e din ai kete perse nuk ka reaguar? Por le te reagojme te gjithe, me sakte sa me shume prej nesh, peticion i USHT-se, UEJL-it, Nene Tereza universitetit haha, nuk mund te mbetem serioze kur permendet ai far sendi qe per bela ia kane vene ate alamet emer te madh!
    Nejse , vetem le ta konfirmojme se cka ka thene kjo zonje apo ckado qe te jete e mjera, une marr persiper ta flas me Linden juriste qe me kete rast mund ta perfundoje karrieren e vet prej juriste. Shkelqen ne ate Prokurori, por mbetet e paavansuar, as qe do ta avansojne pikerisht pasi shkelqen. Prandaj jemi kolektivisht ne kete derexhe dhe kjo nuk eshte metafore. Degjohemi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button