Ultimatumi amerikan, “dialogu i brendshëm” dhe kundër-ofensiva diplomatike serbe

 

 

Në skenën e sotme politike të Serbisë ose ka një lloj “lufte” të fshehtë sa i përket qëndrimeve mbi Kosovën, ose kjo mund të jetë taktikë e qëllimshme e koordinuar, që aspak nuk përjashtohet bazuar në traditën politike të Ballkanit. Përderisa Presidenti serb Vuçiq si autoriteti më i madh në skenën politike serbe, tenton të lidhet çdoherë e më shumë me perëndimin, ka edhe rryma madje edhe brenda qeverisë së Serbisë, të cilat tentojnë një lloj neutraliteti politik serb ndërmjet perëndimit dhe Rusisë, respektivisht neutralitet ushtarak ndërmjet NATO-s dhe kësaj te fundit. Sot eksponenti kryesor me peshë relevante i rrymave të tilla, është shefi i diplomacisë serbe Daçiq. Qëndrimet lidhur me pavarësinë e Kosovës nuk mund të ikin nga ky kontekst .

Presidenti Vuçiq, pas takimit me ndihmës-sekretarin amerikan të shtetit Hoyt Yee, haptazi pranoi se para Serbisë është vënë një ultimatum kohor lidhur me Kosovën. Më vonë zyrtarë nga qeveria serbe pranuan se bëhet fjalë për muajin Janar 2019 si afat i vënë nga amerikanët, ku nga Serbia pritet të reflektojë përfundimisht sa i përket Kosovës, respektivisht të pajtohet me realitetin e ri të krijuar.

Në shërbim të kësaj, që tani në skenën politike serbe po paraqiten mendime të cilat po e përgatisin opinionin serb për një ndryshim qëndrimesh mbi shtetësinë e Kosovës. Mund të thuhet se funksionalisht ka filluar një “dialog i brendshëm” ku plasohen qëndrime të cilat pranojnë që Serbia të pranojë me marrëveshje, një ulëse në OKB për Kosovën. Pavarësisht se në mesin e inteligjencës serbe kishte edhe në të kaluarën mendime të ndryshme të cilat rrëzonin “tabutë” lidhur me Kosovën, për propozimin e fundit konkret nga profesori universitarë Vladan Kutleshiq, u deklarua edhe presidenti serb. Kjo përgjithësisht mund të shihet edhe si një moment i parë i reflektimit karshi ultimatumit amerikan.

Gjithsesi bëhet fjalë për një kompromis të fshehur kur thuhet se dy shtetet do të mbesnin në njëfarë forme të lidhura përmes një unioni doganor, që nënkupton një treg ekonomik. Sipas propozimit të Kutleshiq, i cili lehtë mund të bëhet platformë me të cilën Serbia synon të dalë para amerikanëve në ndërkohë, edhe Kosova ashtu sikurse Serbia do të fitonin ato që de-facto nuk i kanë. Kosova do të fitonte sovranitetin e plotë në veri dhe do të bëhej shtet me kapacitete të plota ndërkombëtare, kurse Serbia do të fitonte një derë të fundit të lidhjes institucionale me Kosovën.

Në anën tjetër, deklaratat e Ministrit të jashtëm serb Daçiq, janë krejtësisht kundërthënëse. Kreu i SPS qartazi po bën përpjekje që të përfitojë nga “patriotizmi” i proklamuar në një kohë kur në Beograd qëndrimet për të pranuar pavarësinë e Kosovës, po vijnë në shprehje seriozisht. Përkundër faktit se Daçiq vjen nga një parti sot faktorë dytësor në skenën politike serbe, megjithatë veprimet e tij nga pozita e shefit të diplomacisë serbe janë shqetësuese. Nga cilësia e shefit të diplomacisë serbe, po bën një fushatë diplomatike të lidhur me Rusinë. Këtu edhe kanë burimin revokimet e pretenduara të njohjes së shtetësisë së Kosovës nga Sao Tome, Surinami dhe Guinea Bissau, që është një presion mbi Kosovën dhe po i rikujton Qeverisë së Kosovës, brishtësinë e subjektivitetit ndërkombëtarë.

Duket se diplomacia serbe me kujdes po godet aty ku vendosmëria e qeverive karshi njohjes së Kosovës nuk është stabile. Në rastin e Guinea Bissaut, Serbia ka trajtuar ndryshimet politike në këtë vend, ajo ka vlerësuar qartë se forcimi i pushtetit nga partia marksiste atje , lehtë mund të ndryshoj qasjen karshi njohjes së Kosovës. Në këtë ofensivë diplomatike, Serbia ka ndihmën e drejtpërdrejtë të Rusisë. Të kujtojmë se edhe te deklarata surinameze për revokimin e njohjes së Kosovës, kyç ishte akordimi me Rusinë.

Revokimi surinamez i njohjes së Kosovës, në mënyrë të qëllimshme është realizuar bashkë me revokimin e njohjes së Saharës Perëndimore. Surinami në Amerikën Jugore, është përzgjedhur dhe joshur me kujdes që të veprojë kështu. Kjo është një goditje e cila nuk i bën lajka vetëm Serbisë, por edhe shteteve që janë të implikuara në çështjen e Saharës Perëndimore, si Maroko, Algjeria apo edhe Mauritania. Pra bëhet fjalë përgjithësisht për regjionin e Afrikës Perëndimore si një cak aktual, regjion ky ku përket edhe Guinea Bissau. Afrika Perëndimore, përfshirë këtu edhe shtetet që akoma nuk kanë njohur Kosovën, është aktualisht “fronti kryesor” i diplomacisë serbe. Bëhet fjalë për një potencial të madh gjeo-strategjik, kur dihet se në Afrikën Perëndimore ka gati 20 shtete anëtare të OKB-së. Po minohet rrugëtimi i Kosovës për të rrumbullakuar subjektivitetin ndërkombëtarë, duke sabotuar numrat në të cilat Kosova më parë ka llogaritur.

Pavarësisht se si veprimi i revokimit të njohjes mund të interpretohet nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare, një është evidente, bazuar në qëndrimet e tanishme të qeverisë surinameze, e tani edhe asaj të Guinea Bissau, më nuk mund të llogaritet në votën e tyre gjatë aplikimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Për një periudhë relativisht shumë të shkurtër kohore, Kosova ka të humbura tre vota dhe kjo nuk duhet nënçmuar aspak. Në sistemin politik ndërkombëtarë, numrat janë jashtëzakonisht të rëndësishëm. Se kjo është një çështje e ndjeshme, u pa në vitin 2015 me rastin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO, kur ishte çështja e numrave ajo që na mundi.

Natyrisht e gjithë përpjekja diplomatike serbe që të zvogëlojë numrin e shteteve që kanë njohur Kosovën, pritet të zmbrapset me reflektimin karshi ultimatumit amerikan, por mund të jetë si argument drejt kërkimit të një kompromisi, sikurse ai për një lidhje institucionale ndërmjet dy shteteve. Bazë për kompromis në politikë, përfshirë  politikën ndërkombëtare, merret gjendja faktike. Pavarësisht se skena e sotme politike në Kosovë është e “zënë” me debate të brendshme, një mos reflektim karshi asaj në na pret në skenën ndërkombëtare, do të jetë i pafalshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button