Një ‘copë letre’ që e përballi Limajn tre vjet me gjykatën

Rreth 7 orë seancë janë dashur që mbrojtja të jap fjalën përfundimtare dhe rreth 3 vite janë dashur që këtij procesi gjyqësor të njohur si MTPT  t’i vijë fundi.

Në gjykimin e sotëm të zvendëskryeministrit Fatmir Limaj, së bashku me Endrit Shalën, Nexhat Krasniqin, Shpëtim Telakun e Florim Zukën, është dhënë fjala përfundimtare nga të gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, njofton “Zëri”.

I pari që e filloi fjalën e tij përfundimtare, ishte avokati i Limajt, Karim Khan, të cilit iu deshën mbi 3 orë që ta përfundojë atë.

Khan e nisi fjalën përfundimtare duke treguar se dita e sotme është ditë mjaft e rëndësishme për vet Limajn, si dhe për vetë procesin gjyqësor të Republikës së Kosovës pasi që, sipas tij, është mundësia e mbrojtjes që të shpjegojë se të gjitha pretendimet e paraqitura nga zyra e prokurorisë janë “plotësisht të pabaza”.

Khan tha se ky rast, i paraqitur nga Policia Speciale e Republikës së Kosovës, ka qenë një rast “i vrasjes në mënyrë metaforike” kundër familjes Limaj.

“Rasti të cilin e kanë paraqitur PSRK- ja ka qenë thjesht një rasti i vrasjes në mënyrë metaforike kundër familjes Limaj. Kanë qenë të përfshirë dy vëllezërit e tij, e gjithë kjo pakumptimësi është refuzuar nga gjyqtarja Adamska, dhe të gjitha mesazhet e rrejshme, çka mund të themi tjetër”, tha Khan, duke iu referuar aktakuzës së rastit të njohur si MTPT 1, ku para se të konsolidohej, pjesë e aktakuzës ishin edhe dy vëllezërit e Limajt, Florimi e Demiri, për të cilët u hodh poshtë akuza.

E prokurori përmendi edhe Troy Wilkinson, ish- hetuesin e EULEX, për të cilin në ditën e djeshme prokurori tha se ka bashkëpunuar me grupin e Limajt pasi që është larguar nga EULEX. Kjo pasi që Limaj pretendon se Wilkinson ka provuar se ish- shefja e PSRK- së, Isabelle Arnald ka thënë ta kapin atë, “me apo pa prova”.

Avokati i Limajt, Khan, tha se Wilkinson është kritikuar vetëm pse ka thënë se gjërat në EULEX nuk janë ashtu siç duhet të jenë.

Sa i përket artikullit në “Le Monde” ku ish- udhëheqësi i gjyqtarëve të EULEX, Malcolm Simmons, ka thënë se EULEX është mision politik që dëshiron “rrëzimin e një klase të politikanëve kosovarë, sikur Fatmir Limaj”, Khan tha se do të shihet përmes shtypit se çfarë do të ndodhë më tutje.

“Kolegu im ka përmendur Troy Wilkinson, Malcolm Simmons, se individët të cilët kanë qenë shërbyes në këtë mision, të rekrutuar nga EULEX, janë kthyer kundër, të cilët janë kritikuar kur thonë se gjërat nuk janë ashtu siç duhet të jenë. E kemi parë këtë në rastin e Wilkinson, dhe do ta shohim përmes shtypit se çka do të ndodhë me të nderuarin gjyqtarin Simmons”, shtoi ai.

Sa i përket dëshmitarëve të marrë në pyetje deri më sot, Khan tha se asnjëri nga ta nuk e ka përkrahur këtë rast.

Në veçanti, avokati Khan i kushtoi më shumë kohë dëshmitarit tani më të ndjerë, Mehmet Shkodra, sipas tij “shtytësit të këtij rasti”.

Khan përmendi disa SMS-ë të Shkodrës dërguar Fatmir Limajt, Adem Grabovcit e Nexhat Krasniqit, përmes të cilëve Shkodra kishte këmbëngulur vazhdimisht që të takohej me Limajn, e sipas avokatit, duke përmendur në SMS takime fiktive mes Limajt e tij.

Në SMS-në e përmendur, Khan tha se Shkodra disa herë ka shkuar në zyrën e Limajt dhe e ka pritur me orë të tëra duke insistuar që tenderi për mirëmbajtjen verore të rrugëve ti jepet atij, gjë e cila edhe nuk ka ndodhur.

“Fakti se nuk i janë dhënë tenderët tregon se procesi i tenderimit ka funksionuar me rregull”, tha Khan.

“Kompania e tij që ka qenë tërësisht e papërshtatshme për të dhënë tender… Shkallën impresive e ka pasur zero”, shtoi Khan.

E fjalën e tij përfundimtare, avokati i Limajt e përmbylli duke theksuar se Limaj asnjëherë nuk i ka ikur këtij procesi gjyqësor, nuk i është fshehur, nuk i është arratisur, por, është ballafaquar me akuzat.

Khan, kërkoi që Limaj të lirohet nga të gjitha pikat e akuzës.

Pas tij, fjalën e morri Fatmir Limaj, i akuzuari kryesor në këtë proces gjyqësor.

