ITSHKSH dhe Sekretariati për Zbatimin e MO kujtuan veteranët e arsimit

Në Ditën e Alfabetit Shqip, ditën e njësimit të gjuhës shqipe, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup (ITSHKSH) në bashkëpunim me Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Qeverinë e Maqedonisë kujtuan veteranët e arsimit, të gjithë ata që ndër dekada kanë qenë sy e dritë në rrugëtimin e jetës, transmeton MIA. 

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani në fjalimin e tij para të pranishmëve tha se takimi i sotëm është me një simbolikë të madhe, pasi organizohet në godinën e qeverisë, e cila në të kaluarën ka qenë famëkeqe, meqë në të janë hartuar plane dhe strategji kundër arsimit shqip, është projektuar mbyllja e shkollave shqipe, janë diferencuar ideo-politikisht, por edhe janë burgosur shumë mësues shqiptarë, ndërsa sot takimi me veteranët e arsimit mbahet në kushte të reja, kur kemi dy universitete në gjuhën shqipe dhe një institut i cili merret me kultivimin dhe afirmimin e kulturës dhe historisë shqiptare. “Dita e sotme është ditë ngadhënjimi e arsimit shqip mbi të keqen dhe mbi ata që deshën shkatërrimin e tij”, theksoi Asani.

Asani theksoi se në këtë festë të madhe të shkronjave shqipe, në këtë ngjarje historike, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup shënon 10 vjetorin e themelimit.

“Këtë përvjetor jubilar, ne po e kurorëzojmë me shumë suksese në planin shkencor, duke organizuar me dhjetëra konferenca të karakterit lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe duke prezantuar punën tonë edhe në Uashington, Nju Jork dhe në qendrat e rëndësishme rajonale dhe evropiane.  Për një dekadë punë, Instituti ynë po e arrin numrin treshifror në botimin e veprave shkencore. Me sukses po botohet revista “Studime albanologjike”, si dhe edicioni tjetër periodik që e bartë emrin e vjetër të Shkupit – “Scupi”. Instituti ka nevojë edhe për autonomi më të madhe veprimi, dhe për më shumë mbështetje institucionale në aspekt të realizimit të projekteve dhe planeve të parapara hulumtuese – shkencore. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të kompensojmë mungesat më se gjysmëshekullore të përparimit tonë në shkencë e kulturë. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të ecim tutje, duke e rritur imazhin jo vetëm se të institucionit tonë, por edhe në përgjithësi të shqiptarëve kudo që janë”, theksoi ai.

Zëvendëskryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika në fjalimin e tij foli për rëndësinë e kësaj date dhe për kontributin e madh të mësuesve shqiptarë në ngritjen dhe emancipimin e kombit dhe shoqërisë.

Në takimin me veteranët e arsimit shqip,Xhevat Gegës, profesor në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shkupit iu nda mirënjohje post-mortum për kontributin e tij në zhvillimin dhe avancimin e arsimit në gjuhën shqipe, qëndron në kumtesën e Shërbimit për informim të ITSHKSH-Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button