23 vjetori i UT-së, Lazim Destanit i ndahet çmimi “Doktor Honoris Causa”

23 vjetorin e themelimit, udhëheqësia e Universitetit të Tetovës e ka shënuar duke bërë vizitë në varrin e rektorit të parë, Fadil Sulejmanit dhe me akademi solemne ku ka ndarë edhe çmimin kryesor “Doctor Honoris Causa”, njofton Portalb.mk.

Çmimi në fjalë sivjet shkoi për sipërmarrësin apo pronarin e ndërmarrjes “Ecolog”, Lazim Destani.

Akademinë e shpalli të hapur rektori i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti i cili tha se UT-ja u formua për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë diskriminimit që i bëhej popullit shqiptar të trevave tona dhe për të trasuar një të ardhme më të mirë për të gjitha etnitetet që jetojnë në Republikën e Maqedonisë.

“Shikuar në këtë prizëm, universiteti është platforma jonë e përbashkët, pikë gërshetimi e historisë sonë, e traditave tona, vizionit dhe idealit tonë të përbashkët. Kthim pas nuk ka dhe më fuqishëm se kurrë ne do ta vazhdojmë rrugën drejt dijes dhe progresit, drejt të ardhmes së fëmijëve tanë, drejt qytetërimit dhe emancipimit. Nëse ne tani, në retrospektivë shikojmë pas në çdo vit akademik, përpara syve na shfaqet një universitet përplot dinamikë, i cili shkallë-shkallë po merr konturat e një institucioni prijës në vend dhe rajon dhe bëhet anëtar i devotshëm i rrjetëzimit evropian dhe botëror universitar”, tha Ameti.

Në këtë akademi ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në vendin tonë, Fatos Reka, i cili në emër të institucioneve të Republikës së Shqipërisë iu drejtua të pranishmëve në akademi me fjalë përshëndetëse.

“Është kënaqësi që sot jam në mesin tuaj, në shënimin e këtij përvjetori, ku ju sonte nderoni me titullin “Doktor Nderi i Shkencave” i Universitetit tuaj Lazim Destanin. Dëshiroj që Lazim Destanit dhe Universitetit të Tetovës t’u uroj jetë të gjatë, universitetit jetëgjatësi për të vazhduar në të gjitha drejtimet”, tha Reka.

Ndërsa në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, me fjalë përshëndetëse auditorit iu drejtua Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema. Ai tha se me themelimin e Universitetit të Tetovës gjendja politike, ekonomike, sociale, shoqërore e kombëtare e shqiptarëve në Maqedoni ka ndryshuar dukshëm.

Pas fjalimeve përshëndetëse në këtë akademi, Universiteti i Tetovës e laureoi me titullin “Doctor Honoris Causa” sipërmarrësin, Lazim Destani.

Kryetari i Komisionit Recensues, prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i UT-së, Arbër Çeliku, lexoi referatin për laureatin, Lazim Destani. Ai tha se çmimi ndahet “bazuar në personalitetin dhe aktivitetet tashmë të dëshmuara të Lazim Destanit në spektrin e gjithmbarshëm shoqëror, të cilat ngërthejnë në vete shpirtin human, arsimdashës dhe kombëtar”. 

Vendimin e Senatit për ndarjen e titullit  e bëri publik prorektori për Arsim i UT-së, Reshat Qahili.

Pas marrjes së diplomës, Lazim Destani me fjalë përshëndetëse dhe falënderuese iu drejtua auditorit.

“Eshtë kënaqësi dhe privilegj të jem në Universitetin e Tetovës, për ta pranuar çmimin më të lartë shkencor që e jep ky universitet, titullin Doktor Nderi”, tha Destani.

Kjo akademi u përmbyll me një program artistik, me interpretimin e disa këngëve nga profesorët e Fakultetit të Arteve të Universitetit tonë, Selami Kolonja dhe Kastriot Tusha, të shoqëruar në Piano nga Taulant Kolonja.

Ndryshe, Universiteti i Tetovës, titullin e njëjtë sikurse të Lazim Destanit, “Doctor Honoris Causa”, ua ka ndarë personaliteteve të dëshmuara në lëmi të ndryshme, siç janë: Bamir Topi, Ferid Muradi, Fadil Sulejmanit, Ahmed Davutogllut, Enver Duranit, Dhori Kules, Shezai Rrokajt, Betrit Bare, Mynir Konit, Xhems Perdju, David L. Phillips, Lisa Freeman, Beate Henn-Memmesheimer, Omer Xhemalit, Adem Demaçit, Hashim Thaçit dhe Arsim Bajramit.

1

 

4

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button