Viti 2018 vendimtar për kulturën shqiptare, koha e fundit të rimëkëmbet Muzeu i Alfabetit

Problemi i kulturës shqiptare në Maqedoni nuk janë vetëm ngecjet e punimeve në teatrot shqiptare të cilat nuk funksionojnë as si institucione në disa qytete por është edhe Muzeu i Afabetit në Manastir, që pothuajse si më parë edhe tash kujtohet vetëm më 22 nëntor, shkruan Portalb.mk.

LEXO: Ja cilat janë humbjet shqiptare në Maqedoni

Si institucionin, që fillet i ka që nga nëntori i vitit 1908 dhe që bart me vete vlerë historike dhe kulturore shqiptare, viti 2018 konsiderohet të jetë vendimtar sa i takon asaj që a do të marrë pamjen e merituar apo edhe më tej do të ngelet i njëjtë, me shitore në të që nuk korrespondojnë me misionin e tij.

Ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski
Ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski

Me buxhetin e Ministrisë së Kulturës për vitin 2018, për Muzeun e Alfabetit janë paraparë 2 600 000 denarë që sipas asaj që u deklarua nga ministri, Robert Allagjozovski do të përdoren për zhvillim të rregullt të programit dhe për zgjidhjen e problemit të dy shitoreve në përdhesen e këtij institucioni.

“Muzeu i Alfabetit do të marrë para për program të rregullt, megjithatë sa i takon asaj se ka dy shitore në pjesën e poshtme të këtij objekti, që nuk ishte e tyre, kemi siguruar më shumë para për huazim të tyre. Se çfarë do të ndodh me ato shitore në të ardhmen, ende po punohet në këtë drejtim. A do të jenë pjesë e Muzeut, apo do të vendosim dy institucione të reja, tash për tash nuk mund të ju them asgjë, sepse bisedimet vijojnë”, tha Allagozovski.

A do ta merr Shtëpia e Alfabetit pamjen e muzeut?

Allagjozovski njoftoi se dy hapësirat në përdhesen e objektit, që tashmë do t’i kalojnë Muzeut të Alfabetit, ende nuk nuk dihet se për çfarë do të përdoren.

“Ka iniciativa që të merren në shfrytëzim ato dy hapësira. Për ne është me rëndësi që siguruam mjete të denjësishme, që çfarëdo që të ndodh në atë ndërtesë, të jetë në të njëjtën ide dhe afër misionit të Muzeut të Alfabetit Shqip. Nuk është mirë që veprimtaria e Muzeut të kombinohet me ndonjë veprimtari të papërgjegjshme”, tha Allagjozovski.

Ditë më parë, sekretari shtetëror kulturor, Valmir Aziri për Portalb.mk tha: “Tani më shitoret janë në menaxhim të Muzeut të Manastirit dhe është detyrë e tyre që këto hapësira t’i shfrytëzojnë si hapësira për ekspozim dhe shitje të gjë sendeve që kanë të bëjnë me Muzeun siç janë rekuizita të ndryshme”, tha Aziri.

Muzeu i Alfabetit, foto nga Bekim QokuNga ana tjetër, historiani Ilir Memedi për Portalb.mk tha se çështja e Muzeut të Alfabetit në Manastir duhet të zgjidhet jo vetëm me strategji ministrore apo shtetërore, por edhe me strategji ndërshtetërore,  duke përfshirë këtu edhe Republikën e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Kongresi i Manastirit në mozaikun e ngjarjeve historike të periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare paraqet simbiozën më të kompletuar të organizimit kulturoro-arsimor, politike e ushtarake të popullit shqiptar drejt rrugëtimit të tij në rreshtimin evropian për të sfiduar ambiciet e përshfaqura fqinjësore të synuara  të fundzhbërjes së etnisë sonë. Andaj,  Shtëpia Muze në Manastir më shumë se kurdoherë më parë vë në sprovë kujdesin institucional e shtetërore të Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë drejtim është i domosdoshëm konsultimi i institucioneve përkatëse të këtyre shteteve në radhë të parë i akademive dhe instituteve të cilat merren me lëmin e historisë dhe gjuhës shqipe.

Sa i takon dy hapësirave në përdhesen e Muzeut, historiani Memedi vlerësoi se “Rrjedhimisht, dy hapësirat e përdheses te shtëpia Muze, të cilat aktualisht janë lokale afariste, mund të funksionojnë si Arkiv dhe Bibliotekë”.

Përndryshe, Muzeu i Alfabetit në Manastir përkap datën më të rëndësishme të historisë shqiptare në të cilën shihen gjurmë qindravjeçare të civilizimit ilir dhe të pasardhësve të tyre, shqiptarëve, por rrallë ndokund mund të dëgjosh të flitet shqip. Jo rrallëherë u nënshtrohet sulmeve godina kurse në katin përdhes shiteshin pllaka qeramike, ani pse ajo ka statusin e muzeut shtetëror.

Hidhen koktej Molotov ndaj Muzeut të Alfabetit shqip në Manastir

Brenda qytetit të Manastirit nuk ndodhet vetëm shtëpia ku ka lindur alfabeti i shqiptarëve, por në periferi të tij janë hapur themelet e Heraclea Lyncestis, qytet antik i ndodhur në Gadishullin Ilirik.

Ndryshe, Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë për vitin 2018 ka paraparë 3 miliardë e 92 milionë e 147 mijë denarë. Nga kjo shumë 2,055,831,000 denarë do të shkojnë për investime direkte në veprimtari kulturore – artistike, 1,116,500,000 denarë do të shkojnë për investime kapitale ndërkaq 246,684,000 denarë janë paraparë për bllok dotacione.

Krahas kësaj, në shumë prej afro 4 miliardë denarë, për Agjencinë e Filmit janë paraparë të holla në vlerë prej 154,563,000 denarë, për ngrohje qendrore janë paraparë 129 milionë denarë, për bashkëpunimin ndërkombëtar 82,169,000 denarë ndërkohë që të holla janë paraparë edhe për integrime evropiane në vlerë prej 20 milion denarë dhe qendrat kulturore në diasporë në vlerë prej 15 milionë denarë.

Ndryshe, për institucionet kulturore shqiptare që priten të financohen nga Ministria e Kulturës janë: Teatri Shqiptar Shkup në vlerë prej 250 milionë denarë për përfundim të punimeve të objektit kapital, Teatri i Tetovës në vlerë prej 250 milion denarë për vazhdim të punimeve në projektin kapital, Qendra Konzervative në Gostivar në vlerë prej 3 milionë e 9 mijë denarë për ndërtim të objektit dhe Muzeu i Alfabetit Shqip në vlerë prej 2 milionë e 600 mijë denarë.

LEXO MË SHUMË:

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button