Së fundmi mori çmim special, kush është Kolos Curri që sjell magji me taktet e pianos? (VIDEO)

Kolos Curri, një pianist i ri në moshë që mori çmim special në Kavadar të Maqedonisë.

Ajo çfarë e bën special çmimin, është rënia e pianos në katër duar. E vështirë është të luash në dy duar, e lëre të mendosh se tingujt e pianos do të dalin nga të shtypurat e dy duarve tjera. E pra, këtë e bënë Kolosi e Dimboski.

E për të kuptuar se kush është Kolos Curri, ndiqeni intervistën më poshtë.

Kush është Kolos Curri në pak fjalë?

Kolos Curri ka lindur më 09.04.1996 në Shkup. Shkollimin fillor e kreu në Shkollën Fillore “Zhivko Brajkovski” në Butel të Shkupit dhe paralelisht ndoqi mësimet në shkollën e ulët të muzikës në “Ilia Nikollovski Luj”. Shkollimin e mesëm e vazhdoi po në Shkollën e Mesme të Muzikës “Ilia Nikollovski Luj”, në paralelen shqipe. Më vitin 2014 regjistrohet në Fakultetin e Artit Muzikor në Shkup, ku tani është në vitin e fundit të studimeve. Rrjedh nga një familje e arsimuar dhe me traditë muzikore.

Pse zgjodhe pianon, e jo klarinetin?

Ideja e përzgjedhjes së pianos si instrument më erdhi nga filmi vizatimor “Tom & Jerry” (Macja dhe miu), ku në disa pjesë Tom-i luante në piano dhe si fëmijë kjo më dukej interesante, por në atë kohë se kam menduar se piano do të më bëhet pjesë e përditshmërisë sime. Kjo erdhi shumë natyrshëm.

cats

Kolos Curri dhe Dushko Demboski

Keni marrë një çmim para disa ditëve, për çfarë çmimi bëhet fjalë, ku dhe për çfarë e morët?

Po, më datën 30.11.2017 në Kavadar u mbajtën garat e teta ndërkombëtare të muzikës kamertale. Në këtë garë mora pjesë në kategorinë “Piano në katër duar” ku kam luajtur bashkë me kolegun tim Dushko Demboski, ku arritëm të marrim çmimin special të kategorisë tonë, pra 100 pikë. Në fund kemi performuar edhe në koncertin përfundimtar të garave ku u bë shpërndarja e diplomave dhe plaketeve. Falënderimi më i madh për këtë sukses shkon për profesoreshën tonë, Ana Gaceva.

Çfarë raporti ka Kolosi me koncertet?

Raportet me koncertet dhe festivalet në përgjithësi janë të mira pasi ne si instrumentalist ushtrojmë dhe përgatitemi që më pas të performojmë para publikut dhe ti përcjellim emocionet e muzikës që bëjmë drejt artdashësve. Kam marrë pjesë në disa koncerte dhe festivale të organizuara nga ana e fakultetit si dhe koncerte të organizuara nga vet studentët e klasës së pianos. Do të veçoja, Festivalin Ndërkombëtar të Artit “Dojrana” që u mbajt në Dojran më vitin 2016, i cili kishte karakter garues dhe unë u shpërbleva me çmimin e parë, si dhe koncertet në Veles dhe koncertin në Shën Sofje të Ohrit.

Çfarë të pëlqen në Shkup e çfarë nuk të pëlqen?

Shkupin e dua për shkak se kam lindur dhe vazhdoj të jetoj këtu. Do ta kisha veçuar Çarshinë e Shkupit si vendin që më pëlqen më së shumti, ndërsa rreth asaj se çfarë nuk më pëlqen është ajri i ndotur që vite me radhë është i pranishëm në Shkup.

Me siguri ke një model që të ndjek nga pas, cili është dhe na i thuaj tre cilësi të mira të tij?

Ndikimin më të madh në zhvillimin profesional normalisht se e kanë profesorët e mi, sidomos profesoresha e pianos gjatë shkollimit të mesëm, Edita Haxhihamza, si dhe profesoresha me të cilën punoj tash në fakultet, Ana Gaceva. Si shembull do ta kisha marrë pikërisht profesoreshën Ana Gaceva, pasi që së pari është një njeri shumë i mirë, shumë profesionale dhe e palodhshme me punën që e bënë për mua dhe studentët e tjerë.

A do t’ia kishe dedikuar të arriturat ndonjë individi?

Familja dhe profesoresha e zënë vendin e parë sa i përket përkrahjes që më bëjnë  dhe normalisht se sukseset e mia ua dedikoj atyre.

Kolos Curri

Kolos Curri

Çfarë është e keqe dhe e mirë te festivalet?

