Shtyhet gjykimi i rastit “Sopoti” për 20 dhjetor

Seanca për rastin “Sopoti” në Gjykatën Themelore Shkupi 1 sot është shtyrë sepse gjykata nuk mund ta përcaktojë identitetin e dëshmitarit Ramadan Bajrami, njofton Portalb.mk.

Seanca e ardhshme, siç tha gjykatësja Dijana Gruevska-Ilievska do të mbahet me 20 dhjetor.

Seanca e sotme duhej të fillojë me dëshminë e Bajramit, por kur ai duhej të identifikohet nxori letërnjoftim të vjetër prej vitit 2002.

Ky ishte shkaku që gjykatësja me juristët të tërhiqen nga konsultimi, ku pastaj Ilievska tha se gjykata nuk mund ta identifikojë dëshmitarin dhe kërkoi që Bajrami në seancën e ardhshme me 20 dhjetor, të vijë më letërnjoftim biometrik ose me pasaportë.

Pastaj Ramadani shpjegoi se ka pasur pasaportë biometrike, por e ka lënë në shtëpi.

Ndryshe, rastin “Sopoti”, më 18 tetor Prokuroria Speciale Publike (PSP) ia dorëzoi gjykatës CD-n me bisedën telefonike të inçizuar mes drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov dhe ish-ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska si dëshmi në procedurën e rastit “Sopot”, njofton Portalb.mk.

Është dorëzuar edhe bisedë audio nga Ministria e Punëve të Brendshme me dëshmitarin Ramadan Bajrami. Këto janë një pjesë e dëshmive plotësuese të cilat PSP-ja ia ka dorëzuar gjykatës për gjykimin e përsëritur për rastin.

Avokati i të akuzuarve, Naser Raufi tha se do të kërkojnë në gjykatë si dëshmitarë të dëgjohen Mijallkovi dhe Jankullovska.

Gjashtë të akuzuarit mbeten në qëndrimet që i kanë dhënë më herët në gjykatë. Katër të akuzuarit janë të pakapshëm, ndërsa njëri ka ndërruar jetë.

PSP propozon se si dëshmi të dëgjohen gjashtë të punësuarit në DSK si dhe ekspertë të cilët i ka angazhuar PSP-ja. Gjykimi është shtyrë për 23 nëntor me kërkesë të mbrojtjes, që të ketë kohë t’i shqyrtojë dëshmitë e reja.

Seanca paraprake më 9 tetor u anulua me propozim të mbrojtjes, e cila kërkoi kohë shtesë për përgatitje, për shkak të ndryshimit të gjykatësve në këshillin penal dhe marrjes së rastit nga ana e Prokurorisë Publike Speciale.

Rasti “Sopoti” ka histori prej 14 vitesh. 12 banorë nga fshati Sopot u akuzuan se në mars të vitit 2003 kanë vendosur eksploziv në rrugën lokale Sushevo-Sopot, ku në këtë eksplodim u vranë dy anëtarë të kontingjentit polak të NATOS dhe një civil maqedonas. Kjo ndodhi dy vjet pas konfliktit të vitit 2001, kur Maqedonia ende po e merrte veten nga pasojat që i shkaktuan veprimet e armatosura edhe në planin e sigurisë edhe atë ndëretnik.

“Sopoti” u hap sërish që kur Prokuroria Speciale Publike arriti të marrë lëndën nga Prokuroria Themelore Publike për shkak se në opinion u publikuan telefonata të përgjuara ku bisedohet për rastin ndërmjet ish-funksionarëve të lartë shtetëror. Dëgjohet se si ish ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska dhe ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, diskutojnë për rastin në fjalë dhe thonë se të akuzuarit pafajësisht janë burgosur.

Në një bisedë tjetër telefonike për “Sopotin”, dëgjohet se si deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së në Kuvend, Ilija Dimovski, ka kërkuar nga Gordana Jankullovska dhe prokurori Marko Zvërlevski paraburgim për të akuzuarit e, në kundërshtim me vendimet e mëparshme të Gjykatës. Dimovski ka kërkuar nga Jankullovska ta detyrojë Marko Zvërlevskin dhe të caktojnë burgim, pa e respektuar gjykatën dhe prezumimin e pafajësisë.

Përndryshe, një javë më parë Qeveria  e Maqedonisë ka miratuar propozim – ligj dhe plotësim të ligjit për dëshmitarë të mbrojtur. Qëllimi i këtij ndryshimi ligjor është propozuar që të sigurohen kushte për zbatimin e ligjit për Prokurorinë Speciale Publike (PSP), gjë e cila do të lehtësonte edhe punën në rastin “Sopoti”. Elementi kyç i këtij ligji është se kërkesën për mbrojtjen e dëshmitarëve mund ta bëjë edhe PSP-ja dhe nuk ka parametër ligjor i cili do ta refuzonte atë. PSP që në janarin e vitit  të kaluar e ka ngritur çështjen për ndryshimin e këtij ligji, por e njëjta nuk u miratua në Kuvendin e Maqedonisë. Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva dhe ekipi i saj e kërkonin këtë ligj me qëllim që në disa lëndë të kësaj prokurorie e cila i heton “bombat”, kanë kërkuar që dëshmitarët të jenë të mbrojtur, duke fituar me shumë garanca për mbrojtjen e identitetit të tyre.

LEXO MË SHUMË: 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button