Takistëve në Çair u mungojnë taksi stacionet, krijojnë rrëmujë në komunikacion dhe gjobiten (FOTO)

Komuna e Çairit gjithsej ka 13 taksi stacione, por shumica prej tyre nuk janë funksionale dhe nuk kanë kurrfarë shenje. Taksistët përballen me probleme të shumta, pasi që në mungesë të stacioneve për ndalim, ata parkohen në vende të ndryshme dhe për këtë çdo ditë gjobiten nga policia e trafikut, ndërkaq si problem shtesë krijohet edhe rrëmuja në komunikacion, shkruan Portalb.mk.

“Mungesa e taksi stacioneve përbën problem të madh pasi që si pasojë taksistët dënohen me gjoba të mëdha. Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, pos të na sigurohet ambient për punë. Të gjitha taksat paguhen me rregull, të gjitha dokumentacionet i kemi, mjafton që të kemi vend të sigurt për punën që po e bëjmë. Jemi në hall, pasi që taksistët në terren përballen me probleme serioze, në mungesë të vend-parkimeve ndodh që edhe të ketë konflikte me njerëzit, pasi që pa-dashje ndonjëherë mund të bllokohet rruga dhe mund të vijë situata deri te konflikti. Ka disa vend-parkime në komunë, por, ose disa janë të stërngarkuara dhe s’ka vend, ose janë në vende ku nuk ka fare frekuentim, madje në shumicën e tyre nuk ka as sinjalizim se bëhet fjalë për vend të posaçëm për taksi”, thotë për Portalb.mk, pronari i taksi kompanisë “Euro Start”, Halim Aliu

Taksisti Zekirja Luçi, gjithashtu thotë se situata me vendet e parkimit në Çair është katastrofale, ndërkaq për këtë ata nuk kanë faj pasi që duhet t’u krijohen kushte.

“Kemi shumë probleme pasi që nuk kemi ku të pakohemi. Jemi të obliguar që të ndalemi në vend e pavend, ndërkaq për këtë po dënohemi nga policia. Kërkojmë që të ketë vend-parkime pasi që ne vihemi në pozitë të vështirë pa pasur faj. Edhe ne nuk duam që të bëjmë rrëmujë në komunikacion, por kur s’ka vende për ne atëherë s’kemi çfarë të bëjmë”, thotë për Portalb.mk, taksisti nga Çairi Zekirja Luçi.

Çfarë thonë institucionet?

Portalb.mk, ka kontaktuar me Komunën e Çairit të cilët thonë se kjo çështje i përket Qytetit të Shkupit, ndërkaq premtojnë se në të ardhmen do të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Problematika e caktimit të vend parkimit të taksive është kompetencë e Qytetit të Shkupit nga ku dhe ushtruesit e profesionit të taksistit marrin certifikatat. Komuna e Çairit duke qenë në dijeni të plotë të vështirësive që shkakton mungesa e vendeve të posaçme për stacionimin e tyre në territorin e saj, do të diskutojë në periudhën në vazhdim me Qytetin e Shkupit për gjetjen e një zgjidhjeje optimale duke propozuar strategji konkrete, respektivisht lokacione alternative të stacionimit”, thonë nga Komuna e Çairit.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se sipas Vendimit për Transport të Taksive Publik të Qytetit të Shkupit me çka rregullohet vendi i taksi parkingjeve në të cilat mund të parkohen në to, në Komunën e Çairit janë paraparë 14 vend parkime, ndërkaq janë ndërtuar 12, të cila gjithsej zënë 71 vetura.

“Qyteti i Shkupit ka gjithsej 2400 taksistë të licencuar, ndërkaq evidentimi bëhet vetëm në bazë të qytetit dhe jo të komunave. Në qytet gjithsej ka 130 vend stacione, të cilat kanë kapacitet që të parkohet rreth 800 vetura. Në Komunën e Çairit ka gjithsej 12 taksi stacione, ndërkaq 2 nuk janë ndërtuar për shkaqe të punimeve që po kryhen në komunë. Të gjitha taksi stacionet gjenden në hapësira publike të cilat janë në kompetencë të Qytetit të Shkupit. Të gjitha stacionet publike kanë shenjë komunikacioni dhe janë shënuara me ngjyrë të dallueshme. NP Rrugët e Shkupit vazhdimisht i servison ngjyrat e vend parkimeve të taksive dhe i rregullon tabelat. Shpesh janë të detyruar që t’i servisojnë tabelat pasi që dëmtohen nga ana e individëve të papërgjegjshëm”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Megjithatë, gjendja në terren është krejt ndryshe. Portalb.mk, i ka vizituar shumicën e vend-parkimeve për taksi dhe shumica prej tyre janë jashtë funksionit. Në shumicën prej tyre, nuk ka tabelë se është vendi për parkim të taksive dhe as nuk janë të shënuara me ngjyrë të dallueshme.

1

7

2

3

4

5

6

S’ka vend stacione të taksive? Ka gjoba!

Mungesa e vend parkimeve shkakton edhe kokëdhimbje shtesë te taksistët, gjegjësisht ata shumë shpesh dënohen për ndalim në vende të ndryshme. Për Portalb.mk, taksisti Jusuf Fetai, thotë se mungesa e vend parkimeve atyre u pengon që ta bëjnë punën e tyre pasi që policia në çdo hap i ndal.

“Dënimet janë shumë të mëdha. Për shembull nëse jemi të parkuar në vend që nuk është për taksistë atëherë policia ose na gjobit me gjobë prej 45 euro, por shpesh ndodh që të na dërgojë në kontroll teknik. Nëse në kontroll teknik konstatohet se vetura ka ndonjë problem të vogël, p.sh. ndonjë dritë nuk i punon, atëherë unë si shofer dënohem me 400 euro, udhëheqësi i kompanisë me 500 euro, ndërkaq pronari i kompanisë me 1500 euro, pra gjithsej 2400 euro. Po aq para nuk kushton tërë vetura. Nëse njëherë dënohem aq unë duhet ta shes veturën dhe duhet ta lë familjen pa bukë”, thotë Fetai duke shtuar se policia duhet të ketë mirëkuptim më të madh ndaj taksistëve, pasi që ata janë në trafik vazhdimisht dhe mund të ndodh që të ketë gabime të vogla.

Policia për Portalb.mk, thotë se taksitë sikur të gjithë të përfshirët tjerë në komunikacion, nëse bëjnë shkelje ligjore do të gjobiten, ndërkaq tani për tani nuk parashihet ulje e lartësisë së dënimeve.

“Nuk planifikohen ndryshime në pjesën e uljes së gjobave për taksistët. Ata janë në komunikacion ashtu sikur edhe tjerët dhe për çdo shkelje ka sanksione përkatëse ligjore, të cilat vlejnë pa përjashtim për të gjithë. Në rastet kur vetura është pronë e personit juridik, pa dallim nëse është veturë për transport publik të udhëtarëve, konkretisht veturë për taksi, kualifikimi i gjobave bëhet në pajtueshmëri me ligjin si për vozitësin, ashtu edhe për personin juridik, pa dallime”, thonë nga MPB.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button