S’DINTE ÇFARË TITULLI

Lindita Kadriu

Lindita Kadriu

Me prezencën dhe me mungesën e vet, ai gjithmonë e rikthente në jetë të ëndërruar, që me gjasë vetëm ëndërr ishte.

Kuptoheshin të dytë pa folur.

Emocioni më i zëshëm është emocioni që heshtet, kur nuk duhen fjalë për t’u marrë vesh.

Dashuria e pakohë, tash e dinin të dy, nuk zvetënohet.

Përkundrazi.

Rritet nga pamundësia.

Ushqehet në distancë.

Kështu qe kjo punë, prandaj kur i drejtoheshin njëri-tjetrit sikur flisnin me veten.

Nuk kishte kushte as mënyrë, bile paradoksale por as edhe dëshirë për “dalje nga situata”.

“E vetmja gjë e mençur mbetet durimi dhe përshtatja me situatën”, kishte lexuar ai në një letër të moçme dashurie, libri ishte epistolar, dialog i dy shpirtrave që ishin larg po aq sa afër.

“Betejat e humbura, e dashur, janë nga aspekti etik – pra edhe njerëzor – më të rëndësishme se sa betejat e fituara”, edhe kjo qëndronte në atë libër që kur e lexoi atëherë moti nuk ia kishte rrok mendja se në asi beteje, siç thotë klisheja: do ta hedhnin dallgët e jetës, një ditë.

Gjithçka nisi një ditë vjeshte.

Ai nuk i mbante mend datat.

Ajo, po.

Festonte përvjetorin e takimit të tyre të parë.

Ajo rrugë ku të dytë ishin si nën ethe…drunjtë nga të dyja anët…degët, nën dritat e rrugës, ngjanin më të verdha se sa që ishin.

Ata, secilit kalimtar që kthente kokën, i dukeshin më të qetë se sa që ishin.

Dy miq që bisedonin me kafe, ajo fliste më ndezur se ai.

Donte me një frymë t’i rrëfente shumëçka për veten dhe të mësonte për të.

Nuk ishte e mundur, prandaj shumë fjali mbeteshin gjysmake, tema të nisura asnjëherë të mbaruara.

Ai më shumë dëgjonte. Më i mençur. Sytë si të sorkadhes.

Ajo nuk dinte as si duhet të mbarojë kjo letër, çka duhet të qëndrojë në fund.

Dhe e la me kaq.

Jo, nuk përfundohet kështu letra.

Mandej shtoi:

Edhe këtë 15 nëntor deshte të shkonte atje në mbrëmje, të kremtonte pa pikëllim anise vetëm, por mandej iu kujtua që kafeteria nuk punonte më.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP