Manastir, shënohet Dita e Alfabetit Shqip (VIDEO)

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 22 nëntorit, Kongresit të Manastirit dhe Ditës së Alfabetit Shqip, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe figura të shquara të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, vizituan Muzeun e Alfabetit Shqip në Manastir dhe ekspozitën me portretet e kongresmenëve të cilët miratuan vendimin e pranimit të alfabetit shqip, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në manifestimin e mbajtur në Manastir, ndër shumë mysafirë të ardhur nga rajoni dhe më gjerë, ishin edhe zëvendëskryeministri përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika, ministri i Kulturës i Maqedonisë, Robert Allagjozovski, kreu i Bashkimit Demokratik për Ingegrim (BDI), Ali Ahmeti, zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmani, si dhe ministra shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë.

Kreu i BDI-së, duke theksuar se një ndër vlerat më të mëdha të kombit shqiptar është dita e 22 nëntorit, deklaroi: “Pas 22 nëntorit të alfabetit pasojnë ngjarje të tjera si pavarësia dhe shumë zhvillime brenda kombit shqiptar. Edhe pse këta njerëz para 109 vjetësh mund të jenë përgojuar, ata kanë bërë hapin më me vlerë në historinë e kombit tonë”

Ekspozita e përgatitur nga një koloni artistike me portretet e 11 kongresmenëve të Kongresit të Manastirit, si dhe aktivitete të tjera kushtuar kësaj dite në Maqedoni, u organizuan nga Sekretariati i Qeverisë së Maqedonisë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Sot është një ditë e shënuar e kombit tonë. Me këtë ekspozitë kemi tentuar që të shpaguajmë për punën e tyre që kanë bërë sot e 109 vite”, tha Valmir Aziri, sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë.

Mëngjesin e sotëm, zëvendëskryeministri Hazbi Lika, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Bujar Osmani, në hapësirat e Qeverisë së Maqedonisë priti dhe nderoi në mënyrë solemne doajenët e arsimit të gjuhës shqipe në Maqedoni.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme, në kuadër të Ditës së Alfabetit, në Manastir u mbajt tribuna shkencore kushtuar 109 vjetorit të Ditës së Alfabetit, ku të pranishëm ishin studiues të albanologjisë nga institucionet shkencore të Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë. I ftuar special ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i shoqëruar nga zv/kryeministri Hazbi Lika.

Ndryshe, Dita e Alfabetit Shqip apo “Kongresi i Manastirit” shënon mbledhjen e dhjetëra dijetarëve shqiptarë më 14-22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me synimin e përcaktimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Në këtë kongres delegatë të ardhur nga anët e Shqipërisë, si dhe nga shoqata dhe klube shqiptare nga mbarë bota, miratuan vendimin e pranimit të alfabetit latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar në 36 shkronja të gjuhës shqipe.

Për popullin shqiptar, “Kongresi i Manastirit” ishte ngjarja më e rëndësishme në fillim të shekullit XX, ku me rezultatet e tij më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. Me këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore për popullin shqiptar si “Dita e Alfabetit”.

LEXO MË SHUMË:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button