Anët pozitive të festivaleve dhe garave me karakter garues janë njoftimi dhe shoqërimi me pianist dhe instrumentalist të ndryshëm, për të parë veten se ku je në krahasim me të tjerët dhe normalisht se shpërblimi me ndonjë çmim. Sa i përket anës negative është stresi që e bëjmë para çdo performance, mendimet negative që sillen në kokë rreth asaj se çfarë do të ndodh nëse nuk marrë ndonjë çmim etj… Ndarja e çmimeve është në përgjithësi reale, e sidomos kur komisionet janë të formuara nga profesionistë, por ka raste edhe që bëhen lëshime rreth vlerësimeve.

Deri tash folëm për sukseset, por me dështimet çfarë marrëdhënie ke deri më sot dhe si ke arritur t’i tejkalosh?

Si të gjithë të tjerët edhe ne jemi njerëz dhe gabojmë. Ka pas raste ku në koncert kam pasur nota gabim ose gabim memorik dhe normalisht se pas asaj me profesoreshën kemi biseduar rreth atyre gabimeve dhe zgjidhjesh së tyre. Ndjenja nuk është e mirë në raste të tilla por duhet të marrësh veten për t’i tejkaluar dhe përmirësuar këto probleme.

Thonë se njerëzit që merren me art janë kryesish njerëz të qetë nga natyra, a bëhet nervoz Kolosi?

Kryesisht jam tip i buzëqeshur, ka momente ku bëhem shumë shpejt nervoz por edhe di ta kontrolloj veten. Nervozohem edhe gjatë ushtrimeve për ndonjë pjesë që e ushtroj dhe më pas nuk arrij ta luaj si duhet.

Me kë do të bashkëpunonte Kolosi?

Nëse do të kisha pasur mundësi të zgjedh prej atyre që më nuk janë në këtë botë do ta kisha zgjedhur pianistin Arthur Rubinstain, ndërsa mes pianistëve momental, e para që do të zgjedhja është pianistja e Gjeorgjisë, Khatia Buniatishvili. Sa i përket bashkëpunimeve me artistë shqiptarë, do të zgjedhja tenorin Ramë Lahaj si dhe violinistin Shkëlzen Doli.

Çfarë mund të presim nga Kolosi në të ardhmen?

Së pari të jemi shëndosh, t’i mbaroj studimet e më pas normalisht të vazhdoj me shkollimin. Nuk jam njeri që bëj plane afatgjate por shpresoj në ndonjë koncert bashkë me vëllain tim, Vigjilentin, kolegë e instrumentalistë të tjerë, ndonjë solo koncert dhe pse jo ndonjë koncert me Filarmoninë e Maqedonisë.

Tash do të shkojmë edhe te fotografitë, çfarë të kujtojnë çdo njëra prej tyre?

K

Kolos Curri: Në pjesën lartë, nga ana e majtë është vëllai im, Vigjilent Curri i cili i bie kitarës, kurse poshtë, me të bardhë jam unë, Kolos Curri, që i bie pianos. Kjo fotografi ndërlidhet edhe me synimin tim në të ardhmen. Është një koncert që kemi realizuar me vëllain tim, Vigjilent Currin i cili i bie kitares. Ka qenë një koncert që është mirëpritur shumë nga artistët dhe e kanë vlerësuar mirë. Uroj që edhe në të ardhmen të bëjmë edhe një tjetër, më cilësor dhe me prurje të reja, personale.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gara e parë1

Kolos Curri: Kjo fotografi më kujton pjesëmarrjen time të parë në garat shtetërore. Kanë qenë gara e 54-t shtetërore, ku unë duke marrë 96 pikë arrita të sigurojë çmimin e parë në ‘kategorinë B’.

cats

Kolos Curri: U mundova t’i ikë kësaj fotografie apo edhe faktit se unë jam pjesëtar i familjes Curri apo grupit muzikor “Vëllezërit Curri”. Jam biri i njërit nga pjesëtarit të këtij grupi, Naser Curri. Këtu jemi në një emision te Radio Televizioni i Maqedonisë. Siç mund të shihet nga fotografia, të pranishëm në këtë emision ishin, nga e majta, violinisti Mentor Sulejmani, me dajre në duar është babai im, Naser Curri, pas tij vjen djali i axhës, Veton Curri me klarinet, pastaj babai Vetonit, Nehat Curri poashtu me klarinet. Pas axhës Nehat jam unë, me sintitizator, pastaj vjen Niazi Curri me harmonikë, pas tij me kitarë është Driton Sulejmani dhe në fund, jo pak i rëndësishëm, është axha Nexhat Kumnova që në grupin muzikor Curri ka rolin e solistit. Kjo fotografi është edhe një e dhënë se unë jam rritur kryesish në një rreth muzikantësh, me muzikë të vjetër qytetare. Prezenca ime në këtë foto  apo grup artisësh ka hapur, nxitur dhe lehtësuar rrugëtimin tim muzikor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP