Në disa aksione policore në Serbi arrestohen 93 persona, konfiskohet drogë dhe armë

Në disa aksione të ndara në Serbi, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, janë arrestuar 93 persona, duke përfshirë edhe gjashtë policë, ndërsa janë konfiskuar rreth 3,8 kilogramë narkotikë, njoftoi sot Ministria serbe e Punëve të Brendshme.

Në kuadër të shkatërrimit të korrupsionit dhe krimit ekonomik janë arrestuar 37 persona nën dyshim se në periudhën nga viti 2009 e deri më sot kanë kryer vepra penale, me të cilat i kanë shkaktuar dëm buxhetit republikan dhe krahinor, si dhe buxheteve të disa vetëqeverisjeve lokale dhe personave të tjerë ekonomik dhe fizik, në vlerë prej 8,3 milionë euro, transmeton MIA.

Krahas gjashtë policëve, në aksionet janë arrestuar edhe ish-shefi i komunës Tërstenik, inspektor në Ministrinë e Mbrojtjes së Mjedisit Jetësor, të punësuar në Ministrinë e Drejtësisë, të punësuar në komunat Vranjë dhe Nish dhe në drejtoritë doganore Zaeçar dhe Leskovac, si dhe të punësuar në Elektro-distribucion – Nish dhe të tjerë.

Në luftën kundër krimit dhe tregtisë me narkotikë, policia arrestoi 56 persona dhe konfiskoi 3,3 kilogramë marihuanë, 170 gramë heroinë, 53 gramë kokainë, 280 gramë amfetaminë, 17 copë ekstazë dhe 510 gramë përzierje, e cila përdoret për rritje të sasisë së narkotikëve, si dhe tetë peshore digjitale.

Janë konfiskuar pesë pistoleta, një pushkë automatike dhe dy gjuetie, 1.582 copë municion, mjet shpërthyes dhe një minë hedhëdr, si dhe tetë automjete dhe të tjera.

Aksionet janë realizuar në Beograd, Novi Sad, Suboticë, Pançevë,  Kikinda, Jagodinë, Zaeçar, Kralevë, Krushevac, Nish, Leskovac dhe Vranjë, ndërsa janë arrestuar të dyshuar për vepra penale për fshehje të tatimit, shantazh, keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim, prodhimtari të paautorizuar, posedim dhe tregti me droga narkotike, plaçkitje, prodhimtari ilegale, posedim, mbajtje dhe transport të armëve dhe materie shpërthyese dhe rrezikim të sigurisë.

Krahas të arrestuarve, nga MPB-ja serbe njoftojnë se, kundër 38 personave do të parashtrohen kallëzime penale në procedurë të rregullt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button