Drama e parë shqipe tronditi regjimin monarkist

Pas ardhjes së Hamit Shijakut në Tetovë, një atdhetar i shquar nga Shqipëria, në prill të vitit 1939, kur italianët okupojnë Shqipërinë, nën përkujdesjen e organizatës ilegale kombëtare “Besa” të Tetovës, fillon përgatitja e dramës “Të burgosurit”. Përfaqësuesi i “Besës”, Idriz Ibrahim-Cërcëri bën një marrëveshje me avokatin Kadri Saliu nga Gostivari, që të marrë në  “mbrojtje” anëtarët e grupit të dramës të organizatës ilegale “Besa”, po qe se shteti, policia dhe strukturat e tjera bëjnë ndonjë represion ose i burgosin aktorët e shfaqjes, ky avokat i njohur të marrë përsipër mbrojtjen, duke angazhuar edhe dy avokatë të tjerë prej Shkupi. Pas këtyre parapërgatitjeve, organizata “Besa” jep “sinjalin e gjelbër” për fillimin e ushtrimeve, të cilat u zhvilluan në shtëpinë e Hysein Xhaferit /baba i Arbën Xhaferit/në Tetovë.

Shkruan: Ismail Arsllani
Shkruan: Ismail Arsllani

Drama “Të burgosurit”, autor i së cilës ishte Hamit Shijaku, trajtonte luftën heroike të popullit shqiptar të malësisë së Shkodrës nën udhëheqjen e Hodo Pashës, i cili kishte luftuar kundër fqinjëve grabitqarë serbo-malazezë. Organizata “BESA” i siguroi Hamit Shijakut një banesë me qira, si dhe ushqim ditor te një gjellëtore, pronë e Mesut Mulla Beqirit nga Tetova. Këto shpenzime i kompensonte organizata nga buxheti i vet, si dhe i jepte atij një shumë të hollash për shpenzimet personale.

Sipas mësuesit Shefqet Sulejmani nga Tetova, i cili kishte mbajtur njëfarë ditari për këto ngjarje të rëndësishme të para Luftës së Dytë Botërore e më vonë /kopjen e së cilës, derisa ishte gjallë, në vitin 2007 i dha autorit të këtij shkrimi/, ushtrimet për përgatitjen e dramës “Të burgosurit” vazhdonin më një intensitet të madh. Për afër dy muaj, përgatitja e dramës ishte gati, ndërsa Naxhi Sulejmani nga “Besa” ishte caktuar përgjegjës i shfaqjes, ndonëse aktorët nuk e dinin këtë.

Hamit Shijaku shumë shpesh takohej dhe bisedonte fshehtë me ndonjërin nga anëtarët e “qendrës”, si me Idriz Cërcërin, Hysein Xheferin dhe Naxhi Sulejmanin. Në të shumtën e rasteve ka qenë i pranishëm edhe Shefqet Sulejmani. “Nuk kisha mjaft njohuri se si përgatitet një dramë, por përcillja porositë e organizatës se ku, në cilin termin dhe në cilën shtëpi do të mbaheshin provat e dramës. Vërtet isha i mahnitur me aktorët e dramës dhe kujtoj ato momente dhe ato skena, që më kanë mbetur të freskëta”, kishte shënuar në kujtimet e veta, Shefqet Sulejmani.

Premiera e dramës “Të burgosurit” është dhënë më 7 tetor të vitit 1939, në shtëpinë e Mehmet Bej Palloshit në Tetovë, ku ka pasur një numër shikuesish, aq sa lejonte hapësira. Skena ka qenë e rregulluar në mënyrë modeste, aktrimi ka qenë në nivel amatorësh, por kënaqësia e publikut kishte qenë mjaft e madhe, ngase për herë të parë shfaqej një dramë në gjuhën shqipe.

Pas disa ditëve, organizata “BESA” vendosi që drama “Të burgosurit” të rishfaqet në shtëpinë e Hysein Xhaferit. Atë ditë kanë qenë të pranishëm edhe anëtarët e organizatës,  Hafëz Muhamed ef. Xhelili, Mulla Jahja, aktori dhe regjisori i dramës Hamit Shijaku e të tjerë, ndërsa aktorë të kësaj drame ishin: Abdyrahman Tresi, Vehab Kadriu, Kadir Sulejmani (në rolin e vajzës Margarita), Xheladin Palloshi, Sheref Kazazi (në rolin e drejtorit të burgut Savo), Naxhi Sulejmani (roje burgu) dhe Hysni Abdullai (nipi i Hodo Pashës).

