Fatjon Jusufi, futbollisti i talentuar i “Renovës” synon majat e karrierës (Intervistë)

Për të pasur sukses në futbollin në Maqedoni, duhet të jesh shumë i fortë fizikisht dhe duhet të zbatosh në përpikëri urdhërat taktike të trajnerit. Pastaj, të duhet dhe një qetësi dhe maturi e madhe. Nëse nuk ke durim dhe vendosmëri, veçse ke dështuar në këtë sport thotë Fatjon Jusufi në një intervistë për Portalb.mk.

Futbollisti i Renovës, i cili ishte në qendër të vëmendjes javën që lamë pas me super golin që e shënoi në transfertë kundër ekipit të Shkupit, flet gjithashtu edhe për vështirësitë me të cilat përballen futbollistët e rinj në Maqedoni. Sipas tij mungesa e infrastrukturës nga njëra anë dhe mundësia që vazhdimisht ju mohohet nga ana tjetër, ua bëjnë “jetën” të vështirë futbollistëve të rinj në vendin tonë.

Mesfushori 21 vjeçar me tipare sulmuese është tashmë tre vite titullar i padiskutueshëm në ekipin nga Xhepçishti i Tetovës, pasi kaloi nëpër të gjitha ekipet zinxhirë për të arritur deri tek ekipi i parë. Ai pati një debutim ëndrrash kundër Bregallnicës, tre vite më parë, moment të cilin i riu e kujton edhe gjatë intervistës për Portalb.mk.

“Isha vetëm 18 vjeç dhe mu dha mundësia të debutoja me ekipin e parë si startues. Ishte ndeshja ndaj Bregalnicës të cilën e fituam me rezultatin 2-1 dhe unë shënova golin e parë të takimit. Një ndjenjë e pakrahasueshme të shënosh gol në debutim dhe për më tepër, të ndihmosh ekipin të fitoje”, kujton debutimin e tij Fatjoni.

Thotë se në memorie do ti qëndroi për një kohë të gjatë edhe goli kundër Vardarit, me anë të së cilit arriti ti eliminoi “kuq e zinjtë” nga Kupa e Maqedonisë. Përveç rëndësisë që pati ndeshja, ky gol do të mbahet mend edhe për faktin se u shënua mjeshtërisht.

Në ligën e Maqedonisë kualitetet individuale të lojtarit shumë vështirë vijnë në shprehje

Mesfushori i Renovës shprehet për Portalb.mk se në ligën e Maqedonisë shumë vështirë vijnë në shprehje kualitetet individuale të lojtarit, kjo në të shumtën e rasteve për shkak të terreneve jo të përshtatshme ku zhvillohen ndeshjet.

“Shumica e fushave sportive ku zhvillohen ndeshjet në Maqedoni, nuk të lejojnë të tregosh atë që di në të vërtetë dhe loja bazohet më shumë në vendosjen taktike dhe në forcën fizike”, thotë Jusufi.

Fatjon Jusufi
Fatjon Jusufi

Ai më tej shton se  “mungesa e fushave sportive që plotësojnë kushtet më elementare vazhdon të mbetet ende një problem në vendin tonë. Të shumtë madje janë ata të rinj të cilët vendosin të tërhiqen nga ëndrra e tyre për shkak të kushteve ‘mizerie’ në vendet ku stërviten. Pastaj, ata që ‘mbijetojnë’ deri në këtë moshë, shpesh përballen me mungesën e shanseve dhe problemeve të ndryshme”.

Nëse dëshiron të luash futboll në nivele të larta, duhet t’iu thuash “lamtumirë” disa gjërave

Fatjoni për Portalb.mk foli edhe për sakrificat që duhet të bëje një futbollist për të arritur në nivele të larta, të cilat sipas tij janë të panumërta.

“Duhet të heqësh dorë fillimisht nga shumë gjëra të cilat i konsideron si pjesë të pandashme të jetës tënde. Duhet punë ditore dhe ritëm i vazhdueshëm. Duhet t’i kushtosh shumë rëndësi peshës trupore dhe trashësisë dhjamore poashtu. Duhet të harrosh jetën e natës dhe të kesh gjum të rregullt, më së paku 8 orë në ditë. Pastaj, të duhet dhe një qetësi dhe maturi e madhe. Nëse nuk ke durim dhe vendosmëri, veçse ke dështuar në këtë sport”, thotë ai.

Ndërsa sa i përket futbollit në vend, Jusufi veçon forcën fizike dhe disiplinën si elemente bazë që ndajnë suksesin nga dështimi. “Në përgjithësi, për të pasur sukses në futbollin në Maqedoni, duhet të jesh shumë i fortë fizikisht dhe duhet të zbatosh në përpikëri urdhërat taktike të trajnerit”, porosit mesfushori i Renovës.

Edhe përkundër suksesit momental, i riu nga Xhepçishti i Tetovës qëndron me këmbë në tokë dhe për sa i përket të ardhmes premton vetëm punë dhe përkushtim. Sipas tij, puna permanente dhe një vendosshmëri e hekurt patjetër që do të prodhojnë rezultate pozitive.

Intervistën për Portalb.mk e përfundon me premtimin për vazhdim të punës së palodhshme dhe regjimit profesionist  me objektivin për t’u përmirësuar dhe për t’u maturuar akoma më tepër.

Më poshtë mund të shihni një përmbledhje të momenteve më të mira të futbollistit Fatjon Jusufi, në sezonin 2016/17

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button