UNICEF-i paralajmëron për Gutën Lindore

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), paralajmëron se niveli i ushqimit të pamjaftueshëm te fëmijët të cilët jetojnë në Gutën Lindore, i cili ndodhet në kryeqytetin e Sirisë, Damask dhe është nën rrethimin e regjimit të Bashar al Asadit, arriti nivelin më të lartë që nga fillimi i luftës civile, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga UNICEF thuhet se në Gutën Lindore, ku po vazhdojnë sulmet intensive të regjimit, nuk po arrihet qasja për ndihmat humanitare dhe njoftohet se çmimet e ushqimit janë rritur në nivel rekord.

Duke vënë në dukje se rreth 400 mijë civilë janë “bllokuar” për shkak të rrethimit të regjimit, i cili filloi në mesin e vitit 2013, në deklaratë theksohet se gjysma e këtyre civilëve përbëhen nga fëmijët.

Gjithashtu thuhet se është konstatuar se niveli i ushqimit të pamjaftueshëm te fëmijët nën moshën 5 vjeçare ka arritur në 11,9 për qind dhe se ky është niveli më i lartë që nga fillimi i luftës së brendshme në këtë vend.

Bëhet e ditur se çmimi i bukës në Gutën Lindore është 85 fish më i lartë se ai në Damask, i cili është 15 kilometra larg prej Gutës Lindore.

Në deklaratë përfshihen edhe deklaratat e drejtorit të UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Rajonin e Afrikës Veriore, Geert Cappelaere, i cili është shprehur se “Fëmijët në Gutën Lindore po jetojnë në kushte tejet të vështira. Rrethimi duhet të largohet tani në mënyrë që të sigurohen ndihmat të cilat shpëtojnë jetë dhe për të cilat fëmijët kanë nevojë ”.

Në kuadër të marrëveshjeve në Astana, Guta Lindore, e cila ndodhet për 5 vite nën rrethim, ishte shpallur si një nga “zonat jokonfliktuale” dhe më 22 korrik kishte hyrë në fuqi armëpushimi. Përkundër armëpushimit regjimi i Asadit vazhdon sulmet në qarqet dhe qytezat në rajonin e Gutës Lindore.

Përfaqësuesi Special i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Sirinë, Staffan de Mistura, dje ishte shprehur se regjimi e ka pranuar propozimin e Rusisë për armëpushim në Gutën Lindore. Ende pa kaluar një ditë nga armëpushimi, i cili u shpall ditën e djeshme në Gutën Lindore të Sirisë teksa filluan bisedimet në Gjenevë, është shkelur nga sulmet me artileri dhe mortaja të ndërmarrë nga regjimi i Bashar al Asadit në Siri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button