Mos ia prishni dizenin kësaj jete

Merxhan Jakupi

Merxhan Jakupi

“Disa qenie njerëzore vrapojnë pas lumturisë, ata e zënë, e rrokin për fyti, e rrëmbejnë por në fund atyre u ikën lumturia” Fridrich Nietcshe

Artur Shopenhauer, në veprat e tij shkruan, që kur njeriu erdhi në këtë botë, u gjend në kontradikta, përplasje dhe konflikte me jetën. Një ndër frytet e iluzionit të njeriut kur erdhi në këtë botë ishte se do të jetojë i lumtur. Shopenhaueri thotë, njeriu dhe jeta janë në dis’harmoni, mospërputhje dhe divergjenca mes njëra-tjetrës. Atë që njeriu e pret nga jeta, jeta nuk ia jep, nuk ia servir, kurse atë që jeta  ia jep njeriut, ai nuk e do, kështu që në fund gjithë njerëzit ngelen të zhgënjyer nga kjo jetë. Tek shumë popuj që kam vizituar dhe njohur, si nocion ka qenë ‘jeta është e rëndë’. Tek gjermanët das schleben ist hart, italianët la vita e dura,  sllavët tezak je ovaj zivat dhe turqit bu hayatt cok agir. Më kujtohet në fëmijëri xhaxhai Xhemil, një qytetar i vjetër duke biseduar  me gjyshin tim, përmendnin frazën në gjuhën turke ‘Duzenin bosulmasa, bu hayatta cok gusel olyjr’ Dyzenin mos ja prishni kësaj jete, kjo jetë është shumë e mirë. Një miku im nga Kenia që punon në Zvicër me tregoi, se tek disa fise afrikane shumë shekuj më parë, akoma dhe në ditët e sotme fëmijët e porsalindur, familja bashkë me rapsodët i vajtojnë që kanë lindur dhe ardhur në këtë ferr, kurse kur vdesin ceremonia dhe ritualet mortore bëhen duke i përcjellur në varreza me  poezi, këngë dhe valle në lamtumirën e fundit dhe mbarimin e gjithë dhimbjeve dhe vuatjeve të kësaj bote. Që kur Adami dhe Eva  shkelën me këmbë në këtë planet, pasardhësit e tyre bartën mbi shpatulla dhe supe barrët  më të rënda dhimbjet dhe gjithë peripecitë në këtë botë. Nëse hulumtojmë, gjurmojmë dhe studiojmë , i kthehemi faqes 10 mijëvjeҫare gjithë epokave të historisë së njerëzimit, si dhe  nëse zbulojmë enigmën, misterin, thellësinë e shpirtit të njeriut , në përfundim do të zbulojmë, se jeta paraqet para nesh dhimbje , vuajtje, tragjedi, varfëri dhe katastrofa.

Ҫ’kuptim ka fjala lumturi?

Friedrich Nietzsche shkruan në veprën e tij madhështore ‘Kështu foli Zarathustra’, disa qenie njerëzore vrapojnë  pas lumturisë, ata e zënë, e rrokin për fyti, e rrëmbejnë, por më në fund u ikë lumturia. Këta qenie njerëzore, vazhdon Nietzsche, ҫdo herë jetojnë me iluzione dhe mashtrime, si gomerët në Siҫili ku pronarët  ua varin mbi kokë nga një tubë bar, ku ata tërë ditën tentojnë ta hanë por smund ta zënë dot. Në veprën Etika, Aristoteli e paraqet jetën e njeriut, dhe në mënyrë të shkëlqyer shpreh një frazë brilante, njerëzimi duhet gjithmonë të jetë i përqendruar në dhimbjet që mund të vijnë, por jo në lumturi. Si ҫdo herë njeriu duke pritur lumturinë,  në mënyrë të papritur dhe në befasi e godasin dhimbjet. Volteri thotë, lumturia është si një ëndërr mashtruese, kurse dhimbja është reale. Ai vazhdon, do ta lemë këtë botë kaotike me shumë dhimbje vuajtje pak gëzime dhe lumturi siҫ e gjetëm kur lindëm. Pronari i korporatës më gjigante Invor Komprad njëri nga miliarderët më të pasur në Zvicër, në moshë të thyer vendosi të kthehet në Suedi, vendlindjen e tij. Një gazetar e pyeti se a kishit dëshiruar të ktheni dhe një herë në këtë jetë. Zoti Komprad, vazhdoi të rrëfejë një fabulë nga romani i Thomas Mann (Buddenbrooks), ku personazhi i romanit Buddenbrooks, shkon në varreza duke trokitur pllakë më pllakë në ҫdo varr, se a doni të ktheheni, të ringjalleni dhe një herë në këtë botë. Përgjigjja ishte se asnjëherë nuk do të kthehemi në labirinthin e kësaj bote ku rënkon nga dhimbjet dhe vuajtjet. Zoti Komprad tha, me mundime e kam shtyrë gurin tërë jetën për të arritur deri tek maja, por ҫdo herë ka qenë rrezik që të kthehet mbrapsht dhe të më rrëmbejë. Cila është lumturia e vërtetë? Sipas shumë filozofëve, antropologëve dhe sociologëve, është kur njeriu do të arrijë kulmin e njohjes së vërtetës, se lumturia është e shkurtër, se jeta më shumë paraqet dhimbje, mjerim, fajësi dhe shumë pak gëzime dhe lumturi. Ne nuk jetojmë në epokën kur jetonte Buda, kur jeta ishte shumë e egër. Mirëpo edhe se njerëzimi ka evoluar, duke filluar me njeriun e shpellave deri tek njeriu modern, pakënaqësitë, dhimbjet, vuajtjet akoma vazhdojnë. Unë jetoj në Zvicër, shtet i pasur me standarte më të larta në Europë. Sipas statistikave dhe sondazheve në këtë shtet të begatshëm kryhen suicide (vetëvrasje) dy deri tre persona në ditë, më shumë se aksidentet. Sipas doktrinës së Kantit, sa më shumë njeriu të jetë inteligjent aq më shumë mbetet i pakënaqur, pra, Kanti thotë se njeriu modern është njeriu i brengave. Në fund në gjithë epokat, në gjithë sistemet qeverisëse duke filluar prej komunave primitive, me rendin skllavopronar, feudalizmin, komunizmin, kapitalizmin jeta paraqitet e rëndë, me dhimbje dhe shumë pak lumturi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP