Wolfgang Amadeus Mozart, gjeniu që ndryshoi përgjithmonë muzikën klasike, por vdiq në dëshpërim

Në ditët e fundit, me temperaurë dhe kur një sëmundje e panjohur po e gërryente, Wolfgang Amadeus Mozart, gjeniu i kompozimit austriak që revolucionarizoi muzikën dhe artin e perëndimit vazhdonte prova melodie dhe rregullonte akordet. Ishte 35 vjeç dhe para fundit të vitit 1791 ishte i mbyllur në shtëpinë e tij në Vienë nga një sëmundje që kishte marrë në Pragë gjatë vënies në skenë të një prej operave të tij të fundit “Falja e Titos”. Ashtu si tek të gjithë gjenitë e tjerë të artit edhe në jetën e Moxartit është e vështirë të ndash të vërtetën nga miti. Flitet për armiqësinë e tij me kompozitorin italian Antonio Salieri që ndoshta s’ka qenë i tillë dhe shumë është folur për një Moxart në frymën e fundit duke punuar për Réquiem në Re minor, një nga kryeveprat e tij, ashtu siç është prezantuar në veprën teatrale të Peter Shaffer, e sjellë në kinema nga Milos Forman në 1984. Fakt është se Moxarti vdiq pa e mbaruar veprën, ndoshta kjo është shkrepsja që ndezi legjendën preromantike për jetën e tij.

Dukej si fundi i një jete intensive, të shkurtër të një fëmije gjeni, i cili i shkroi pjesët e para për piano në moshën 5 vjeçare, sinfonitë në moshën 7 dhe një opera në moshën 12 vjeç. Fëmijërinë e tij e kaloi duke vizituar gjithë Europën, si ndonjë fëmijë cirku që nga kënaqësitë aristokrate dhe fshatareske që kërkonin pak frymëmarrje pas një lufte shkatërruese, Lufta e 7 viteve (1756-1763) dhe fillimi i konfliktit mes perandorisë austriake dhe Prusisë që do të formonte Europën e shekujve të mëpasshëm. Moxarti mbërriti në një moment të duhur për t’u shndrruar ndoshta në artistin e parë modern, ashtu si do të shprehej historiani Nicholas Till, austriakut i ra shorti të jetonte në një moment të historisë së perëndimit, në të cilën arti fillonte të merrte trajtë moderne si një zëvendësues laik i kishës. Duke konsideruar të paapelueshme abstraksionin e muzikës, forma e artit më e largët, të paktën në atë moment, të realitetit material dhe duke e konsideruar bastion të spiritualitetit në mes të shekullit iluminist, gjejmë Moxartin e kthyer në një zot laik.

Modeli i artistit modern, muzika e të cilit sfidon skemat dhe thyen tradita. Ky fëmijë gjeni lindi në Salzburg, një qytet i vogël i rrethuar nga male dhe pothuaj në kufi me Bavarinë. I ati ishte muzikant. Gjatë viteve të para ndoqi modele nga mjeshtrit e mëdhenj barrokë si Johann Sebastian Bach dhe si shumë muzikantë të asaj kohe aspironte të gjente një udhëheqës që do ta çonte drejt artit, i cili zakonisht gjendej pothuaj mes aristrokratësh ose tek kleri. Në 1781, në moshën 25 vjeçare Moxarti arriti të shkëputej nga arqipeshkvi i Salzburgut dhe u kthye në një muzikant të pavarur, freelance, që nuk varej nga kisha ose fisnikëria dhe u vendos përfundimisht në Vienë. Filloi të eksperimentonte mungesën e një bamirësi dhe  një rroge në llogaritë e tij, por nuk u ankua kurrë për vendimet e tij, edhe pse ky ishte fundi i marrëdhënieve me të atin, një konflikt që e shoqëroi deri në vdekje. “Nuk ka asgjë më perfekte në këtë botë përveç se, ndoshta, muzikës së Moxartit,” – shkroi Johann Wolfgang von Goethe, frazë që kujtohet gjithmonë në këto ditë.  Deri në moshën 35 vjeçare ai vuri në skenë 41 sinfoni, 27 koncerte për piano dhe orkestër, një numër të shumtë koncertesh për harqe dhe instrumente fryme, dhjetra sonata për violinë dhe kuartete harqesh si dhe krijoi 22 opera mes shumë veprave të tjera.

Gjithmonë i mungonte paraja që e shpenzonte për dëfrime dhe për të vënë në skenë operat, tek të cilat besonte, por që zgjonin pak vëmendje tek publiku dhe hija e aspiratave të të atit e shoqëronte gjithmonë, ashtu siç duket tek letrat dërguar të motrës, Nanneri. Moxarti kompozoi edhe pjesë për klerin austriak dhe pse nuk i vlerësonte, por nuk e humbi kurrë spiritualitetin që linte vend për një interpretim ezoterik të masonerisë. Së bashku me mikun e vet, Emanuel Schikaneder, kompozoi atë që tregon më së miri ndikimin mason në veprën e tij, si në fabul ashtu edhe në simbol, Die Zauberflöte (flauti magjik). Historia e dashurisë mes Tamino dhe Paminës, provat e dashurisë që duhet të kalojnë dhe konflikti mes Sarastro, prifti i një urdhri misterioz dhe Mbretëreshës së Natës që kërkon ta shkatërrojë, e kanë kthyer në një nga veprat klasike të repertorit operistik. Flauti magjik u vu në skenë në 1791 dhe salla mbushej plot kur Moxarti u shtri në krevat nga ethet më 5 dhjetor. Legjenda thotë se trupi i tij u hodh në një varr të përbashkët, meqë e shoqja, Kostanca dhe dy fëmijët, nuk kishin para. Historianët sot e dyshojnë këtë fakt, por imazhi i tij ka një vlerë më vete. / Përgatiti: f.a. / Bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button