OEMVP shpall 100 kompanitë më të mira shqiptare

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sot shpalli kompanitë më të suksesshme shqiptare në Maqedoni. Ky projekt realizohet për herë të shtatë dhe bën përzgjedhjen e kompanive më të fuqishme që gjatë vitit të kaluar kanë realizuar sukses në bazë të katër kategorive kryesore, siç janë: qarkullimi i përgjithshëm vjetor, fitimi neto, numri i të punësuarve dhe investimet.

Drilon Iseni, Drejtori Ekzekutiv i OEMVP-së prezantoi qarkullimin vjetor të kompanive në pesë vitet paraprake duke theksuar që ka një rritje prej 35.77%, kurse sa i përket neto fitimit, edhe pse ka rritje prej 41.43% nga viti 2012, si vit më i suksesshëm mund të llogaritet viti 2016 me fitim prej rreth 43 milion euro.  Me gjithësej 5,256 persona të punësuar në kompanitë që përbëjnë TOP 100 deri në fund të vitit 2016 është shënuar një rritje prej 31.73% krahasuar me pesë vitet e fundit.

Kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha përgëzoi kompanitë për sukseset e arritura dhe potencoi nevojën për mbështetje të kompanive. Ai tha se ekonomia e vendit kaloi në një periudhë të vështirë për shkak të krizës politike ku kompanitë ishin më të goditura, andaj tha se ka ardhur koha që qeveria të fokusohet për të kthyer ekonominë në agjendën kryesore të saj.

“Neve na duhet një qasje e re për nevojat dhe kërkesat e komunitetit të biznesit në interes të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik për të rindërtuar infrastrukturën e Maqedonisë, për të mbrojtur pronësinë intelektuale, për të revitalizuar tregjet e kapitalit dhe për të mbrojtur ligjin, taksën, arsimin dhe reformën e së drejtës”- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.

Kryeministri Zoran Zaev porositi se Qeveria është e hapur për dialog me bizneset dhe se biznesmenët mund të konsiderojnë atë si partner dinjitoz dhe servis i cili derisa ekziston, do t’u shërbejë. Si pjesë e përgjegjësisë shoqërore, kompanitë duhet të konsiderojnë në punën ligjore me pagesë të ndryshme të të gjitha obligimeve ndaj shtetit, derisa politikat qeveritare duhet të përqëndrohen dhe të dalin nga dialogu i vazhdueshëm i hapur me biznes bashkësinë për krijimin e kushteve për rritje të mëtejshme dhe zhvillim dhe përballim sa më të suksesshëm të sfidave me të cilat ballafaqohet në terren.

“Kompanitë duhet që të angazhohen për pagesa të ndershme për të gjitha obligimet ndaj shtetit, ndërsa politikat qeverisëse duhet që të fokusohen dhe të dalin nga dialogu i hapur me komunitetin e biznesit për krijimin e kushteve për rritje dhe zhvillim të mëtejshëm” – u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.

Kompania që këtë vit morri çmimin e parë për sukseset e arritura gjatë vitit të kaluar dhe u shpall kompania më e suksesshme për vitin 2016 është kompania KIPPER.

Si kompani e dytë më e suksesshme u shpall DAUTI KOMERC dhe në vendin e tretë u rradhit kompania NEPTUN. Kompania BAS TUTI FRUTI këtë vit u rradhit si kompania e katërt më e suksesshme në Maqedoni, kurse çmimin e pestë e morri kompania ALMA M nga Shkupi.

Këtë vit, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore gjatë manifestimit ndau çmime edhe në tre kategori të reja: për kompaninë me rritje më të shpejtë GEGA nga Struga, kompaninë më likuide SBV KOMPANI nga Shkupi dhe kompaninë me investime më të mëdha ERJONI nga Tetova.

OEMVP synon të bëjë promovim të mëtejshëm të këtyre kompanive në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar, si kompani potenciale për investime, lidhje të reja në fushën e tregtisë së brendshme, rajonale dhe ndërkombëtare, kompani që kanë mundësi të krijojnë vende të reja pune, kompani me përgjegjësi koorporative, kompani që kanë ndikim në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Në këtë manifestim prezent ishin edhe kryetari i Kuvendit të RM-së Talat Xhaferi, zv. kryeministri Koço Angjushev, ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi,  ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor Sadulla Duraki, kryetarët e partive politike Ali Ahmeti dhe Bilall Kasami, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe bizneseve, e tjerë.

Sponzori gjeneral i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe manifestimit TOP është UNIQA, Kompania QUANTUM, Sponzor i artë Makedonski Telekom AD, Sponzor i argjendë  kompania e sigurimeve Eurosig, EVN dhe marketi Kipper, dhe sponsor bronze Halk Banka, Stopanska Banka, operatori VIP ONE dhe kompania Likuki Home – Pellagonka.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button