VIRUSI I KEQ

Lindita Kadriu

Lindita Kadriu

Erdha me pare të numëruara dhe tash më mungojnë 10 denarë për busin që kushton 450. Nëse arrij ta bëj për vete sportelisten në stacion nisem pas pak, nëse jo, atëherë me tren, 315 denarë, në atë rast kam edhe për kafe me ëmbëlsirë… (nga sms-i).

…më thanë se treni është prej bashkëkohorëve që Maqedonia i importoi në nëntor 2015. POR AMA, treni i cili lidh qytetet me dominim shqiptar është ende i vjetri, i papastër sa s’bëhet, i zhurmshëm që ma kujton vegjëlinë dhe ndonjë mësim nga Dituri natyre e shoqërie…një ndjesi e dikurshme për udhëtimet në Gostivar me nënën apo në Beograd me babën kur e (ri)zbuloja metropolën e Jugosllavisë. Kështu treni i moçëm Shkup-Kërçovë me të cilin ende udhëtoj ndonjëherë te tezet më ndjell një lloj ngrohtësie. E keqja qëndron në faktin se ne, me nder me thanë, Të Ngrofët i kemi shumicën e përfaqësuesëve politikë.

Qëkur kanë ardhur në pushtet, han e dan i njëjti avaz: nga zyrtarizimi i gjuhës e deri te integrimet euroatlantike.

Kur në momente inspirimi u bie ndërmend kultura flasin për ndërtimin e teatrit të Tetovës dhe renovimin e atij të Shkupit. Si njëri si tjetri janë me vite në sferën e mjegullnajës.

Fushatat e zgjedhjeve lokale fokusohen në çështjet e agjendave pas Luftës së Dytë Botërore dhe kjo s’është metaforë: kanalizimi, ujësjellësi, ndriçimi rrugor dhe banalitete të tilla u premtuan edhe në zgjedhjet 2017 dhe pikërisht këtu shtrihet i tërë banaliteti i politikës shqiptare te ne. Retorikë e bezdisshme me rezultate minore ose siç do të thoshte poeti Një refren që përsëritet prore.

…fjalën e kisha, nëse kompetentët pyeten p.sh pse asnjë tren i ri nuk qarkullon në vendbanimet shqiptare, ata do të vështronin habitshëm, prej nga tash kjo imtësirë!?  Treni? Kush udhëton sot me tren!?

Politikanët tanë që shpesh janë ish-studentë të dobët ose nuk kanë arritur të diplomojnë se i kanë diskriminuar, me kulturë të përgjithshme të limituar, pa batuta, me stil uniform të veshjes etj, e pandehin veten me shumë klasë dhe nuk shoqërohen me këdo…Jetojnë të izoluar, nuk i sheh në kafeteri, as në pazar e supermarket, në rrugë jo se jo, a keni takuar ndonjërin prej tyre duke ecur? Në bus nuk hypin, as në trenin e moçëm Kërçovë-Shkup!

Voziten ekskluzivisht me vetura me xhama frikshëm të zeza dhe këtu ka një proporcion. Sa më i lartëpozicionuar aq më të zeza qelqet prej të cilave problemet përjashta duken si nëpër mjegull.

…s’di as vetë si dola te politika, inflamacion i keq na ka kapluar.

E kisha menduar të flisja për një udhëtim të bukur, me pak pare dhe shumë mbresa, por këtu tash sa vjet në politikë përfundon çdo muhabet.

Virus i keq.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP