Siguria e grave dhe e vajzave bashkoi në një vend Kosovën dhe Maqedoninë

Sot në Shkup ka filluar punimet konferenca rajonale dyditore me temë “E drejta e secilit për qytet”, në të cilën përfaqësues të institicioneve lokale nga Maqedonia dhe Kosova, por edhe të atyre ndërkombëtare përfshirë “UN Women” -Maqedoni dhe “UN Habitat”, Kosovë, do të debatojnë mbi promovimin e forcimit të sigurisë në hapësirat publike urbane, duke e vënë theksin te siguria e grave dhe vajzave, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapje të konferencës, shefja e departamentit të grave në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Shkup, Dominika Stojanovska, tha se kyçja e grave dhe vajzave në mjediset urbane janë prioritete të larta të “UN Women” – Maqedoni dhe “UN Habitat”, Kosovë por edhe të dy shteteve, sepse më nënshkrimin e axhendës zhvillimore dhe qëllimeve të qëndrueshme strategjike, shtetet janë zotuar për qytete inkluzive dhe barazi gjinore.

Siç tha ajo, vajzat në mjediset urbane anembanë botës përballen me ngacmim seksual, duke nisur nga fishkëllimat dhe deri tek përdhunimet, të cilat ndodhin në autobus, tren, treg, ose në park të qytetit, që rezulton me refuzimin e femrave të përdorin këto të mira publike, për çka kërkoi mbështetjen e institucioneve shtetërore për eliminimin e këtyre pengesave me të cilat përballen gratë.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska tha se tema e hapësirave publike të sigurta është një temë e cila fare nuk diskutohet në shoqëri, ndërkohë që shumë nga gratë kanë frikë të lëvizin në rrugë të caktuara të qytetit, për të shtuar se është detyrë e pushtetit lokal dhe atij qendror, t’u mundësojë qytetarëve rrugë të ndriçuara në mënyrë që gratë por edhe burrat të ndjehen të sigurt.

“Sondazhet flasin se 30 për qind e grave nuk ndjehen të sigurta ditën, por ky numër dyfishohet kur kaplon terri i natës, sepse 60 për qind e grave nuk dalin në mbrëmje nga frika sepse nuk ndjehen të sigurta, që flet se hapësirat tona nuk janë të sigurta”, tha Carovska për të shtuar se përfshirja e grave në politikë dhe jetën shoqërore mund të bëhet vetëm përmes sigurimit të kushteve për hapësira të sigurta, por që kërkon ndyshimin e shumë ligjeve ekzistuese.

Gwendoline Mennetrier, nga UN Habitat”, Kosovë tha se krimi ndodh kudo në botë, mirëpo siç tha, qytetarët nuk duhet të mbështeten vetëm tek mbrojtja të cilën e ofron policia, sepse fillimisht duhet të projektohen hapësira publike të cilat do të bëjnë gratë të ndjehen të sigurta.

“Sot nuk mun të flasim për zhvillim qëndrueshëm urban nëse nuk kemi siguri, dhe nuk mund të ketë siguri pa pasur zhvillim urban. Në rrugët tona mungon ndriçimi dhe transporti publik, prandaj UN Habitat për një kohë të gjatë punon në partneritet me organizata të ndryshme për të realizuar këto qëllime, sepse vetëm ashtu do të eliminohet dhuna ndaj grave në hapësirat publike”, tha ajo.

Në ditën e parë të konferencës do të prezantohet profili i hapësirave publike të Prishtinës, dhe auditimi i hapësirës publike në Shkup pas çka ekspertë nga Bolonja e Italisë nga komuna e Parisit dhe nga India do të diskutojnë për praktikat më të mira ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button