Maqedoni – Kosovë, problemi me mungesën e nënshtetësive dhe trafikimit ilegal të drogës drejt zgjidhjes ligjore

Gjatë takimit të sotëm ndërmjet ministrit të Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski dhe homologut të tij nga Kosova, Flamur Sefaj janë nënshkruar disa marrëveshje që kanë të bëjnë me sigurinë kufitare, respektivisht zgjidhjen e problemit të mungesës së nënshtetësisë së qytetarëve të të dyja shteteve dhe parandalimin e trafikimit ilegal të drogës, njerëzve dhe armëve, raporton Portalb.mk.

“Marrëveshjet e arritura sot kanë për qëllim lehtësim të përballjes me krimin e organizuar dhe veprave kriminale, trafikimit ilegal me njerëz, armë dhe drogë, gjeneralisht për zgjidhjen e problemit global si lufta kundër terrorizmit. Është arritur edhe zgjidhje e problemit të qëndrimit joligjor të personave theksi i së cilës është zgjidhja e problemit të krizës së emigrantëve dhe mungesës së nënshtetësisë së qytetarëve të të dyja shteteve. Është nënshkruar edhe protokoll i lëvizjes së lirë ndërmjet dy shteteve me qëllim të ndjekjes së krimit dhe individëve të cilët merren me këtë aktivitet, që të njëtët të mos kenë mundësi të sigurojnë qëndrim në asnjë shtet”, tha Spasovski pas takimit.

Ndërkaq, homologu i Spasovskit, Flamur Sefaj tha se qëllimi i takimit të sotëm nxitet nga perspektiva euro-atlantike dhe ai shpreson se Kosova do të ketë ndihmë nga Maqedonia në këtë drejtim, për arsye “sepse Maqedonia ka përvojë më të gjatë”

“Maqedonia dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira dhe ndajnë prioritetet të njëjta, sikurse lufta kundër krimit të organizuar, kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, kundër trafikimit me njerëzit dhe armët. E ardhmja jonë dhe e rajonit është integrimi në Bashkimin Evropian dhe takimi i sotëm është në këtë frymë, sepse Maqedonia ka më shumë përvojë në realizimin e prioriteteve të BE dhe ajo mund të ndihmojë në rrugëtimin tonë evropian”, tha Sefaj.

Sefaj paralajmëroi nënshkrim të marrëveshjeve tjera me çka ftoi Spasovskin që sa më shpejtë të vizitojë Kosovën që të nënshkruajnë të njëjtat.

Përndryshe, problemi me nënshtetësinë së qytetarëve me prejardhje nga Kosova që qëndrojnë me vite në Maqedoni është alarmuar në vazhdimësi, pasi që ka individë që janë shkolluar dhe vazhdojnë të jetojnë në Maqedoni kurse ende nuk kanë nënshtetësi të Maqedonisë. Ndërkaq trafikimi ilegal i drogës dhe armëve në vazhdimësi është vërtetuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

Ndryshe, megjithëse ministri Spasovski pas takimit të sotëm deklaroi se “Kemi biseduar për tema aktuale të dy shteteve” temë diskutimi nuk ka qenë edhe hetimi ndërkombëtar për rastin “Kumanova” i cili u kërkua nga presidenca dhe kryeministria e Kosovës që para një muaji.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button