Vendimi për Jeruzalemin, bota reagon me shqetësim

Lajmi se Donald Trump pritet të njoftojë njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit ka nxitur reagime ndërkombëtare që variojnë nga shqetësimet tek alarmi, transmeton Top Channel.

Për palestinezët, kjo do të ishte “puthja e vdekjes” për procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Sipas përfaqësuesit të këtij vendi në Britaninë e Madhe, Manuel Hassassian, ndryshimet në politikën amerikane mbi Jeruzalemin janë të barazvlefshme me një deklaratë lufte në Lindjen e Mesme.

Reagimi zyrtar i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu nuk ka ardhur ende, por ministri i Arsimit Naftali Bennett e cilësoi këtë si një hap të madh drejt paqes dhe u kërkoi vendeve të tjera të ndiqnin shembullin e Shteteve të Bashkuara. Ai shtoi se diçka e tillë do të bindte armiqtë e Izraelit se, Jeruzalemi nuk do të ndahet kurrë.

Por, Papa Françesku kërkoi respektimin e “status quo”-së dhe theksoi se dialogu do të vinte vetëm përmes njohjes së të drejtave të të gjithë njerëzve në rajon.

Gjithashtu, ministri i Jashtëm britanik Boris Johnson i sheh me shqetësim raportimet, mbi atë që do të thotë presidenti i Shteteve të Bashkuara, duke u bërë jehonë komenteve të Francës dhe Bashkimit Europian.

Nëse Trump do të deklarojë atë që pritet, Shtetet e Bashkuara do të bëhen vendi i parë që njeh Jeruzalemin si kryqytet të Izraelit, që prej formimit të këtij të fundit në vitin 1948.

Zyrtarë të administratës së Trumpit thonë se Shtetet e Bashkuara do të njohin atë që e quajnë realitet historik dhe aktual, por se gjithsesi kufijtë e qytetit do të mbeten subjekt i marrëveshjes përfundimtare mbi statusin e tij. Gjithashtu, ata theksuan se nuk do të preket as statusi i vendeve të shenjta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button