Vështrim mbi përmbledhjen me tregime “Dashuri në lavatriçe” nga Lira Bojku

Vështrim mbi përmbledhjen me tregime “Dashuri në lavatriçe” nga Lira Bojku

Nga Puntorie Ziba

Në gurrën rrëfimtare të librit me tregime “Dashuri në lavatriçe” autorja e re, e çliruar nga ankthet dhe paragjykimet i ofron lexuesit mineralin artistik me qëllim që ai të thith nektarin letrar të mbuluar me figurat e gjendjes së brendshme të autores, shkaktuar nga bota që na rrethon. Forca e ndjenjës së pastër njerëzore bëhet e dukshme që nga titulli i librit dhe deri te tregimi i fundit i Lirës, ashtu siç është e pastër, e brishtë dhe nazike vetë autorja, ashtu sikurse është hyjnore dashuria. Aftësia e veçantë e autores për të prekur, për të shijuar, për të përjetuar e vlerësuar ndiesinë, anën e brendshme emocionale të personazheve dhe kryepersonazhit të saj, shihet në të gjitha tregimet. Bukuria e tregimeve qëndron tek hirësia që në vazhdimësi e përshkon librin.

Ajo ka arritur të ndërton personazhe që i mvesh me hir. Qëndrimi mirëdashës dëshmon se autorja Lira Bojku e do dhe e respekton qenien njeri. Kështu ajo kompletohet si autore dhe mbi të gjitha si një qenie përplot karizmë. Dilemat, kënaqësia, bezdia, frika për pasojat që jeta ua sjell njerëzve haset tek tregimet: Dashuria në lavatriçe, Ajo që e kuptonte gjuhën e heshtjes, Druri i rilindur i arrës etj.
Duke përzgjedhur realitetin e strukturuar, qenësinë dhe në esencë temën e qenësisë, para lexuesit shfaqet forca e ndjenjës, forca që gëlon në rini. Në tregimet e librit “ Dashuri në lavatriçe” gëlon Lira Bojku përmes tregimeve të saj. Ajo përpiqet ta zhvesh heshtjen, dashurinë që ndonjëherë gabimisht futet në guva të errëta për të mos u dukur kurrë. Pikërisht kjo edhe e frikëson kryepersonazhin e tregimeve: heshtja dhe mossigurimi i ndjenjës sublime.
“ Me dy gishtat e mëdhenj i lëmonte kapakët e syve të saj të kaltër. Pastaj shkonte pak më lart te vetullat e saj të dendura e katran të zeza, duke i përshkuar me gisht lehtazi e për të përfunduar më pas në bishtin e syrit. Sytë e saj ishin oqeanet që nuk i pa kurrë, ishte kaltërsia që nuk e njohu kurrë… Rrëshqiste ngadalë me gishtërinjtë sikur vizatonte diçka në ato faqe si në pëlhurë.”
Kështu e sheh ose edhe e imagjinon autorja dashurinë mes dy të rinjve që botën e shohin të errësuar, ngaqë iu mungon shqisa e të pamurit, por sipas autores ata që duhen, dashurinë dhe afërsinë e kanë të bardhë, të çiltër dhe të mbushur me rrëzëllimë.
“ Ai nuk ndjente mall asnjëherë për botën dhe bukuritë e saj, për ngjyrat, format, nuancat, për vendet…” e vazhdon tregimin autorja dhe na bënë ta kuptojmë madhështinë, qëndrimin e saj njerëzor, human dhe fisnik kur bëhet fjalë për pjesën e një shoqërie që jeton ndryshe.
Nga tregimet e kësaj përmbledhjeje do ta veçoja prozën poetike “Më tha të dua në një gjethe ftoi” ku autorja përmes metaforave briliante shpërthen si vullkan dhe lakuriqëson ndjenjën më sublime, ndjenjën e adhurimit:
“ Më the të dua në një gjethe ftoi e unë i desha gjenet e tua në pasardhësit e mi. Pulla e mantelit të kishte rënë e unë ndjeva erën e tradhëtisë.”
Në këto rreshta autorja kërkon përçuesin e tipareve të trashëgueshme në organizmat pasardhës dhe shpreson se elementi përbërës i figurës që e admiron, do t’ia dhuronte këtë kënaqësi, por fatkeqsisht ajo e nuhati tradhëtinë.
Paskëtaj mund të them se libri i titulluar “ Dashuri në lavatriçe” bën fjalë për përjetime reale dhe shumë joshëse për lexuesin. Çdo fabulë tregimi tërheq dhe të bën të mendosh intensivisht për të.
Artin e të shkruarit si ngushëllim shpirtëror, krijuesit e përftojnë për të komunikuar me veten, për t’u ballafaquar me fenomenet jetësore, për atë që na rrethon, për frikën, për zemërimin, për vajin, për mendimet e zymta që na pushtojnë, për të ngadhënjyer mbi të keqen, mbi dhembjen, mbi vetminë dhe mbi heshtjen. Beteja të ngjashme hasi tek tregimet : Shikimi yt, Kur ai e puthi pëllëmbën e saj, Një ikje në Romë, Ngulfatja etj. “Mbase secili nga ne ka një fjalë të varrosur brenda.” E fillon tregimin Ngulfatja, autorja e këtij libri.Autorja e re edhe përmes këtij libri jep sinjale se është krijuese e emancipuar artistikisht, bijë e një mësuesi letrar dhe se pjekuria e saj ka filluar qysh në kohën kur ajo ka konsumuar të bukurën e artit letrar. Proza e saj vjen si një puhizë ledhatare që nga libri i parë dhe kuptohet vetevetiu se do të vazhdojë edhe mëtej.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button