Disa ditë më vonë, organizata mban një mbledhje, në të cilën ishte vendosur që drama “Të burgosurit” të rishfaqet edhe njëherë në Gradec, një fshat mes Tetovës dhe Gostivarit, prej nga rrjedh me rrënjë nëna e Skënderbeut, si dhe të parët e  Mehmet Pashë Derallës, i cili ishte ministër i parë i luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit. Më vonë drama pati edhe një reprizë në fshatin Shipkovicë të malësisë së Sharrit. Këto shfaqje kanë pasur shumë sukses, ndërsa publiku ka qenë mjaft i emocionuar.

Organizata ilegale “Besa”, gjatë asaj kohe punonte fuqimisht në qytet dhe në celulat e saj nëpër fshatra. Mirëpo, regjimi i atëhershëm monarkist kishte siguruar disa të dhëna se “po ndodh diçka” në Tetovë, por nuk kishte fakte dhe argumente dëshmuese, për shkak të punës konspirative të organizatës. Pushtetarët e asaj kohe kishin diskutuar për aktivitetin e kësaj organizate, në një mbledhje që ishte mbajtur në sallën e fizkulturës “Sokollana” në Tetovë. Një nëpunës shtetëror, i quajtur Koço Bogojeviç, kishte dalë me një referat, në të cilin ishte shprehur se “pushteti i ka duart e gjata” dhe këshillonte shqiptarët “që të mos punojnë kundër shtetit, se mund të ndëshkohen!”.

Katër vjet më vonë, Kryesia e organizatës “Besa” do të angazhojë edhe mësuesin e dalluar nga Elbasani, Qemal Haxhihasani, i cili do të përgatisë një shfaqje. Ai kishte zgjedhur dramën “Lulja e kujtimit” të Foqion Postolit. Premiera e dramës ishte dhënë më 28 nëntor 1943, në Shtëpinë e Rinisë në Tetovë. Në këtë dramë kishin marrë pjesë gati të gjithë anëtarët e organizatës “Besa”, ndërsa kishin ardhur për ta parë të gjithë funksionarët e pushtetit vendor.

Salla ka qenë e stërmbushur, ndërsa për herë të parë kishin ardhur edhe gratë shqiptare të disa familjeve. Sipas kujtesës së Shefqet Sulejmanit, në këtë pjesë teatrale kishin marrë role të ndryshme të rinjtë Qemal Hajrullahu, Seri Abdylmexhiti, Sheref Kazazi, Sejfulla Sejfullai, Vera Tetova, Burhan Myhedini, Mustafa Kokarçe, Dhimitër Fëllani, Abdyrahman Tresi, Kadri Sulejmani, Mesud Musai, Xheladin Palloshi, Adem Kuçi, Nijazi Fanda, Shefqet Sulejmani, Hysni Zejnushi, Abdulla Adilçe, Nazim Sulejmani, Xhabir Reka, Xhabir Toska, Ismail Ismaili, Abdulla Llaballapi, Myntas Feridi e disa të tjerë. Ndërsa, në pranverë të vitit 1944 ishte përgatitur dhe ishte shfaqur me sukses edhe drama “Dibranja e mjerueme” e Haki Stërmillit.

Me shfaqjen e këtyre dramave në gjuhën shqipe, si dhe të aktiviteteve të tjera që po zhvilloheshin në atë kohë, si në Shtëpinë e Rinisë në Tetovë, ku frekuentonin mjaft të rinj tetovarë, sikundër edhe në sallën e Bibliotekës së qytetit, e cila shpesh mbushej me lexues, por edhe në atë të Fizkulturës, që nga agu deri në terr vizitohej për ushtrime disiplinash të ndryshme, ishte ngjallur dukshëm jeta arsimore, kulturore dhe zbavitëse e rinisë tetovare.

LEXO SHKRIMET TJERA TË KËSAJ NATYRE:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button