Londra dhe BE-ja arritën marrëveshje për çmimin për Brekzit

 Negociuesit britanikë dhe evropianë arritën marrëveshje për atë se sa Britania e Madhe duhet t’i paguajë BE-së për largim nga Unioni, ndërkaq shuma do të jetë mes 45 dhe 55 miliardë euro, kumtoi Bi-Bi-Si.

Dy burime konfirmuan se të dyja palët arritën marrëveshje rreth shifrës nga fundi i javës së kaluar.

Sa duhet të paguajë Britania e Madhe për largim nga Unioni, është një ndër problemet kryesore në negociatat për Brekzitin mes dy palëve. “Telegraf” thekson se shuma përfundimtare do të jetë mes 45 dhe 66 miliardë euro, varësisht nga llogaria që do të jepet nga palët në bazë të “metodologjisë së përbashkët të zbatuar”.

Deri më tani Britania ofronte rreth 20 miliardë euro, përderisa BE-ja vlerësonte se llogaria duhet të jetë mes 50 dhe 60 miliardë euro. BE dhe Ministria britanike për Brekzit nuk konfirmuan se është arritur marrëveshje.

Marrëveshjet mes dy palëve filluan në qershor, ndërsa sipas rregullave të Unionit, duhet të përfundojnë deri në prill të vitit 2019.

Brukseli kërkon të realizohet “përparim i mjaftueshëm” rreth tre çështjeve: të drejtat e evropianëve të cilët jetojnë në Britani të Madhe pas Brekzitit, pasojat nga ndarja e kufirit mes Irlandës dhe Irlandës Veriore dhe shlyerja e llogarive me Londrën.

Në Samitin më 14 dhe 15 dhjetor, 27 krerët në Bruksel do të deklarohen nëse dakordohen të fillojë faza e dytë e negociatave, nëse është realizuar përparim i mjaftueshëm rreth këtyre tre çështjeve.

Kryetari i Këshillit të Evropës, Donald Tusk dhe kryeministrja britanike, Tereza Mej duhet të takohen më 4 dhjetor për shkak të vlerësimit të përparimit të negociatave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button