Qeveria e Kosovës reagon ndaj dënimit me burgim të përjetshëm ndaj Mlladiqit

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se dënimi i Ratko Mlladiqit me burgim të përjetshëm është vendosje e drejtësisë ndërkombëtare dhe satisfaksion për viktimat e luftës në Bosnjë.

Qeveria dhe populli i Kosovës më këtë rast, përkujtojnë publikun botëror se regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe gjeneralët e tij, kanë aplikuar edhe në Kosovë të gjitha format e krimeve të përshkruara në aktakuzën kundër Mlladiqit, transmeton Koha.net. 

“Serbia e Millosheviqit i ka vrarë 11 mijë civilë shqiptarë në Kosovë, ka djegur e shkatërruar 130 mijë shtëpi, ka marrë pengje lufte 4 mijë të tjerë, ka përdor si mjet lufte dhunimin seksual të mijëra grave, dhe në fund ka deportuar rreth 800 mijë qytetarë shqiptarë jashtë kufijve të Kosovës”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës konsideron se është sinjal tepër trishtues për brezat që vijnë tendenca e rehabilitimit të kriminelëve të luftës, qoftë përmes heroizmit, qoftë përmes rehabilitimit të tyre, duke i propozuar ata që të ligjërojnë në Akademitë ushtarake.

Qeveria e Kosovës vlerëson se porosia që dha sot TPNJ duhet t’u shërbejë në radhë të parë qeverive të rajonit për t’u ballafaquar me guxim me të kaluarën dhe për të reflektuar më shumë vendosmëri për t’u thënë jo politikave etnonacionaliste, si dhe për të nxitur më shumë mirëkuptim për viktimat – pavarësisht origjinës së tyre – për një paqe të qëndrueshme dhe pajtim ndërmjet popujve të kësaj hapësire të Evropës.

“Ky verdikt i TPNJ duhet t’u shërbejë qeverive të rajonit për përkujtesë për ta braktisur përfundimisht dhunën në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe për të marrë kursin e pajtimit dhe njohjes e respektimit të vlerave reciproke, për t’i dhënë zemër përqafimit të vlerave të përbashkëta evropiane dhe për ta inkurajuar synimin e popujve të rajonit tonë drejt integrimeve evropiane dhe Euro-Atlantike”, ka përfunduar deklarata e Qeverisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button