GJENERALI I KRIMEVE

Vetëm pak minuta para se t’i shqiptohej dënimi i përjetshëm, gjenerali kërkoi të shkonte në tualet. Gjenerali i krimeve çnjerëzore shpesh fëlliqej. Ai quhet Ratko Mlladiq, i njohur si kasapi i Srebrenicës. Në moshë të re ëndërronte të bëhej mësues ose kirurg, por për fatin e keq të njerëzimit ai u bë ushtarak. Lufta në Bosnjë e bëri të rëndësishëm dhe do të mbahet mend si kriminel gjakftohtë, pa brerje ndërgjegjeje.

Pas përfundimit të luftës gjenerali i krimeve shëtiste lirshëm nëpër Beograd dhe mbrohej nga shteti serb. Kur filloi të fshihej u solli fatkeqësi atyre që e vërenin rastësisht. Dy ushtarakë përfunduan në varr.

Ai kishte premtuar se nuk do të dorëzohej, madje edhe se do të vetëvritej. Por gjenerali i krimeve nuk pati guxim t’ia shkrepte vetes. Brenda atij që mburret për trimëri përherë fshihet një qyqar. Serbia e arrestoi kur kjo i duhej. Gjenerali i krimeve ishte limon i shtrydhur. U arrestua në një katund të Zrenjaninit më 26 maj 2011.

Ditën kur duhej të dërgohej në Hagë, gjeneralit të krimeve iu lejua të shkonte në Topçider, te varri i bijës së vetëvrarë me koburen e tij. I çoi lule dhe i dha lamtumirën e fundit. Vdekja e së bijës, thonë se e kishte tronditur edhe më shumë bishën. Thonë se e bija ishte vetëvrarë kur kishte mësuar për krimet e të atit. Në sytë e së bijës ai mund të kishte qenë një hero. Por heroi i saj ishte veçse një kriminel. Ana Mlladiq, megjithatë, kishte një varr, ku mund t’i çonin lule. Shumë prindër fatkeq ende i kërkojnë eshtrat e të dashurve të tyre, të vrarë nga forcat e gjeneralit të krimeve, dënimi i të cilit nuk e gëzoi Kelima Dautoviqin, një e mbijetuar në kampin e Trnopoles, që humbi familjen në luftën e Bosnjës. Ajo mbetet e zhgënjyer, sepse gjatë dënimit të kriminelëve të luftës nuk flitet për gjenocid, por vetëm për krime kundër njerëzimit.

“Besoj se historianët do ta bëjnë punën më mirë se sa gjykatësit”, ka thënë ajo.

Mlladiqit nuk i kanë bërë përshtypje dhimbjet e nënave të Srebrenicës. As gjatë gjykimit nuk shfaqi shenja pendese për viktimat. Për shumicën e serbëve ai vazhdon të jetë një hero. E gjenerali i vdekjes të vetmet “fitore” i shënoi vetëm kundër civilëve të pambrojtur.

Dënimin e tij e kundërshtuan vetëm ata që, po t’u jepej mundësia, do të vepronin sikurse gjenerali i krimeve. Rusia qe e para. Nuk mungoi reagimi i priftërinjve serbë, djajve që thirren në Krisht. Një historian malazez argumenton se shenjtorët serbe ishin vrasës, xhelatë, kasapë e psikopatë, kurse një kishë me kësi shenjtorësh, thotë ai, do t’i mbrojë vrasësit, xhelatët, kasapët dhe psikopatët. Gjithsesi, kundër dënimit të kasapit të Srebrenicës ishin edhe zyrtarë të lartë politikë serbë. E kaluara vazhdon të mbetet e tashmja e politikës serbe.

Krimet e (para)ushtrive serbe ishin frymëzuar nga shkrimtarët dhe intelektualët, me të cilët nuk është marrë Gjykata e Hagës. Diçka që e kishin kërkuar shkrimtarët disidentë, që njihen edhe si “vertikalja morale e Ballkanit”. Kjo gjykatë merret me ekzekutuesit, por jo edhe me frymëzuesit. Historia njeh shumë raste kur diktatorët kishin shkrimtarët e tyre. Në Serbi shkrimtarët i kanë pasur diktatorët e tyre.

Gjenerali i krimeve luftoi për një botë të “sakralizuar” nga shkrimtarët, historianët dhe intelektualët serbë.

Sipas Mirçea Eliades për njeriun religjioz bota bëhet e tij vetëm kur sakralizohet. Elita serbe e krijoi vetëdijen mitike te serbët dhe e “sakralizoi” Bosnjën dhe veçanërisht Kosovën, që ta bënte botë të tyre. Epika kosovare ishte krijuar disa shekuj pasi kishte ndodhur beteja e mbështjellë me mjegull dhe mister. Breza të tërë u rritën me këtë epikë. Vendet që synonte t’i pushtonte Serbia i “sakralizonte”. Historia nga serbët është përdorur për qëllime histerie ose amnezie. Kështu janë arritur qëllime politike dhe nacionaliste. Dhe pastaj janë gjetur ekzekutuesit. Mlladiqi ishte njëri prej tyre. Pasi Serbia nuk është çliruar prej frymëzuesve, ajo do t’i adhurojë ata me të cilën do të duhej të turpërohej.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button