ANALIZË: Si ka punuar Drejtoria doganore – çka zbuluan revizorët?

Si ka punuar Drejtoria doganore në vitin 2016, si e ka realizuar regjistrimin e inventarit, si ka menaxhuar me donacionet, çka ka ndodhur me armët dhe me veturat që kanë qenë në dispozicion të të punësuarve, cila është gjendja e magazinave ku ruhen mallrat e konfiskuar? E gjithë gjendja është përfshirë në tre raporte të revizionit, dy për buxhetin themelor dhe një raport me të cilin është përfshirë llogaria për aktivitetet vet-financuese, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Me revizionin e raporteve financiare (llogaria e buxhetit themelor) në vitin 2016, revizori konstatoi disa paqartësi: dobësi në kryerjen e regjistrimit të mjeteve, gjegjësisht, siç thuhet në raport, “ai nuk është realizuar në tërësi në përputhje me rregullativën ligjore”, nuk është krijuar evidencë financiare e rezervave, nuk është bërë evidentimi i obligimeve për periudhën për të cilën vlejnë ato. Raportet financiare që i nënshtrohen revizionit, janë përgjegjësi e udhëheqësisë së Drejtorisë doganore, gjegjësisht të personit përgjegjës, Natasha Radeska – Kërstevska, drejtore prej 22.01.2014.

Regjistrimi i inventarit – lëshime dhe joharnomizim me ligjet…

Me kontrollimin e bërë të materialit për regjistrimin e inventarit, si dhe të Raportit për regjistrimin e kryer të inventarit në vitin 2016, revizorët shtetërorë kanë zbuluar një sërë dobësish dhe paqartësish.

“Një pjesë e mjeteve kanë bar-kod të dëmtuar ose nuk kanë fare bar-kod dhe nuk janë regjistruar në listat e veçanta për regjistrim të inventarit. Nuk është bërë harmonizimi i plotë i gjendjes faktike të mjeteve dhe i burimeve të tyre, që është konstatuar me regjistrimin e 31 dhjetorit, gjë që nuk është në përputhje me Ligjin për kontabilitet të buxheteve. Është bërë regjistrimi i tokës dhe i objekteve pa të dhëna për lokacionet se ku gjenden ato dhe nuk është bërë harmonizimi i të dhënave nga librat afariste me fletat e pronësisë dhe fletat e posedimit” – thuhet në raportin e revizorëve, njofton Portalb.mk.

Probleme janë konstatuar edhe me regjistrimin e veturave zyrtare dhe me municionin me të cilin disponojnë të punësuarit.

“Është bërë regjistrimi i automjeteve, pa të dhëna për lokacionet se ku gjenden ato. Veturat të cilat në ditën e regjistrimi kanë qenë te subjektet e tjera nuk janë evidentuar në listë të veçantë për regjistrim të inventarit. Nuk është bërë regjistrim i rezervave të municionit, si dhe i municionit me të cilin disponon çdo punëtor të cilit i është dhënë municion, më 31.12 dhe për të nuk është krijuar evidencë financiare. Poashtu, nuk është bërë harmonizimi i të dhënave nga regjistrimi i armëve me të dhënat e njësisë organizative që ka qenë e obliguar të menaxhojë me magazinën e armëve dhe të municionit” – thekson revizori shtetëror.

Padi për doganën, gjendja në magazine…

Në konstatimet nga raporti thuhet se Drejtoria doganore paraqitet edhe si palë e paditur para gjykatave kompetente për një shumë prej pothuajse 800.000 eurosh.

“Dëshirojmë të potencojmë se Drejtoria doganore është palë e paditur për lëndë gjyqësore nga të cilat do të dalin obligime të ardhshme financiare për buxhetin e Drejtorisë doganore në vlerë të përgjithshme prej 48.075.000 denarë deri në 31.12.2016, me projektim për realizimin e tyre për dy arsye, edhe atë: për rroga të papaguara nga kontestet për punë, në vlerë të përgjithshme prej 13.743.000 denarë dhe për dëm në procedurat qytetare-kontestimore, në vlerë të përgjithshme prej 34.332.000 denarësh” – thekson burimi.

Dogana ka informuar se disponon me një sasi të madhe të mallrave të konfiskuara, të cilat ruhen në përputhje me ligjet. Mallrat e konfiskuara janë të vendosura në 43 depo doganore në kuadër të filialeve doganore të pesë doganave Shkup, Gjevgjeli, Manastir, Kumanovë dhe Shtip.

“Gjendja në hapësirat e depove në filialet doganore dhe në depot publike doganore nuk është e mirë për shkak se të gjitha hapësirat doganore janë përplot me mallra nga më të ndryshmet për shkak të moslargimit të mallrave me vite të tëra, e njëkohësisht në depo vendosen edhe mallrat e reja që konfiskohen.

Si është arkëtuar kompensimi për pullat kontrolluese…

Me revizionin e llogarisë së buxhetit themelor 631, në mes tjerash potencohen edhe paqartësi në lidhje me përcaktimin e lartësisë së kompensimit që e paguajnë firmat për pullat kontrolluese, njofton Portalb.mk. Në fakt, Drejtoria doganore, në përputhje me ligjet, është kompetente për dhënien e lejeve për akciza, vërtetimeve për akciza dhe pullave kontrolluese.

“Në bazë të Ligjit për akciza, shpenzimet për shtypjen dhe ruajtjen e pullave kontrolluese i përcakton Drejtoria doganore me vendim të posaçëm dhe ato i paguan poseduesi i lejes së akcizës ose importuesi, me çmim prej 0,18 denarësh për copë, ndërsa për alkool 0,48 denarë për copë. Me revizionin konstatuam se nuk është sjellë akt për mënyrën e përcaktimit të lartësisë së kompensimit për copë të pullës kontrolluese që paguhet” – thuhet në raportin e revizionit me vërejtje se kjo gjendje është trashëguar prej vitit 2010, kur arkëtimi i akcizës ka qenë në kompetencë të DHP-së.

Përgjigja e Drejtorisë doganore…

Në lidhje me raportet e revizionit është përgjigjur Drejtoria doganore, me ç’rast ka theksuar se është bërë shënimi i armëve me numra të inventarit, është formuar Komisioni për përcaktimin e vlerës së saldos themelore që është përfituar si donacion pa vlerë të përcaktuar, etj.

Një pjesë e këtyre përgjigjeve janë pranuar, ndërsa një pjesë prej tyre revizori i konsideron si njoftim, me ç’rast përsëri rekomandon që të tejkalohen dobësitë.

Revizioni i efikasitetit dhe i efektivitetit të sistemit për kontroll dhe udhëheqje financiare në Drejtorinë doganore është bërë edhe në vitin 2014, me ç’rast është përgatitur raport ku është konstatuar se sistemi i kontrollit dhe i udhëheqjes financiare është vendosur në nivel të kënaqshëm, dhe mundëson funksionim dhe zhvillim, mirëpo ka nevojë për vazhdimin e aktiviteteve për përmirësimin e efikasitetit të tij. Revizori konstaton se nga dy rekomandimet e dhëna në raportin e vitit 2014, është realizuar njëri.

One thought on “ANALIZË: Si ka punuar Drejtoria doganore – çka zbuluan revizorët?

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP