Shqipëria e Greqia me patrulla të përbashkëta policore në kufi

Për një koordinim edhe më të mirë të luftës kundër krimit midis Shqipërisë dhe Greqisë të dy vendet  do të kenë patrullim të përbashkët në të dy anët e kufirit dhe vendosjen e pikave të kontaktit, ku patrullat do të këmbejnë informacione të shpejta mes tyre lidhur me problematikat gjatë operacioneve të përbashkëta.

Kjo u dakordua në takimin midis Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shqiptar, Haki Çako dhe homologut të tij grek, Kostandinos Cukalas në Athinë.

Në takim, dy drejtorët rikonfirmuan nivelin mjaft të mirë të bashkëpunimit mes dy dikasterve, duke u përqendruar në  luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike.

Të dy palët ranë dakord për koordinimin edhe më të mirë të punës mes dy policive, ku në fokus të veçantë do të jetë edhe krimi ndërkufitar.

Përpos kësaj, të dy policitë ranë dakort për këmbimin e vizitave të ndërsjella të ekspertëve teknikë, si dhe të intensifikohet puna për parandalimin e krimit.

Një vend të veçantë të dy kryepolicët i dhanë edhe shkëmbimit të të dhënave në kohë reale mes dy policive për personat e dyshuar si autorë të veprave penale dhe trafiqeve të ndryshme.

Gjatë vizitës dyditore në Athinë Çako pati edhe një takim me Ministrin Plotësues për Çështjet e Rendit të Greqisë, Nikos Toskas.

Edhe në këtë takim, palët shprehën vullnetin dhe vendosmërinë e tyre për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

Pas përfundimit, të dy drejtorët e policisë thanë se takimi i i ardhshëm do të zhvillohet në muajt në vazhdim në Tiranë, ndërkohë që në mënyrë konstante do të vazhdojnë takimet e përmuajshme të drejtorëve të policisë së qarqeve të Greqisë së Veriut me homologët e tyre në Qarkun e Korçës, Gjirokastrës dhe Vlorës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button