KSHZ është vetëm sipërfaqja; rrënjët e problemit janë diku tjetër

Lakmitarët e KSHZ nuk do të dorëhiqen; presioni duhet të ushtrohet te Parlamenti që t’i shkarkojë

Precedenti i ambasadës amerikane. Sido që të shihet, fjalimi i ambasadorit amerikan Xhes Bejli ku shprehu shqetësim për keqpërdorimet në KQZ është precedent i vërtetë, diçka e paparë më herët në Maqedoni. Ndryshe nga deklaratat e vazhdueshme të kësaj ambasade, lere më të Bashkimit Europian, kur korrupsioni dhe keqpërdorimi trajtoheshin në përgjithësi e në mënyrë abstrakte, këtë rradhë ambasadori zgjodhi të adresojë keqbërësit me emër e mbiemër.

A ishte kjo deklaratë e dalur nga frustracionet e momentit apo sinjal për një stil të ri veprimi të ambasadës që do të pasohet me deklarata tjera të ashpra siç është bërë më rutinë në Shqipëri? Profesionalizmi i diplomacisë së shtetit më të fuqishëm në botë, që nuk funksionon me pasione, , na çon të besojmë se bëhet fjalë për të dytën dhe se ambasada nuk e ka thënë fjalën e fundit. Por hë për hë kjo ka pak rëndësi. Me rëndësi është se deklarata bëri bujë të madhe në opinion dhe shkaktoi presion mbi pushtetmbajtësit për të ndërmarë diçka. Edhe më me rëndësi është fjalimi i Bejlit në tërësi. Sepse ai nuk u ndal vetëm te KSHZ, sepse njëlloj ua la fajin te dera Parlamenti dhe mediave.

Faji i KSHZ. Parë nga aspekti ligjor anëtarët e KSHZ nuk kanë bërë krim. Ata kanë ndarë bonuse të majme, shpenzime rruge marramendës, udhëtime të bujshme nëpër botë, por kanë bërë gjithçka në kuadër të ligjit dhe rregulloreve. Tjetër punë është pse ligjet dhe rregulloret janë të tilla. Anëtarët e KSHZ kanë bërë atë që bëjnë lakmitarët e papërgjegjshëm; kanë inkasuar sa kanë mundur nga ajo që ju është lejuar.

Jo, faji i KSHZ është moral. Pse këta lakmitarë kanë rrjepur buxhetin e shtetit kur mjetet janë mëse të domosdoshme, madje kruciale në vende tjera? Athua vallë vërtetë meritojnë paga aq të majme pasi punokan jashtë orarit 2-3 muajt kur ka zgjedhje? Po ç‘bëjnë 10 muajt tjerë, apo vite të tëra kur nuk ka zgjedhje? A dënojnë atëherë vetveten pse rrijnë gjithë ditën pa punë? Pse ata kanë mbushur xhepat e tyre kur nuk janë paguar as komisionerët nga zgjedhjet e kaluara? Pse nuk janë shpërblyer njëlloj edhe anëtarët e komisioneve komunale; athua ata kanë punuar më pak? Jo, njëmijë herë jo. Çfarëdo arsyetimi i KSHZ është i paturpshëm dhe i pavend.

Por sado simpatik të duket reagimi i opinionit që kërkon dorëheqjen e tyre, ai është i kotë. Këta lakmitarë, shumica me dosje të majme te PSP-ja, nuk do të heqin dorë aq lehtë nga privilegjet e papara, nuk do të nxjerrin lugën e tyre nga mjalti. Ata kurrë nuk do të japin dorëheqje; ata duhet të shkarkohen.

Faji i Parlamentit. Fajtor kryesor për plangprishësinë e KSHZ është Parlamenti dhe jorastësisht ai është cekut te fjalimi i ambasadorit, sepse mu aty qëndron thelbi i problemit. Rasti i KSHZ është rast i një institucioni të dalur nga kontrolli, pa mbikëqyrje.

