Maqedoni, pranimi i fajit nga të akuzuarit, ndihmon proceset gjyqësore

Gjykata Penale e Shkupit ka marrë vendimin e dytë lidhur me rastet e ngritura nga Prokuroria Speciale Publike, e që ndërlidhen me rastin “Shuplakat”, duke dënuar me vetëm 6 muaj burg me kusht Tomsillav Llazarovin, i cili e pranoi fajin, shkruan REL.

Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale Publike, Tomisllav Lllazarov akuzohet për dhunë, bashkë me 14 persona të tjerë, si nxitës dhe organizues idisa anëtarë të VMRO-DPMNE për të protestuar kundër rrënimit të kishës “Shën Konstandini dhe Elena”, e cila ishte në fazën e ndërtimit në bulevardin “Maqedonia”.

Ndryshe nga Llazarov, i cili e pranoi fajin, tre të akuzuarit e tjerë ku bën pjesë ish- kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dhe deputetja Daniella Rangellova, e cila gjatë ngjarjeve ishte këshilltare nga radhët e VMRO DPMNE-së në Komunën Qendër thanë se nuk ndihen fajtorë.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se pranimi i fajit nga ana e njërit prej të akuzuarve nga Prokuroria Speciale Publike, do të ndikojë pozitivisht në rrjedhën e mëtejme të lëndëve, të cilat i ka ngritur Specialja.

Besa Kadriu, nga Fakulteti i Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se një pjesë e të akuzuarve duket qartë se kanë filluar t’u thonë jo urdhrave të partisë. Me këtë lehtësojnë dënimin për veten, por edhe mundësojnë që të zbardhen gjurmët e krimit.

“Përfundimisht është një mundësi e mirë që Prokuroria Speciale Publike, po edhe autoritetet e tjera të Gjyqësisë të kenë më shumë argumente që të zbulojnë dhe ndriçojnë plotësisht gjurmët e krimit. Do të thotë se në një mënyrë hapen dyer më të mëdha që drejtësia të funksionojë në një mënyrë tjetër shumë më ndryshe nga ajo që tanimë është instaluar si përvojë skajshmërisht e varur nga politika ditore”, vlerëson Kadriu.

Ndërkaq, sipas Jovan Tërpenoskit, ish-prokuror publik, pranimi i fajit nga ana e njërit nga të akuzuarit, i vë në pozitë të vështirë të akuzuarit tjerë duke ndryshuar dhe rrjedhën e gjykimit jo vetëm për këtë rast, por edhe për rastet e tjera që i ka ngritur Prokuroria Speciale Publike.

“Mund të them se tashmë kanë filluar të marrin një rrjedhë pozitive zhvillimet në gjyqësor. Që do të thotë, kërkohet e vërteta reale, e cila është si rezultat i dëshmive të prezantuara nga ana e Prokurorisë Speciale Publike dhe mendoj se me këtë hapet rrugë që rastet e ngritura të marrin epilog gjyqësor”, thotë Tërpenovski.

Ndryshe, gjatë muajit dhjetor, duhet të mbahet seanca gjyqësore “Target dhe Fortesa” ku i akuzuari i parë është ish-shefi i policisë sekrete, Sasho Mijallokov, rast ky që pritet të zbardhet se me urdhër të kujt janë realizuar përgjimet e paligjshme, si dhe me urdhër të kujt janë shkaktuar pajisjet, me të cilat janë realizuar përgjimet.

Rasti “Shuplakat”

Ndryshe, më 15 shtator të vitit të kaluar, PSP ngriti akuzë kundër Gruevskit, ish ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieskit dhe tre personave tjera të cilët ngarkohen për porositjen e dhunës ndaj kryetarit të Komunës Qendër. Padi penale është dorëzuar edhe për 9 persona tjerë për kryerjen e dhunës së porositur në korrik të vitit 2013.

Nikolla Gruevvski

Sipas PSP-së, i akuzuari i parë Gruevski, ashtu edhe siç e dëgjuam në “bombat” e LSDM-së, ka qenë porositës, ndërkaq Janakieski ka pranuar që nëpërmjet anëtarëve partiak të VMRO-DPMNE-së ta kryejnë dhunën ndaj kryetarit të Komunës Qendër, Andrej Zhernovski dhe anëtarëve të Këshillit Komunal, gjatë protestave përpara objektit të Komunës.

Gruevski, dëgjohet në njërën nga “bombat” e LSDM-së duke e porositur Janakievskin që dikush nga partia “t’ua japë dy tre shuplaka”, kryetarit të Komunës Qendër, Andrej Zhernovski, dhe anëtarëve të Këshillit Komunal.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button