Dita e alfabetit dhe koha e analfabetëve

Çdo respekt për sakrificat dhe përpjekjet shekullore të paraardhësve tanë në formalizimin e gjuhës së folur shqipe dhe përcaktimin e tyre për shkronjat latine dhe qytetërimin perëndimor, edhe atë në kohëra të turbullta, të gërshetuara me kultura të ndryshme osmane dhe sllave.

Vizioni i rilindasve dhe atdhedashësve ka qenë për atë kohë shumë largpamës dhe është dëshmuar si shumë përparimtar, përkundrejt intrigave dhe peripecive të shumta nëpër të cilat është dashur të kalojnë, përplot vuajtje dhe flijime, për të arritur deri në këtë gjuhë të çiltërt dhe të bukur që e kemi sot, dhe krenarë me të parët tanë që kanë ditur të na rreshtojnë në rrugën dhe drejtimin e duhur dhe të vërtetë.

Kur e kthej kokën pas në retrospektivën e ngjarjeve të atëhershme, gjithnjë e kam pyetur veten, si kanë mundur vallë në atë kohë kur ka pasur vetëm një grumbull njerëz të shkolluar, të benin aq shumë për popullin shqiptar asokohe të robëruar dhe të lënë në harresën e errësirës së mosdijes dhe paragjykimeve? Si kanë mundur vallë t’ia dilnin në krye dhe t’i bindnin bashkëkombasit e tyre të përçarë në disa fe dhe krahina apo vilajete, ta përvetësonin alfabetin latin, dhe shkronjat e arta shqipe, si pararoje të formësimit të shtetit të parë të pavarur të shekullit të kaluar?

Krahasuar me ditët e sotme, s’mund të mos e pyes veten, ç’u bë me atë popull të përvuajtur dhe skamnor, por të sinqertë dhe vizionar? Ku u zhduk ai elan i atëhershëm dhe ai zjarr i pashuar për dije dhe atdhe, kur në kohën e sotme, pasardhësit e këtij populli po i nënshtrohen mosdijes dhe indiferencës, madje edhe në kushte shumë më të mira ekonomike dhe demokratike se sa paraardhësit e tyre?

Ku ështe tani respekti për arsimtarin dhe dietarin, apo u hutua dhe turbullua aq shpejt nga të diplomuarit e sotëm që i kemi ‘mashallah’ me bollek dhe bile na tepërojnë? Aq e veshtirë është vallë për popullin shqiptar në tërë trojet etnike ta vleresojë se kush është më meritori dhe me i shkolluari, të cilin duhet ndjekur hap pas hapi ne rrugëtimin e vështirë të forcimit ekonomik të shtetit shqiptar dhe të pozites politike dhe ekonomike të gjithë shqiptarëve anembanëë trojeve autoktone?

Edhe sa kohë na duhet vallë te humbin kot duke u marrë me vetveten dhe t’i lëmë mënjanë ‘mëritë dhe zilitë personale’, tanimë kur të gjithë së bashku duhet t’i përveshim mëngët, secili në vendin e vet dhe me kontributin e vet, për të çarë përpara duke ndjekur prijës të vërtetë, të ditur dhe të merituar, dhe duke i spastruar rradhët nga analfabetet e diplomuar me diploma të blera, të cilet ikin nga sfidat në pengesën e parë që u del perpara, dhe të cilët të paaftë për të ndërtuar karrierë në terrenin profesional, turren të marrin pozita partiake apo të japin kontributin e tyre ‘modest” në mbushjen dhe ruatjen e kutive, me të vetmin qëllim të sigurojnë një “qoshe të qetë dhe të sigurtë me vobëgësine e tyre intelektuale në zinxhirin e parazitëve që ua gërryejnë për ditë shpirtin bashkëkombësve të tyre, jo krejt të pafajshëm për varfërinë e opcioneve dhe të përzgjedhjes së dietarëve që duhet t’u prijnë përpara proceseve.

