Jerusalemi, çështje e pazgjidhur prej një shekulli

Pas raportimeve për planin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosjen e ambasadës nga Tel Avivi në këtë qytet, në agjendën botërore sërish u vendos problemi mes Palestinës dhe Izraelit, i cili në vitin 1980 e shpalli Jerusalemin si “kryeqytet të përhershëm”.

Rëndësia e Jerusalemit ka vazhduar të rritet për muslimanët gjatë procesit që filloi me tërheqjen e Perandorisë Osmane dhe vendosjen e mandatit britanik.

Jerusalemi, pjesë e trojeve historike palestineze, ishte qytet në të cilin gjatë qeverisjes osmane liri adhurimi kishin pjesëtarët e tri feve qiellore.

Që nga okupimi britanik i Jerusalemit në vitin 1917, trojet palestineze u përballët me migrim hebre nga katër anët e botës. Me deklaratën e Ministrit të Jashtëm britanik Arthur Balfour në vitin 1917, u dha leja për krijimin e një shteti izraelit në trojet palestineze dhe Jerusalem, i cili llogaritet i shenjtë nga tri fetë qiellore.

Vende vende, në Jerusalem ndodhën përleshje mes ushtrisë britanikë dhe arabëve palestinezë, ndërsa në vitin 1920, qyteti u bë skenë e një kryengritjeje shoqërore. Ushtarët britanik e shtypën kryengritjen duke përdorur dhunë.

Në Jerusalem, ku popullsia hebreje u rrit gjithnjë e më shumë, rreth 243 arabë dhe hebrenj humbën jetën në vitin 1929 në përleshjet që shpërthyen si pasojë e mosmarrëveshjes mes hebrenjve dhe muslimanëve për qasje në Murin Burak (Muri i Vajtimit).

Gjendja në Jerusalemin e kontrolluar nga mandati britanik fitoi përmasa kërcënuese për muslimanët. Kështu, me iniciativë të myfitut të Jerusalemit Haxhi Emin el-Husejni, në vitin 1931 u organizua “Kongresi i Përgjithshëm Islam”, në të cilin morën pjesë 153 përfaqësues nga 22 vende islame, të cilët kundërshtuan vendimet e shteteve perëndimore dhe Lidhjes së Kombeve.

Pas shpalljes së Jerusalemit si zonë ndërkombëtare sipas planit të ndarjes së Palestinës në kuadër të rezolutës 181 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), në vitin 1947 në Jerusalem u organizuan protesta masive me thirrje të Komitetit të Lartë Arab.

Ndërkaq, Këshilli Nacional Hebre më 14 maj të vitit 1948 shpalli krijimin e shtetit izraelit në territorin historik palestinez. Në luftën që pasoi mes shteteve arabe dhe Izraelit pas shpalljes së në fjalë, Izraeli zgjeroi kufijtë në kundërshtim me planin e ndarjes së OKB-së së vitit 1947. Pas kësaj date, Jerusalemi Perëndimor kaloi nën administrimin izraelit, ndërsa Jerusalemi Lindor në atë të muslimanëve.

Në vitin 1949, Izraeli e shpalli Jerusalemin Perëndimor kryeqytet të Izraelit, duke e zhvendosur parlamentin (Knesset) nga Tel Avivi në Jerusalem. Seanca e parë u mbajt më 14 shkurt të vitit 1949.

Pas krijimit të shtetit izraelit, Jerusalemi i ndarë në dy pjesë, lindje dhe perëndim, nga viti 1948 deri në vitin 1967 u administrua nga dy shtete, Jordania dhe Izraeli.

I kontrolluar nga Jordania, Jerusalemi Lindor u okupua nga Izraeli gjatë luftës gjashtëditore në vitin 1967.

Jerusalemi, i cili pas Mekes dhe Medines llogaritet qyteti i tretë i shenjtë në botën islame, si dhe vendet e shenjta islame në këtë qytet, u shënjestruan nga sulmet e hebrenjve fanatikë.

