“Diskursi në kornizë” i Artan Arsllanit, një copë histori për ngjarjet e fillimshekullit

Nga Gëzim Sulejmani

Libri publicistik “Diskursi në kornizë” i Artan Arsllanit, që doli këto ditë nga shtypi, jep një  pasqyrë të zhvillimeve shoqërore-politike të fillimshekullit XXI në Maqedoni. Përtej raportimit ditor, ato ruajnë kuintesencën e vrojtimit kritik të ngritjes së institucioneve në shtetin e ri të Maqedonisë, pas pavarësimit nga ish-Jugosllavia, dhe sidomos pas luftës së vitit 2001 dhe arritjes së Marrëveshjes-kornizë të Ohrit, thotë në recensionin e botimit, Nazif Zejnullahu.

Të shkruash raportin, kronikën dhe dëshminë, në të njëjtën kohë, kjo është sfida më e preferuar për çdo njeri të penës, sidomos për një gazetar të ri, të mbrujtur me përvoja shumë të afërta të zhurnalistikës shqiptare. Duke paraqitur punën e institucioneve shtetërore, të partive politike dhe të subjekteve të tjera shoqërore, autori Artan Arsllani, në fakt, ka bërë një libër në ecje e sipër, gjithnjë duke i parë gjërat nga një distancë, përkatësisht sipas thënies latine “Pushteti më i madh është të zotërosh veten”, nënvizon Zejnullahu, duke shtuar se kushdo që është i interesuar për këtë periudhë kohore, mund të qëmtojë shumë të dhëna, të paraqitura këtu, por dhe nga “zotërimi i vetvetes”, gjithandej të pranishëm në këtë tekst sa informativ, po aq dhe mësimor e historik. Me një fjalë, një “kornizë” e relacioneve Shkup-Tetovë, për një “kornizë” të Ohrit dhe më shumë se aq.

Recensenti i librit, Nazif Zejnullahu vë në dukje se ajo që bie në sy, pa dyshim, është përmbledhja e qëlluar, e paimponueshme, assesi e dhunshme, e të gjitha atyre kronikave për UÇK-në, për partitë e vjetra dhe të reja të shqiptarëve të Maqedonisë (PPD, PDSH, BDI etj.), për shpirtin shqiptar të këtyre trojeve, gjithnjë të përndezur për t’i kontribuar barazisë shoqërore-politike të të gjithë popujve që jetojnë në këto tërthore. Sipas tij, lexuesi do të ketë në dorë “një copë” histori falë këtij dorëshkrimi, të shkruar dhe të formuar në një distancë të jashtëzakonshme të zhvillimit të mendimit dhe të praktikës politike të shqiptarëve të Maqedonisë.

Ndërkaq, autori Artan Arsllani, në parathënien e librit thekson se shekulli ri solli ngjarje dramatike për shqiptarët në Maqedoni. Kishin kaluar dhjetë vjet nga pavarësimi i këtij shteti, me një Kushtetutë diskriminuese për shqiptarët, me shpresa të thyera për kthesa pozitive në këtë shtet pluralist, me premisa fillestare demokratike, por unitarist për nga sistemi politik, ndonëse shumetnik dhe shumë-konfesional për nga realiteti shoqëror. Durimi i popullatës shqiptare në këtë shtet prej viti në vit ishte në kufi të shpërthimit. Nga një akumulim i këtillë negativ shumëvjeçar për fatin e vet, që kishte rrënjët nga sistemi shtypës komunist prej disa dekadash, në pranverën e vitit 2001 shpërtheu konflikti i armatosur ndërmjet forcave të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe forcave policore-ushtarake të pushtetit maqedonas.

Ky konflikt përfundoi më 13 gusht 2001, me një marrëveshje të dhembshme të paqes, me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve (SHBA dhe BE), që quhej Marrëveshja kornizë e Ohrit. Përkundër faktit se pushuan armët, drama e pas konfliktit po vazhdonte me pasoja të rënda, ndaj dhe duheshin shumë përpjekje politike që situata të stabilizohej. Diskursi politik në kampin shqiptar ishte përkufizuar brenda një kornize që quhej Marrëveshja e Ohrit, ndaj dhe kësisoj ishin këputur kthetrat për një fluturim të lirshëm në hapësirën etnike autoktone shqiptare në fushën e realizimit të synimeve historike e kombëtare.

Shqiptarët, si faktor i rëndësishëm konstitucional i shtetit në Republikën e Maqedonisë, pas konfliktit të armatosur të vitit 2001, me forma të ndryshme juridike e institucionale, nëpërmjet subjekteve të tyre politike, kërkonin avancimin e pozitës kushtetuese, madje duke ofruar edhe opsione reale dhe modele praktike nga bota demokratike për statusin e tyre, që nuk përjashtonte edhe vetëvendosjen, e cila do të përkrahej nga disa qarqe ndërkombëtare. Lufta për pushtet në kampin shqiptar po zhvillohej në dy fronte: një, brenda korpusit shqiptar dhe, tjetra, përballë partive politike maqedonase, që ishin mjaft të acaruara pas përfundimit të konfliktit. Krahas kësaj, disa parti shqiptare filluan të kenë edhe dridhje tektonike brenda përbrenda tyre.

Si çdo konflikt tjetër i armatosur, edhe ky që ndodhi në Maqedoni në vitin 2001, kishte periudhën e pas konfliktit dhe doemos duhej të kalohej nëpër një “katarzë” morale dhe institucionale, që rrumbullakohej me amnistinë e pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë. Kjo amnisti nuk ishte as e drejtë, as e barabartë e as gjithëpërfshirëse, që solli shumë probleme në periudhën vijuese. Përkundër një marrëveshjeje dypalëshe për amnisti, drejtësia maqedonase bëri tentime për shkeljen e saj të njëanshme, duke aktivizuar procese gjyqësore vetëm për ish-luftëtarët e UÇK-së, ndonëse kompetencat për një proces të tillë ishin ekskluzivisht të Gjykatës së Hagës për krime lufte. Kjo gjë shkaktoi shumë trauma jetësore individuale dhe familjare tek pjesëtarët e UÇK-së. Ndërhyrja e ndërkombëtarëve që garantonin zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në këtë rrafsh ishte mjaft e mekur dhe jo e sinqertë, thuhet, pos të tjerash, në parathënien e autorit të librit, që ka redaktor Ahmet Selmanin dhe recensent Nazif Zejnullahun.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button