Sa paradoksale dhe kontraverse duket situata në perspektivën e sotme! Një shekull më parë, në kohën e analfabetizmit, kombi shqiptar ka pasur suksese historike, ndërsa sot në kohën e alfabetizmit të bollshmërise së njerëzve me diploma të varura në mur, por me përqindje të vogël të mishëruara në mendje dhe në zemër, s’dijnë kah t’ia mbajnë dhe kë të ndjekin!
Sot për fat të mirë, administrata jonë është e përmbushur me njerëz nëpër sportele, por për fat të keq, të paktë janë ata që janë të gatshëm të marrim pergjegjësine e vërtetë të udhëheqin me institucionet, drejt arritjeve të reja kombëtare dhe hapjes së horizontit për një jetë meë të mirë ekonomike dhe më të pasur kulturore!

Sot intelektual i mirë është ai që din të heshti dhe ta uli kokën, edhe atëherë kur ia ulin krenarinë, me rrogen e vogël me të cilën e pagujnë për shërbimet e tij profesionale, dhe s’e lënë të bëj zë dhe as t’i shkojë mendja, të kërkojë një standard më ët mirë për veten dhe familjen, ashtu siç vlerësohen të tillët në gjithë botën demokratike. Ai është i detyruar t’i jep përparësi mirëqenies familjare kundrejt mirëqenies shoqërore dhe të popullit të tij, sepse rrezikon qe edhe atë t’ia marrin dhe ta perplasin rrugëve të fatit të jetes, vetëm sepse s’ka ditur ta mbajë gojen (mbyllur)!

Shpirti i tij i ‘trembur për fatin e fëmijes’ s’ka kohë të brengoset për të tjerët, sepse në mendjen e tij mbijeton instikti i mbijetesës, në këtë kohë kur avancohen servilët dhe puthadorët, vetem sepse dijnë të thurrin lavdi për pushtetarët dhe udhëheqësit e institucioneve, të emëruar dhe të frymëzuar ta mbajnë zap dietarin, që të mos ua kujtojë të tjerëve, se vetem ai e ka të drejtën natyrore dhe të zotit, që të jep vlerësimin me meritor, që nesër do të shërbejë si udhërrefyes për popullin se kah duhet të orientohet dhe kujt t’ia jep besimin dhe të drejtën që t’u prijë proceseve, në emer të tyre dhe për interesat e të gjitheve!

Hajt tash ec e merre vesht kush dhe kur kanë pasur më shumë të drejtë, më parë kur s’ka pasur shumë të shkolluar por që kanë qenë pak e saktë, apo sot që i kemi shumë por vetëm për të na bërë zullum? Kur ka qenë më mirë, atëherë që është ditur se kush është tamam me diplomë shkolle të larte dhe fakulteti, edhepse kanë qenë të numërueshëm ‘me gishta’, apo tani kur i kemi me thasë dhe me qindra?

Me te vertete dilema eshte hamletiane, të jesh me diplomë a të bën detyrimisht të ditur, në mënyrë që të meritosh besimin e ndjekësve, apo diploma është vetëm një biletë hyrëse në labirintin e dijes? Kur tamam një njeri mund t’a meritojë epitetin e të diturit, për të luftuar fytafyt me analfetet e sodit dhe te sërrës së tyre?

A do ta gdhijmë vallë ndonjëherë ditën kur do të na bëhet e qartë se kush ku e ka vendin? Edhe sa kohë duhet të presim kur shohim se na zbrazen vendbanimet dhe tanimë na ikin jo vetëm nevojtarët, por edhe kuadro të reja që s’duhet të kene arsye të ikin dhe të na i marrin popujt tjerë si investim të gatshem që vetëm pak duhet gdhendur para futjes në përdorim? Veëem sepse ne nuk dijmë t’i vlerësojmë dhe t’ua shtrijmë dorën e përkrahjes, apo sepse na pëlqen kështu si jemi, në mungesë të ëndrrave dhe ambicjeve për më shumë?
Koston e kësaj pavendosmërie e paguajmë për ditë e më shume, por llogarinë finale do ta paguajnë gjeneratat pas nesh. Vetëm uroj të mos na mallkojnë për këtë indiferencë totale që na ka kapluar të gjithëve!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button