U harrua skandali me Johan Tarçullovskin, Saliji dhe Qeveria edhe më tej pa detaje

Skandali me ish-dënuarin e Tribunalit të Hagës, Johan Tarçullovski edhe pse ka dy muaj që doli në publik, deri më sot nuk ka ndonjë informatë shtesë në lidhje me atë që u paralajmërua nga Qeveria e Maqedonisë “se kanë nisur procedurë për zbardhjen dhe gjetjen e arsyes së dhënies së 5000 eurove në vitin 2011”. Kështu kuptohet nga deklarata e ministrit të Drejtësisë, Bilen Saliji dhe nga zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski, duke u përgjigjur në pyetjen e Portalb.mk se “deri ku ka arritur procedura e zbardhjes së skandalit me Johan Tarçullovskin”.

Ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji në takim me gazetarët sot tha se nuk ka informata se është hapur ndonjë procedurë për zbardhjen e plotë të skandalit.

“Nuk kam informata se është nisur ndonjë procedurë për zbardhjen e plotë të rastit në fjalë. Është mirë që këtë çështje ta drejtoni te Qeveria e Maqedonisë”, tha Saliji.

Nga Qeveria e Maqedonisë thanë se janë duke u mbledhur të dhëna.

“Ende po mblidhen të dhëna”, thanë nga Qeveria e Maqedonisë.

Pëndryshe, më 18 tetor mediat publikuan dokumentin që tregoi se gjatë vitit 2011, me vendim të Qeverisë së Maqedonisë, nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë janë ndarë nga 5000 euro në muaj për ish të dënuarin e Tribunalit të Hagës, Johan Tarçullovski, apo në total 60 mijë euro në vit. Skandali shkoi duke u thelluar, pasi që bashkëshortja e Tarçullovskit, Sonja Tarçullovska përmes një letre të hapur e ka pranuar se qeveria VMRO-BDI i ka dhënë nga 5.000 euro në muaj dhe se këto para janë marrë për 8 vjet radhazi.

Në lidhje me këtë rast, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski e konfirmoi autenticitetin e këtij dokumenti duke thënë se po punohet për zbardhjen e plotë të rastit.

Ndryshe, Johan Tarçullovski, kandidati për kryetar komune në Kisella Vodë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, ishte i dënuar për krime lufte, në prill të 2014-s u lirua nga burgu në Gjermani, pasi ka përfunduar 2/3 e burgut që ka qenë kusht për lirimin e tij të parakohshëm ndërsa ka vuajtur dënimin për masakrën e Lubotenit në vitin 2001 ku ishin vrarë shtatë civilë shqiptarë. Ai u burgos më 15 mars të vitit 2005 dhe nga 12 vitet burg të caktuara nga Gjykata e Hagës ai vuajti 8 vite.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button