Armë e municione greke në duart e xhihadistëve, reagon Athina

Një debat i ashpër për shitjen e armëve greke në Arabinë Saudite ka përfshirë këto ditë parlamentin grek. Me kalimin e ditëve më shumë të dhëna dalin në dritë, duke ekspozuar vazhdimisht kryetarin e partisë së djathtë ekstreme “ANEL” e bashkëpunëtorin e detyrueshëm të Cipras në qeveri, ministrin e Mbrojtjes, Panos Kamenos, transmeton BalkanWeb.

Menjëherë pas lajmit bujës se armë greke janë zbuluar në Raka, ish-fortesën e ISIS, ministria e Mbrojtjes e ka mohuar duke reaguar me deklaratën për shtyp: “E përsërisim për herë të fundit, bëhet fjalë për një marrëveshje dypalëshe për 300.000 raketa. Të gjitha deklaratat e tjera të papërgjegjshme, të papranueshme të opozitës ku përmendet ISIS, vënë në rrezik integritetin e vendit”.
Nga salla parlamentare, kryeministri Cipras i ka konsideruar dëshmitë e opozitës për shitje armësh në Arabinë Saudite si “komplote qesharake” me interesa të errëta.

Sipas të dhënave, qeveria SIRIZA-ANEL, gjatë këtij viti, ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe me pronarin e kompanisë greke të tregtisë së armëve, Vasilis Papadopulos, pavarësisht kundërshtimeve të hapura të stafit diplomatik e ushtarak që paralajmëronin se diçka nuk shkonte me prokurat nga Arabia Saudite që paraqiste biznesmeni.

Opozita dyshon edhe për origjinalitetin e autorizimeve të Papadhopulos, duke akuzuar ministrin e Mbrojtjes se ka shkelur dhe ligjin për ndërmjetësin. Ndërsa deputetët e majte kanë dërguar një letër zyrtare ministrit të Jashtëm, N. Kotzias, ku kërkojnë gjithë korrespondencën e ambasadorit e konsullit në Riad me ministrinë e Jashtme greke nga nëntori 2016 deri tani.

Zbulimi i municioneve greke në qytetin Raka ka ngjallur më tej debatin për shitjen e armëve jo sipas procesit zyrtar, nga ministria e Mbrojtjes në Arabinë Saudite. Ditët e fundit, shërbimet europiane që operojnë në ish-fortesën e ISIS kanë gjetur gjurmë nga armë greke, të cilat duket të jenë pjesë e tregëtisë që kryen kompania e Vasilis Papadhopulos në Lindjen e Mesme. Në artikullin e gazetës vendase “toVima” nuk thuhet se këto armë i janë shitur drejtpërdrejtë ISIS, por kanë ndjekur tjetër rrugë transporti, që akoma nuk bëhet e ditur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button