Dennis Michael Rohan, hebre australian, më 21 gusht të vitit 1969 sulmoi Xhaminë Al Aksa, duke djegur murin jugor dhe minberin historik i cili ishte dhuruar nga Salahadin Ejubi, çliruesi i Jerusalemit para rreth një mijë viteve. Edhe krahas rinovimeve të ndryshme deri më sot, gjurmët e sulmit në fjalë ende nuk janë fshirë nga Xhamia Al Aksa.

Presidenti i Egjiptit Enver Sedat u bë lideri i parë arab që pranoi Izraelin dhe kontrollin e tij mbi Jerusalemin, duke zhvilluar vizitë zyrtare në Izrael dhe Jerusalem në vitin 1977. Rreth dy vite pas kësaj, nën kryesimin e SHBA-ve, Egjipti dhe Izraeli firmosën Marrëveshjen e Paqes në Camp David.

Pa kaluar shumë kohë nga marrëveshja në fjalë, parlamenti izraelit Knesset miratoi Ligjin për Jerusalemin në vitin 1980 duke e shpallur Jerusalemin e bashkuar, lindje dhe perëndim, si kryeqytet të Izraelit.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së (KS-OKB), nuk e njohu shpalljen e Jerusalemit si kryeqytet, përmes rezolutës 478 në vitin 1980. KS-OKB e kundërshtoi vendimin e Izraelit duke theksuar se “ligji në fjalë është i pavlefshëm dhe jodetyrues, dhe i njëjti duhet anuluar”.

Kompleksi Aksa dhe vakëfet në Jerusalem u lanë nën përkujdesjen e Autoritetit të Vakëfeve të Jerusalemit, që vepron nën Ministrinë jordaneze të Vakëfeve, Vendeve të Shenjta dhe Çështjeve Islame, sipas marrëveshjes së paqes mes Jordanisë dhe Izraelit të nënshkruar në Luginën Araba.

Izraeli vazhdoi me shkeljet në Jerusalem, duke mos e njohur rezolutën e KS-OKB-së dhe duke e shpërfillur edhe marrëveshjen me Jordaninë. Më 25 shtator të vitit 1996, hapja e një tuneli në Murin Burak (Murin e Vajtimit) në pjesën perëndimore të Al Aksasë në kuadër të gërmimeve izraelite në zonën e kompleksit Al Aksa, shkaktoi reagimin e palestinezëve. Në incidentet që zgjatën disa ditë, u vranë 63 palestinezë, ndërsa u plagosën një mijë e 600 të tjerë.

Qeveria palestineze dhe ajo izraelite, të cilat u takuan në Samitin e Camp Davidit të organizuar edhe një herë në vitin 2000 nën kryesimin e SHBA-ve, nuk arritën rezultat lidhur me statusin e Jerusalemit.

Dy muaj pas Samitit të Camp Davidit, vizita që ish-kryeministri i Izraelit Ariel Sharon ia bëri kompleksit Al Aksa nën shoqërimin e qindra rojeve, u bë shkëndija e parë e intifadës së dytë që zgjati për disa vite.

Që nga viti 2003, qeveria izraelite filloi të fusë nën mbrojtjes e saj kolonë hebrenj në oborrin e Kompleksit Aksa, ndërsa kohë pas kohe filloi të sjellë kufizime në moshë për hyrjen e muslimanëve. Shumë organizata dhe politikanë hebrenj radikalë bënë thirrje që kompleksi Aksa (Harem-i Sherif), në të cilin besojnë se gjendet tempulli i tyre që është rrënuar dy herë, të hapet për adhurim edhe për ta.

Organizata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e OKB-së (UNESCO) më 18 tetor të vitit 2016 miratoi një rezolutë, përmes së cilës deklaroi se Kompleksi Aksa në Jerusalem nuk ka lidhje me Judaizmin.

Presidenti amerikan, Donald Trump. gjatë fushatës zgjedhore presidenciale në vitin 2016 kishte premtuar se SHBA-të do ta zhvendosnin ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem.

Ndërkaq, më 23 dhjetor të vitit 2016, KS-OKB, përmes një rezolute, kërkoi që Izraeli t’u japë fund “menjëherë dhe tërësisht” të gjitha aktiviteteve të paligjshme kolone në Jerusalemin Lindor të okupuar dhe territoret e tjera palestineze.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button