Studentët e UT-së debatuan për Ligjin e ri për arsimin e lartë në Maqedoni

Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës në bashkëpunim me “Demokracy Lab” dhe USAID, sot organizoi debat kushtuar Ligjit për arsimin e lartë në Republikën e Maqedonisë, Listën e Shangait, përfshirë këtu efektet, avantazhet dhe disavantazhet e kësaj liste.

Koordinatori i ECTS-së në Universitetin e Tetovës, Doc. Dr. Kushtrim Ahmeti tha se kjo iniciativë e studentëve është për tu përshëndetur, dhe se në Ligjin për arsimin e lartë duhet të jenë të kyçur studentët bashkë me komunitetin akademik. “Sot, bashkë me studentët diskutuam lidhur me mundësitë të cilat dalin nga analizat që janë aktuale në shumë vende evropiane, si dhe për risitë të cilat i sjell sistemi i Bolonjës, që ne si nënshkrues duhet t’i zbatojmë. Në mënyrë të drejtpërdrejtë do të merremi me analizën e pasojave që i ka sjell Ligji për arsimin e lartë, në veçanti komponenti I cila flet për rangimin e universiteteve. Studentët diskutuan edhe për përvojat të cilat janë shumë pozitive në vendet tjera, me mundësi që të njëjtat të inkorporohen në ndryshimet e ardhshme ligjore, të cilat do të parashihen. Është një iniciativë shumë domethënëse e studenteve që edhe ne si komunitet akademik do të kyçemi në këtë proces dhe kjo është për t’u përshëndetur”, tha Doc. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Kryetarja e Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, Donika Kamberi tha se ky debat ka për qëllim edhe kyçjen e studentëve në ndryshimet e Ligjit për arsimin sipëror. “Parlamenti studentor, së bashku me Demokracy Lab dhe me financim të USAID-it, po realizon një projekt për ndërgjegjësim të popullatës dhe shoqërisë mbi Ligjin për arsimin e lartë dhe Listën e Shangait, konkretisht rangimin e universiteteve. Ne mendojmë që rangimi dhe Ligji për arsimin e lartë, si dhe temat të cilat trajtohen aty, janë gjithmonë koherente dhe të diskutueshme derisa nuk justifikon asgjë tjetër përveç ndryshimit. Me këtë plenum studentor, jo rastësisht e organizuam këtë panel diskutimi, me të vetmin qëllim që t’i paraprijmë sjelljes së Ligjit për arsimin e lartë, pasi është në fazë diskutimi”, theksoi Donika Kamberi, Kryetare e Parlamentit Studentor të UT-së.

Në këtë debat të pranishëm ishin edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, profesorë dhe studentë të Universitetit tonë, ndërsa studentët parashtruan edhe disa pyetje për studentët panelistë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button