UT e shënoi Ditën ndërkombëtare kundër dhunës në familje

Me rastin e 25 nëntorit, Ditës ndërkombëtare kundër dhunës në familje, Klubi i Sociologëve ,,Fehmi Agani”, i themeluar nga studentët e programit studimor të Sociologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Asociacionin për afirmimin e Gruas, organizuan debat me temë: ,,Ndal dhunës kundër gruas”.

Dekani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës, Ibish Kadriu, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë debat tha se, sot devijimet sociale janë të shumta dhe shoqëria duhet të sensibilizohet në lidhje me këto fenomene. Sipas tij, tema që sot trajtohet në këtë debat është shumë aktuale, jo vetëm në vendin tonë por edhe në rajon. Ai u bëri thirrje studentëve që edhe në të ardhmen të vazhdojnë me aktivitete të kësaj natyre, ngase vetëm kështu do të arrihet efekti i duhur në shoqëri.

Profesori Afrim Osmani, duke iu referuar temës në aspektin juridik, tha se si instrumenti më i mirë ligjor në luftën kundër dhunës në familje dhe të gjitha formave të tjera të dhunës mbi  baza gjinore është e njohur Konventa e Stambollit, e cila është miratuar nga Këshilli i Evropës, më 7 prill të vitit 2011, e cila u hap për nënshkrime me 11 maj të vitit 2011 dhe hyri në fuqi më 1 gusht të vitit 2014.

,,Kjo konventë është me rëndësi bazike për mbrojtjen e grave dhe të drejtave të tyre, për arsye se e njëjta na referon në atë se dhuna ndaj grave ka bazë gjinore, respektivisht, dhuna ushtrohet ndaj grave për shkak se viktimë janë gratë. Ndër shtetet të cilat e kanë nënshkruar, por ende nuk e kanë ratifikuar ende këtë konventë është edhe Republika e Maqedonisë, e cila këtë konventë e ka firmosur më 8 korrik 2011”, tha Afrim Osmani.

Ndërsa profesoresha Elisabeta Bajrami – Ollogu, tha se në aspektin social në Maqedoni është treguar se dhuna në familje është një çështje mjaftë komplekse, ku të dy autorët dhe të mbijetuarit kanë tendencë të kenë nevoja të shumta që duhet të adresohen. Legjislacioni është përpjekur të përmbushë nevojat e njerëzve me zgjedhje të ndryshme jetësore.

,,Në vitin 2004, nën presionin e organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian, Maqedonia e ndryshoi Ligjin e saj për familjen, Ligjin për mbrojtjen sociale dhe Kodin Penal, për të adresuar në mënyrë specifike dhunën në familje. Ligji mbi familjen i përcakton procedurat për lëshimin e urdhrave mbrojtës dhe kërkon që viktimat e dhunës në familje të sigurohen me shërbime shëndetësore dhe këshillimore psikologjike, strehim dhe ndihmë juridike. Maqedonia përditësoi ligjin në vitin 2006 për të sqaruar përgjegjësitë e institucioneve të ndryshme shtetërore të ngarkuara për zbatimin e ligjeve të vendit kundër dhunës në familje, përfshirë trajtimin e masave mbrojtëse civile. Amendamentet e vitit 2006 sqaruan se Qendrat shtetërore për punë sociale janë ,,përgjegjëse për paraqitjen e kërkesës në gjykatë për të filluar procedurat për shqiptimin e masave të përkohshme të mbrojtjes nga dhuna në familje, me detyrimin për paraqitjen e detyrueshme të kërkesës në gjykatë për të miturit dhe personat e paaftë”, tha Elisabeta Bajrami – Ollogu.

Studentja e sociologjisë, Mevlana Vinca tha se dhuna ndaj gruas, si fenomen shqetësues vazhdon të jetë aktual në çdo hapësirë të vendit. ,,Jam e bindur se për të gjithë ne dhuna ndaj gruas është një problem shqetësues.

Ne si studentë, por edhe si sociologë të ardhshëm e kemi për obligim dhe detyrim qytetar të gjejmë shkaqet dhe pasojat e këtij fenomeni dhe të ofrojmë zgjidhje më të mira të mundshme”, tha studentja Mevlana Vinca.

Po ashtu, në këtë debat u tha se për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, duhet të kontribuojnë të gjitha institucionet dhe se sa më shumë të sensibilizohet opinioni rreth kësaj dukurie negative.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button