“Ja ku jemi sot, pas 2,764 ditëve që unë ballafaqohem me këto akuza. Që nga 2015 kur kemi filluar procesin, i kemi kaluar të gjitha provat e prokurorisë, i kemi dëgjuar gjithë ata dëshmitarë dhe në fund kemi dëgjuar fjalën përfundimtare të prokurorit. As në shkresa të lëndës dhe asnjë dokument dhe nga asnjë dëshmitar nuk është thënë që edhe një cent është abuzuar nga unë gjatë kohës sa kam qenë ministër”, theksoi Fatmir Limaj.

Sipas Limajt, çdo gjë kishte filluar nga një ankesë, një copë letre, e cila e ka mbajtur atë për kaq shumë vite me radhë në këtë proces gjyqësor, dhe tani që arriti fundi “asgjë tjetër nuk ka përveç asaj ankese”.

“As ndonjë provë apo dëshmi që do të vërtetonte akuzën e prokurorisë”, tha Limaj.

“Jam krenar që pas këtyre 2764 ditëve kjo që kam thënë unë tashmë është provuar sepse para jush nuk është prezantuar asnjë provë që vërteton akuzën e prokurorisë”, shtoi Limaj.

Limaj e përmbylli fjalën e tij përfundimtare me kërkesë nga Gjykata që vendimin ta marrë në bazë të provave të paraqitura dhe në përputhje me ligjin, duke thënë  se “është koha është që të flasin faktet dhe provat, jemi lodhë nga thashethemet që kanë ndodhur deri sot”.

Kërkesën për lirimin nga të gjitha pikat e akuzës e patën edhe avokatët tjerë mbrojtës, si Nysret Islami, Florent Latifaj, Blerim Prestreshi e Sevdali Zenjullahu.

Që të gjithë kërkuan nga trupi gjykues që në mungesë të provave të lirohen mbrojtësit e tyre në të gjitha pikat e akuzës.

Avokati i të akuzuarit Endrit Shala, Nysret Islami, theksoi se e gjithë aktakuza ndaj Shalës është e bazuar në pretendimet e prokurorisë në disa SMS që, sipas tij, janë të fabrikuara.

“E gjithë aktakuza ndaj klientit tim Shala, është e bazuar në pretendimet e prokurorisë në disa të ashtuquajtur SMS, në disa letra hardcopy e të cilat kanë qenë një dokument i fabrikuar, dhe po ashtu prokuroria në gjithë aktakuzën ka bërë interpretime tërësisht të gabuara të situatave të caktuara dhe të komunikimeve reale të klientit tim”, tha Islami, duke shtuar se përmbajtja e këtij dokumenti tani më është e shpallur si provë e papranueshme.

Avokati i Florim Zukës, të akuzuarit për dhënie ryshfeti Blerim Prestreshi, tha se gjatë tërë procesit kanë dëgjuar “vetëm thashetheme dhe jo prova”. Ai theksoi se nga dy pikat për të cilat akuzohet Zuka, njëra nga to vetëm se është parashkruar në kohën kur është konsoliduar MTPT 1 dhe MTPT 2, ndërsa për pikën e dytë, sipas tij, prokuroria asnjëherë nuk ka arritur t’i përforcojë këto pretendime përtej dyshimit të bazuar.

Njëjtë u shpreh edhe avokati i Shpëtim Telakut, Sevdali Zenjullahu i cili tha se “kush e analizon këtë aktakuzë e vëren se nuk ka kuptim logjik”.

Sipas Zenjullahut, me asnjë provë të prokurorisë nuk mund të vërtetohet pretendimi se grupi kriminal është i krijuar.

“Me cilat prova është vërtetuar që ndonjëri nga të akuzuarit ka përfituar në çfarë do mënyre”, ishte pyetja e tij, duke aluduar se nuk ka prova për një pretendim të tillë.

Që të gjithë të akuzuarit mbështetën fjalën e mbrojtësve të tyre.

Edhe i akuzuari Endrit Shala, pati disa fjalë më shumë për t’i thënë trupit gjykues.

Ai tha se prokurori në fjalën e tij përfundimtare nuk u mbështet në asnjë provë të vetme apo dëshmi përmes së cilës do të mbështetej apo dëshmuar akuza kundrejt tij.

“Ndihem krenar që kam punuar me korrektësi dhe profesionalizëm, në përputhje të plotë me kompetencat e mia, në shërbim të vendit tim”, tha i akuzuari Shala, duke theksuar më pas se asnjë veprim i tij gjatë atyre 3 viteve punë në MTPT, nuk ka qenë i kundërligjshëm.

Mbrojtjen e tij Shala e përmbylli duke thënë se drejtësia do të ishte e vetmja gjë e cila do të shëronte plagët e tij dhe të familjes, të shkaktuara gjatë këtij procesi gjyqësor.

Në ditën e djeshme, prokurori i çështjes, Charles Hardaway, ka thënë fjalën e tij përfundimtare.

Rreth dy javë më parë, KALLXO.com ka bërë të ditur se shpallja e aktgjykimit të këtij rasti, do të bëhet këtë të premte.

Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar.

Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala.

Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Gjykimi lidhet me disa rrugë të asfaltuara në komunën e Gjilanit.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button