Një muaj paraburgim për Albin Kurtin dhe deputetët e VV

Deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, Albulena Haxhiut dhe Donika Kadaj-Bujupit, u është komunikuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ata u arrestuan sot ndërsa po hynin në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe u dërguan menjëherë në paraburgim, transmeton Mapo.

Kurse kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri reagoi ashpër ndaj ndalimit të Albin Kurtit dhe dy deputeteve të tjera të partisë që ai drejton.

“U prangosën brutalisht,” tha Ymeri.

Në deklaratën për shtyp, ku kërkonte lirimin e menjëhershëm të tyre, Vetëvendosja pretendon se ndalimi i ligjvënësve të saj është bërë për shkak të kundërshtimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Albin Kurti është njëri prej deputetëve të Vetëvendosjes, që akuzohet për hedhjen e sprajit dhe gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, gjatë seancave të vitit të kaluar, kur tentohej të bllokohej ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe ngritja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në atë kohë, kur në opozite ishin edhe dy parti që sot janë në qeveri, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Nisma për Kosovën, forcat e bllokut opozitar organizuan për më shumë se 6 muaj protesta, e paralizuan punimet e Parlamentit.

Kryeministri Haradinaj shprehu keqardhje për këto arrestime, por shtoi se deputetët duhet të paraqiten në gjykatë sa herë që ata thirren.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button