S’DI AS VETË SI DOLA

Për 22 Nëntorin Manastiri frymonte shqip, nëpër kafeteri dhe rrugë gjithandej dëgjohej gjuha sa e mirë, sa e pastër, sa e dlirë!

Për gjuhën që kremtoi 109 vjetorin e alfabetit (ri)lexoni tekstin e shkëlqyeshëm të Fatmir Sulejmanit. Atë margaritar, ndër të tjerat që i thurr miku, e printova në disa kopje dhe i futa në çantën e B që t’ua shpërndajë shokëve të vet lexues. Jo, nuk është që nuk lexohet ose që të rinjtë nuk lexojnë, varet në çfarë rrethesh jetojmë, punojmë dhe shoqërohemi. Tek Kafeneja jonë poshtë zyrave të Shenjës tema më e shpeshtë me shumë kolegë janë pikërisht librat që i kemi lexuar, lexojmë apo duam ti lexojmë. Përsëris, sot nuk lexohet është klishe, krejt varet!

…kur ishte i vogël, kishim ritualin e përrallave gjatë ditës, para gjumit…nuk flente pa shishen e qumështit dhe pa përrallën, sa të bukura ishin momentet…“ditët kalonin, momentet përsëriteshin” tha poeti, por emri s’më kujtohet.

Më tepër se gjithçka tjetër Barletit i blenim libra; atyre u gëzohej më së shumti, kurse për gjërat tjera tregohej i kursyer, krejt cool, sidomos kur u rrit, p.sh:

– Kam mjaft bluza, pse duhet ta kem edhe një, çka jeni dalldisur?

– Pse me taksi? Me ato pare saherë mund të vozitemi me bus.

Ose kundërshtonte restoranet, duke ma mbivlerësuar gatimin pasi gjellërat e nënës, apo, janë më të shijshmet, unë ia ktheja se këtë nuk guxon ta thotë para gruas, asnjëherë 🙂

…me ekonomizimin e shpenzimeve më ngjante me gjyshin e vet i cili ishte dorështrënguar, paret e prishin fëmijën, thoshte, dhe na jepte fare pak, prandaj nëna intervenonte me ca dotacione të fshehta.

Kur u bëmë 18 vjet s’kishte më as pare minimale xhepi, punoni dhe fitoni, thoshte dhe e sqaronte se frëngjisht maturim do të thotë pjekuri, i pjekur d.m.th i pavarur… mirë e sqaronte ai, por mua idea nuk më pëlqente: edhe atëherë si tash harxhimet e ditës ishin kafe, cigare, gazeta. E dija se s’u jep as vëllezërve, por ata as cigaren nuk e pinin, as letra dashurie nuk shkruanin si unë, çdo javë letra avionike për Segonzano Trento Itali ku N ishte në gurbet.

U përpoqa me argumente:

-S’kam kohë unë edhe të punoj edhe të studioj edhe të lexoj. E përkujtova që vetë thoshte se gazetari, shkrimtari janë para së gjithash lexues.

Ai ma ktheu se dita zgjatka 24 orë dhe aty paska kohë për gjithçka që do njeriu.

Vitin e parë të studimeve punova bebisitere te një familje austriake.

Vitin e dytë në Radio Bleta në Tetovë kisha emision javor.

Mandej në shoqatën e femrave ESE, ku u mësova të shkruaja dhe realizoja projekte me tamam.

Sikur t’na jepte pare derisa studionim, ndoshta nuk do ta mësoja përpilimin dhe menaxhimin e projekteve, kryesisht për emancipimin e gruas gjë që sot nuk më bën përshtypje, por ato përvoja më nxorrën në terren ku ndihesha mirë: tek iniciativat kulturore dhe benefiti shoqëror. Sot, për asnjë përfitim, nuk marr pjesë në projekte të padobishme dhe kjo rrjedh nga bindja se ato honorare nuk do t’më lumturonin. Si puna e politikanëve të korruptuar që duken të zbehtë, pa imunitet, për shëmtinë e brendshme që u reflektohet edhe në fytyrat e lodhura hiç mos bëjmë muhabet, e di se kuptohemi.

Vetëm nuk e di se si nga Dita e Alfabetit dola këtu (!).

Por e bukura e shkrimit fshihet në atë se kur e fillon as vetë nuk e di fundin.

Prandaj, shkrimi, si çdo kreacion, është vetënjohje, një lloj magjie, më e rëndësishme rruga se sa pika që synohet…

Ashtu si dashuria.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button