Takimi Ivanov- Meta, BE-ja dhe NATO shkak që të mbajmë raporte të mira fqinjësore (VIDEO)

Kryetari i Shqiperisë, Ilir Meta dhe homologu i tij i Maqedonisë, Gjorge Ivanov pas takimit të përbashkët të tyre që u mbajt sot në Shkup vlerësuan se raportet e mira fqinjësore ndërmjet shteteve të Ballkanit duhet të jenë prioritet për shkak të perspektivave euro-atlantike të rajonit, raporton Portalb.mk.

“Kemi pasur një disponim relaksues sa i takon takimit të sotëm duke shqyrtuar të gjitha çështjet që i tangojnë të dyja shtetet, si nevoja për fqinjësi të mirë, e veçanërish kur njëri nga shtetet e Ballkanit do të kryesojë me Bashkimin Evropian. Perspektiva dhe synimi për integrim në NATO dhe BE është synim i të dyja shteteve dhe për këtë duhet të punohet në ruajtjen e raporteve të mira fqinjësore”, tha Ivanov.

Nga ana tjetër, homologu i Ivanovit, Ilir Meta, duke përdorur një thënie të Nënës Terezë tha se ruajtja e raporteve të mira fqinjësore është kusht për integrim në NATO dhe BE, veçanërisht në këtë situatë kur Maqedonia është në një nivel të lartë të mundësisë së integrimit të saj.

“Do ta përdorja një thënie të Nënës Terezë ku thotë “Se në vend se të bëjmë armiq, raportet tona t’i përdorim për të bërë miq” duke shprehur se mbajtja e raporteve të mira fqinjësore është njëra nga synimet tona. Jemi krenar për partitë që kemi në Maqedoni, për traditën, gjuhën, kulturën që e ruajnë, pasi që janë një pasuri e rëndësishme për ne, pasi që janë një udhë e rëndësishme e lidhjes sonë me Maqedoninë. Të gjithë presim që Maqedonia ta merr vendin e nevojshëm në NATO dhe të merr një zhvillim drejt Bashkimit Evropian që të nxisim vazhdimin e dialogut për zgjidhjen e problemit që stagnoi këtë përparim. Këtë e bëjmë sepse Maqedonia si pjesë e NATO-s paraqet faktor edhe për sigurinë dhe stabilitetin e tërë rajonit. Sa i takon bashkëjetesës, ne nxisim edhe progresin e zhvillimit të të gjitha bashkësive gjë e cila do të reflektohet me ligjin e gjuhëve”, tha Meta.

Meta vlerësoi se“të gjitha këto përpjekje për nxitjen e raporteve të mira ndërfqinjësore për të arritur një zgjidhje të problemeve do të finalizohen në seancën e përbashkët qeveritare ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë”.

Ai u falenderua edhe për njohjen e Kosovës nga Maqedonia pasi që siç u shpreh ai “vendimi i njohjes së Kosovës nuk ka qenë i lehtë”.

Sa i takon bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe vendimeve gjyqësore të fundit në Maqedoni dhe anëtarësimin e Kosovës së UNESCO, Meta tha se “shpreson se Qeveria e re është e përkushtuar t’i japë prioritet anëtarësimit në NATO dhe BE dhe me këtë të mbajë raporte të mira me Kosovën. Kurse sa i takon vendimeve të gjyqësorit ndaj shqiptarëve, nuk mund të ndërhyjë në çështje konkrete të cilat kanë të bëjnë me ligjin e Maqedonisë, por shpresoj se fazat tjera të gjykimeve të jenë më evropiane dhe më transparente. Përderisa anëtarësimi në NATO dhe BE mbetet prioritet i Maqedonisë, besoj se kjo do të jetë një mundësi veprimi në bazë të standardeve evropiane”, tha Meta.

Sa i takon Edmond Temelkos, kryetarit të Pustecit i akuzuar nga Prokuroria Speciale Publike, kryetari i Maqedonisë, Ivanov tha se “Temelko është në gjendje të vështirë jetësore dhe unë e kam përcjell këtë informatë te të gjitha organet e vendit, sepse me shumë gjasë nuk do të arrijë ta mbijetojë. Meta ka shprehur shqetësimin e tij sepse bëhet fjalë për një shtetas të Shqipërisë”, tha Ivanov

Meta tha se “çdo shtet ka për detyrë të zhvillojë brengosje për shtetasit e tyre por që çdo shtetas do të duhet të respektojë legjislaturën e shteteve përkatëse, përfshirë këtu ligjin e Maqedonisë dhe Shqipërisë”,

Sa i takon pozitës së pakicave në Shqipëri, Meta u shpreh “se Shqipëria është e përkushtuar në respektimin e pakicave në Shqipëri, përfshirë bullgarët dhe maqedonasit. Kjo është kërkuar edhe nga Kuvendi, që të kemi një respektim maksimal të pakicave në Shqipëri. Por kjo nuk do të thotë se kemi zbatuar vepra të cilat kanë shkelur të drejtën e pakicave”.

Pas Ivanovit, Meta do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Siç dihet deri më tash, Meta do të takohet edhe me krerët e partive politike shqiptare. Me Lëvizjen Besa takimi do të realizohet në ora 17:00.


Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button