Thaçi pjesëtarëve të FSK-së: Uniforma që ju bartni është ëndrra e stërgjyshërve tuaj

Në fjalimin e tij të fundvitit para pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot deklaroi se “Të gjithë pjesëtarët e FSK-së pa dallim etnik meritojnë shansin e realizimit të potencialit të tyre duke u bërë së shpejti pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Kosovë”, raporton Anadolu Agency (AA). 

Presidenti Thaçi para pjesëtarëve të FSK-së, vuri theksin se Kosova ka arritur një numër të madh të njohjeve dhe është bërë anëtare në shumë organizata ndërkombëtare ndërsa tha se ende nuk është aty ku dëshiron dhe meriton të jetë. Ai theksoi se kosovarët nuk duhet të mendojnë dhe të sillen si viktima, sepse ata e kanë fituar luftën dhe Kosova ka një histori me të cilën duhet të mburren.

“Detyra historike që kemi para vetes është që ta fitojmë edhe paqen. Qëllimi ynë mbetet i qartë, të ndërtojmë një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Republika e Kosovës si një vend i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm, me përcaktim evropian dhe euroatlantik, duhet të jetë e pakontestuar dhe e integruar në familjen e kombeve botërore”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Ai bëri të ditur se themelimi i ushtrisë shumëetnike është duke u bërë në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët tjerë.

“Kosova duhet të ketë kapacitet të plotë mbrojtës dhe një ushtri moderne, që do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kudo në botë. Ashtu siç po e dëshmoni çdo herë, ju pjesëtarë të FSK-së po shkëlqeni në secilin ushtrim apo garë ku merrni pjesë. Ju po shkëlqeni në akademi ushtarake të njohura në botë. Uniforma që ju bartni është ëndrra e stërgjyshërve tuaj, e kthyer sot në realitet”, tha Thaçi.

Thaçi duke iu drejtuar me një mesazh të gjithë zyrtarëve të Kosovës tha se ata duhet “ta zbatojnë ligjin plotësisht dhe pa dallim, sepse kështu nuk do t’i japim askujt pretekst për të pretenduar vazhdimin e misioneve në pafundësi”.

Ai kujtoi se në verën e vitit të ardhshëm mandati aktual i misionit të EULEX-it në Kosovë do të përfundojë dhe nënvizoi se deri tani është folur për tranzicion, por tani e tutje duhet të flitet për fazën përmbyllëse.

“Me qindra milionë euro të taksapaguesve evropianë janë shpenzuar dhe vazhdojnë të shpenzohen për mbarëvajtjen e misionit EULEX. Si është e mundur që me gjithë këtë përfshirje, të pashembullt, përgjegjësia të jetë vetëm në anën kosovare. E theksoj qartë se qëllimi ynë shtetëror është anëtarësimi në BE dhe jo që në Kosovë të ketë misione të përjetshme të saj”, tha Thaçi.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare e ka imponuar themelimin e Gjykatës Speciale sepse në të kundërtën, Kosova do të ishte e pafuqishme të parandalonte themelimin e një gjykate tjetër ndërkombëtare, nën ombrellën e OKB-së.

Thaçi u shpreh se Gjykata Speciale nuk do të mund të arrijë të bëjë atë që e proklamon, të forcojë ndjenjën e drejtësisë, për viktimat e luftës duke theksuar se “100 Gjykata Speciale të këtilla do të duhej të bëheshin vetëm për krimet që Serbia e Millosheviqit i ka bërë në shtetet e Ballkanit dhe këtu në Kosovë”.

Presidenti i Kosovës, Thaçi po ashtu përmendi edhe kriterin e fundit të mbetur sipas BE-së për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, duke shtuar se duhet të plotësohet pa humbur kohë.

Ai tha se kjo marrëveshje e cila është miratuar dje nga Qeveria e Kosovës është e nënshkruar me përgjegjësinë më të lartë shtetërore nga vetë ai më 26 gusht 2015. Sipas tij, çdo dështim i institucioneve shtetërore kosovare për t’i kryer me përgjegjësi obligimet ndërkombëtare, po i shërben BE-së si justifikim për të mbajtur Kosovën të izoluar.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button