“Kashmir” koalicionet

Zgjedhjet lokale sollën një fenomen politik të paparë deri tash në Maqedoni – koalicionet kashmiriane

Para zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit skena politike në Maqedoni dominohej nga katër parti, dy maqedonase e dy shqiptare, lartë-poshtë me sjellje të parashikueshme. Tronditja e skenës së atëhershme nga dy partitë e reja shqiptare ka ndryshuar rrënjësisht edhe sjelljen e partive politike, duke bërë të shfaqen një numër fenomenesh të reja politike dhe koalicionesh partiake, sidomos aktive gjatë zgjedhjeve lokale. Ndër ta, më i riu, më pak i vërejturi dhe më i rëndësishmi është fenomeni i “Kashmir” koalicioneve.

Definicioni. Në kuptimin e ngushtë të fjalës “Kashmir koalicion” quhet çdo koalicion i tre apo më tepër partive kundër koalicionit shqiptar Aleanca me Besë. Hë për hë bosht kryesor i “Kashmir” koalicioneve janë SDSM dhe BDI, ndërsa partneri i tretë zgjidhet sipas rrethanave. Më shpesh partner i tretë bëhet VMRO, por sipas nevojës këtë rol mund t’a luajnë parti tjera të pakicave rome, turke dhe në instancë të fundit PDSH.

Në kuptimin më të gjerë të fjalës me këtë term nënkuptohet çdo lloj koalicioni i formuar si kundërpeshë e bashkëpunimit mes dy partive shqiptare.

Etimologjia. Termi “Kashmir koalicion” e ka prejardhjen nga koalicioni në këshillin e komunës së Gostivarit i formuar si tentim për të relativiziuar, zbehur dhe penguar fitoren e Aleancës me Besë të shënuar kundër koalicionit SDSM-BDI në këtë komunë. Në rastin në fjalë, pasi humbën zgjedhjet në Gostivar, SDSM-BDI zgjeruan koalicionin me këshilltarin Kashmir Saliu të partisë rome të Amdi Bajramit PCERM, të zgjedhur me votat e VMRO-së.

Si funksionon. Çdoherë kur e gjejnë veten pisk me numra SDSM dhe BDI kërkojnë e gjejnë një partner të tretë, kushdo që të jetë ai, vetëm e vetëm mos ua shtrijnë dorën e bashkëpunimit partive shqiptare Aleanca dhe Besa. Në parim kjo do të thotë se ata preferojnë bashkëpunim me cilëndo strukturë tjetër, përveç elementit politik shqiptar që nuk është nga strukturat e vjetëruara politike BDI dhe PDSH.

Ku funksionon. Përveç Gostivarit, “Kashmir koalicioni” për momentin funksionon në Strugë. Edhe atje SDSM-BDI nuk kanë patur shumicën në këshill dhe në vend se t’iu drejtohen Aleancës apo Besës si faktorë që rrëzuan regjimin, preferuan të formojnë shumicë me një këshilltar të VMRO-së. Në mënyrë të heshtur “Kashmir koalicioni” funksionon edhe në Dibër.

Në disa vende “Kashmir koalicioni” ka funksionuar edhe gjatë rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale, sidomos në komunat shqiptare. Atje SDSM-BDI sipas nevojës kanë angazhuar tinëzisht VMRO-në dhe PDSH-në në favor të kandidatëve të tyre.

Ku pritet të funksionojnë në të ardhmen. Pas Strugës dhe Gostivarit, akoma kanë ngelur pa u formuar shumicat në këshillat e Tetovës dhe Çairit. Edhe këtu SDSM-BDI nuk ka shumicë e vetme dhe do të tentojë të afrojë rreth vetes partnerë të tretë në “Kashmir koalicione” të reja, duke shmangur me çdo kusht Aleancën dhe Besën. Në Tetovë me gjasë po bisedohet me PDSH-në, duke ruajtur VMRO-në si opcion rezervë. Në Çair, ku PDSH nuk ka këshilltarë, me siguri do të tentohet të afrohen këshilltarët e lëkundshëm të VMRO-së.

Në nivel qeveritar. Stërzgjatja e emërimit të ministrit të ri të shëndetësisë tregon se tentime për Kashmir koalicione kohët e fundit ka patur edhe në nivel qeveritar. Tanimë duket e sigurtë se BDI ka patur dëshirë që në qeveri Aleanca të zëvendësohet me PDSH-në. Pasi ky tentim ka dështuar, duket se SDSM-BDI më pas ka tentuar që zëvendësin e Aleancës t’a gjejë te deputetë tjerë të pakicave, partive satelite apo te disa deputetë të VMRO-së. Pikërisht në këtë drejtim duhet të lexohen deklaratat e eksponentëve të SDSM-BDI se qeveria ka shumicë edhe pa deputetët e Selës, si dhe zërat për kalimin e Amdi Bajramit në rradhët e BDI-së. Duket qartë se këto janë tentime për të replikuar Kashmir koalicionet e Strugës e Gostivarit në nivel qeveritar.

Ligji i gjuhës. Si koncept, por jo si formë, fryma kashmiriane u shfaq edhe gjatë debatit për ligjin e gjuhës. Megjithëse prapavija e shtyrjes së miratimit të këtij ligji ende nuk dihet, ka tentim që nëpërmjet amandamenteve të SDSM ai të zgjerohet me gjuhët e pakicave tjera. Qëllimi i këtij amandamenti natyrisht është relativizimi i gjuhës shqipe, sepse bën ndarje te prerë të gjuhëve zyrtare në dy grupe: maqedonase dhe “të tjera”. Fakti që SDSM deklaroi se për këtë hap ka mbështetjen e BDI le të dyshohet se bëhet fjalë për marrëveshje kashmiriane prapa skenave, me gjasë me deputetë turq dhe me Amdi Bajramin.

Si ta dalloni. Kashmir koalicionet zakonisht maskohen me retorikë specifike. Në rradhë të parë tentohet të paraqiten si koalicione multietnike, si ndërtim i një shoqërie qytetare për të gjithë, kinse nuk dihet botërisht se në realitet flitet vetëm për plotësim ambiciesh personale dhe interesash partiake të SDSM-BDI. Në po këtë frymë kushdo që guxon të kundërshtojë këto lojëra etiketohet si nacionalist, përfaqësues i ideve të prapambetura dhe kundër orientimeve euroatlantike të Maqedonisë. Por në thelb bëhet fjalë për Kashmir koalicione dhe relativizim të kërkesave shqiptare, siç është rasti me ligjin e gjuhës.

E ardhmja. Nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen e afërt, më konkretisht në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të garojë një koalicion i gjerë kashmirian. Tanimë flitet për një koalicion të tillë mes SDSM dhe BDI, ndërsa duke marrë parasysh se SDSM veçmë ka koalicion të larmishëm parazgjedhore, ky koalicion merr ngjyra kashmiriane. Atëherë, si tash, qëllimi do të jetë izolimi i partive shqiptare Aleanca dhe Besa. Gjithsesi zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë shansi i parë që votuesit shqiptarë të thonë se ç‘mendojnë për këtë lloj të ri koalicionesh dhe në fund pikërisht fjala e votuesve shqiptarë do të jetë vendimtare për fatin e tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button