Këshilli i Etikës konstaton se RTVM 2 ka vjedhur tekstin e Portalb-it

RTVM 2 ka marrë tekst prej Portalb.mk duke mos e cituar burimin dhe me këtë e ka shkelur nenin 12 të Kodit të Gazetarëve – ky është vendimi i Komisionit për Ankesa në Këshillin për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM), pas ankesës së redaksisë së Portalbit.

Kronikën me titullin origjinal të Portalb “Tetovë, ISHP: Nuk është i ndaluar përdorimi i ujit të pijshëm, por nuk ua rekomandojmë”, RTVM 2 e ka përvetësuar dhe të njëjtën e ka publikuar në ueb-portalin e tyre dhe njëkohësisht e ka bërë lajm kryesor të edicionit të lajmeve në orën 18:30, duke mos e theksuar burimin e informatës.

Komisioni për Ankesa ka vërtetuar se në tekstin kontestues ka elemente të plagjiaturës. Anëtarët e Komisionit kanë konstatuar se në dy paragrafe të tekstit të Portalb-it, në të cilën transmetohet qëndrimi i të punësuarit në Institutit për Shëndet Publik, RTVM 2 plotësisht e ka marrë, duke mos e theksuar burimin e informatës. Ajo veçmas është e dukshme nëse bëhet krahasim në paragrafin e mëposhtëm, të publikuar në tekstin e “Portalbi-it” dhe në tekstin kontestues të RTVM 2:

Portalb – “Ka shije të re, nuk ka erë. Prej dje jemi të njoftuar dhe i kemi bërë analizat fillestare. Sipas tyre, uji i pijshëm në Tetovë është në korniza të normales. Nesër do t’i publikojmë rezultatet e dyta, ndërkaq Instituti për Shëndet Publik në Shkup po bën analizë të zgjeruar për rastin në fjalë. Ka shije jo të zakonshme dhe për atë nuk kemi bazë që të themi se e ndalojmë për përdorim, por nuk e rekomandojmë të përdoret derisa të dalin edhe rezultatet prej analizës së zgjeruar, të cilën presim ta marrim të enjten”, thotë për Portalb.mk, dr. Ratko Davidovski, nga Instituti për Shëndet Publik.

RTVM 2 – “Ka shije të re, nuk ka erë. Prej dje jemi të njoftuar dhe i kemi bërë analizat fillestare. Sipas tyre, uji i pijshëm në Tetovë është në korniza të normales. Nesër do t’i publikojmë rezultatet e dyta, ndërkaq Instituti për Shëndet Publik në Shkup po bën analizë të zgjeruar për rastin në fjalë. Ka shije jo të zakonshme dhe për atë nuk kemi bazë që të themi se e ndalojmë për përdorim, por nuk e rekomandojmë të përdoret derisa të dalin edhe rezultatet prej analizës së zgjeruar, të cilën presim ta marrim të enjten”,- thonë nga Instituti për Shëndet Publik.

Komisioni ka konstatuar se në tekstin kontestues RTVM 2 e ka shkelur nenin 12 të Kodit të Gazetarëve të Maqedonisë, në të cilën thuhet se plagjiatura është e papranueshme dhe se citatet nuk guxojnë të shfrytëzohen pa e theksuar burimin ose autorin. Në paragrafin 2 të të njëjtit nen, thuhet se nëse informata është e marrë ose e perifrazuar nga tjetër medium, vepra autoriale ose hulumtimi, burimi patjetër duhet të theksohet.

Këshilli për Ankesa në KEMM ka kontaktuar me RTVM 2, të cilët kanë thënë se “ankesa e parashtruar është e pabazuar dhe se kronika kontestuese nuk i shkel të drejtat autoriale”. Megjithatë, Komisioni për Ankesa vendosi se ankesa është e bazuar.

Me këtë RTVM 2 obligohet që në Radio Televizionin e Maqedonisë 2, në pajtueshmëri me nenin 18 të Rregullores  për punë të Komisionit për Ankesa, ta publikojë vendimin gjë që e ka bërë në këtë link:  http://al.mrt.com.mk/node/49686  dhe nëse vini re mirë – e njëjta sërish është KOPJUAR nga PORTALB, pasi që KEMM nuk ka dërguar kumtesë në shqip!

Në Punën e Komisionit kanë marrë pjesë, anëtarët Mirçe Adamçevski, Sefer Tahiri, Teofil Bllazhevski, Goce Gerasimovski, Filip Gjurçinovski dhe Bekim Ajdini.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, Shërbimi Publik RTVM, ka gjithsej 852 të punësuar prej të cilëve 500 në televizion, 213 në radio dhe 130 në shërbime të përbashkëta. Portalb.mk u rekomandon kolegëve të RTVM 2, që të sillen sipas rregullave gazetareske, gjegjësisht Kodit Etik, që temat t’i punojnë vet, duke mos e shkelur mundin e gazetarëve tjerë.

Vendimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button