VAJZA SYKALTËR

Natë. Një kafene e Shkupit pranë rrugës. Jashtë disa njerëz presin autobusin urban, taksistët – udhëtarë. Ne, dy miq, pimë kafe brenda. Flasim për zgjedhjet. I shprehim dyshimet tona për korrektësinë e procesit. Më duket se përsëritemi vazhdimisht, vazhdimisht i themi gjerat e njëjta. E di, por kështu është. Na “kall” kjo atmosferë parazgjedhore e zgjedhore. Ka diçka sadiste kjo atmosferë. Të lidh për vete me gjithë terrorin shpirtëror që na bën dhe edhe përsëritjet duken të ëmbla. Pastaj bisedën e ndërpret një vajzë, aty nja nëntë apo dhjetë vjeç. Afrohet si me droje, si me turp dhe ndalet para tavolinës sonë. Shihet qartas se fjala të cilën e ka nijet ta thotë, s’i del dot gojet. Thua ti është një fjalë që i lidhet për fyti, e prridh, ia zë frymën, një fjalë me peshën e shkëmbit. Më në fund ia del. Bëlbëzon:

– Ni pare, ju lutna. Për nanën. E kam smut. – Dhe, vazhdon të na shikojë me shpresën e njeriut që mbytet në ujë dhe e kërkon dermanin te fija e kashtës.

A shkon në shkollë, moj bijë? – e pyet miku im duke nxjerrë të hollat prej xhepi. – Ku të punon babai?

– Nuk kam babë. – Pastaj bie një heshtje. Pamja e saj e një fëmije të regjur, të pjekur para kohe, zëri i një krijese të lodhur e tërheq vëmendjen e të pranishmëve në tavolinat përreth. Njëri nxjerr njëqind denarë, tjetri pesëdhjetë, dikush më pak e dikush më shumë. Kush sa ka mundësi. Ajo nuk e pret se kaq do ta hapin qesen njerëzit për hallin e saj. Skuqet nga bujaria e njerëzve e cila i bëhet barrë plotësuese e cila nuk e lë ta shtrijë dorën. Një njeri nga të pranishmit i mbledh të hollat, i palon dhe ia jep në dorë.

– A shkon në shkollë? – e pyet sërish miku im.

– Jo. Nuk shkoj.

Me paratë në dorë largohet, kryelëvarur. Ajo tretet në terr, por imazhi i saj mbetet të qëndrojë pezull para nesh. Sytë e saj të kaltër mbeten të shkëlqejnë në kujtesë, ata sy që i prijnë voglushes në kapërcimin e lumit të tmerrshëm të mjerimit për të kërkuar ilaç për nënën e sëmurë.

Nuk ndjehem mirë nga kjo skenë, ndonëse e di se paratë e mbledhura do ta sigurojnë ilaçin, mirëpo ato para nuk e çajnë dot terrin nëpër të cilin endet ajo voglushe duke kërkuar dritën që dikush ia ka grabitur.

Ngrihemi ne, ngrihen edhe disa të tjerë e dalim nga kafeneja. Shkojmë nëpër shtëpitë tona duke kaluar pranë xhamive të reja, pranë kishave të reja, pranë shtëpive pallate, nëpër parkingje ku s’ke vend as një gjilpërë ta lëshosh.

Për vete e ndjej atë barrën e rëndë të cilën e mban mbi supet e veta të njoma ajo vashë sykaltër që lufton me errësirën me forcën e dashurisë për nënën.
Kjo nuk është një ngjarje e rëndomtë, por është një poezi e cila lirikën e saj e zbulon në hapësirat e papritura, në sferat shpirtërore ku qëndron protesta e rebelimi, ku janë atdhedashuria dhe dashuria që presin të materializohen. Fill pas këtij konstatimi shtrohet pyetja: kush i ka çelësat për ta hapur derën e hekurt e cila ia zë rrugën vajzës së gjorë dhe shumë vajzave të tjera, të cilat sot nuk shkojnë në shkollë. Të cilat kërkojnë ilaç për nënën plakë, të cilat kërkojnë shteg që të shpëtojnë nga kthetrat e mjerimit dhe të padrejtësive? Përgjigjja dihet. Dihet njëherësh se protesta i zgjon nga gjumi ata që i kanë çelësat. Por, a dimë ne se protesta është vegël jona, vegël e popullit?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button