Parlamenti është fajtor sepse pikë së pari ai emëron, shkarkon dhe duhet të mbikëqyrë punën e KSHZ. KSHZ financohet nga buxheti, pra është Parlamenti që i ndan asaj mjete kur votohet buxheti. Pastaj Parlamenti aprovon llogarinë përmbyllëse; ai sheh se ku, si dhe pse KSHZ ka harxhuar para dhe thotë fjalën përfundimtare nëse ka punuar si duhet ose jo.

Tani shtrohet pyetja ku i kanë patur mend deputetët? A kanë fjetur kur kanë ndarë mjete ose kur kanë aprovuar punën e tij? Apo kanë parë saktë se çfarë po ndodh dhe kanë miratuar në heshtje, sepse kanë llogaritur se KSHZ do të ju duhet ndonjë ditë dhe është mirë që t’a blejnë në këtë mënyrë. A kanë bërë pra ata kalkulime politike me paratë e qytetarëve?

Si është e mundur që asnjë deputet, i asnjërës parti mos e thotë një fjalë të vetme për këtë rast? Dyshoj se deputetët nuk janë aq naiv dhe heshturazi kanë miratuar hapat e KSHZ. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për parlamentin e kaluar, sepse periudha e keqpërdorimeve në KSHZ kap edhe parlamentin e ri me shumicën e re “reformatore”.

Ngado që t’a kthesh, Parlamenti duhet të jetë në qendër të vëmendjes të këtij skandali, por edhe më i thiruri për t’a korigjuar atë. Pasi është mëse e qartë se KSHZ nuk do të dorëhiqet vetë, Parlamenti duhet t’i shkarkojë të gjithë anëtarët e tij kolektivisht. Nëse vërtetë kanë guxim dhe vizion për të ndërtuar një shoqëri të re, ashtu siç ua kënda të deklarohen, deputetë duhet t’a bëjnë këtë hap pa humbur kohë.

Faji i mediave. Në çdo vend normal mediat janë sytë e popullit, ata që informojnë se ç‘bëhet me paratë e tij, janë pra korektori i vërtetë i pushtetit. Prandaj edhe më dëshpërues është fakti që këtë skandal na u desh t’a mësojmë nga një ambasador i huaj. Edhe sot e kësaj dite nëpër media rrotullohen po të njëjtat fakte, pa hyrë më thellë për të zbuluar gjithë zinxhirin e ngjarjeve, nga miratimi i rregullores së mbrapshtë, ndarja e buxhetit, dështimi i mbikëqyrjes nga ana e Parlamentit.

Dhe skandali me KSHZ është vetëm një pikë ujë në oqeanin e keqpërdorimeve të pushtetit. Mbetet fakt i pamohueshëm se mediat nuk arritën të zbulojnë asnjë rast korrupsioni dhjetë vitet e fundit, nuk bënë punën e tyre hulumtuese, por u shndërruan në organizata joqeveritare që marrin fonde dhe punojnë nga zyra. Prandaj nuk është e rastësishme që Bejli veçoi edhe ata në deklaratën e tij. Madje deklarata duhet të lexohet edhe si një paralajmërim për ta dhe pritje që mos vazhdojnë të tolerojnë pushtetin e sotëm njëlloj si të djeshmin.

Rregullimi. Për fund zbulimi i skandalit të KSHZ duhet të shihet si shans për të filluar pastrimi nga keqpërdorimet, krimi dhe korrupsioni i pushtetit. Është mëse e qartë se lakmitarët e KSHZ nuk do të dorëhiqen. Topi tani është te Parlamenti si organ kompetent për mbikëqyrjen e saj. Në vend të KSHZ presioni duhet të ushtrohet aty, ashtuqë për herë të parë dikush të mbart përgjegjësi për keqpërdorimet e bëra. Kështu dhe vetëm kështu do të dërgohet sinjal te institucionet tjera se sjellja e këtillë tani e tutje nuk do të tolerohet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button