Ja çfarë thanë pas takimit kryeministri Zaev dhe eurokomesari Han

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe eurokomesari Johanes Han, pas takimit, kanë mbajtur konferencë të përbashkët për shtyp, njofton Portalb.mk.

LEXO: Eurokomesari Han u takua edhe me Xhaferin, Selën dhe Ahmetin (VIDEO)

Ja çfarë tha Johanes Han

Eurokomesari Han, pas takimit, u shpreh optimist për punën e autoriteteve në Maqedoni për zbatimin e reformave në të gjitha fushat, ndërkaq tha se Maqedonia është shembull për rajonin, raporton Portalb.mk.

“Me kënaqësi i dëgjoj projektet kyçe të cilat i marrin institucionet përkatëse. Punët shkojnë në drejtim të mirë dhe duhet edhe më shumë të punohet. Unë nuk jam naiv, sipas vlerësimeve, nëse popullata e sheh si qëllim nacional integrimin në BE, atëherë të gjithë duhet të përkushtoheni, opozita duhet të luaj rol konstruktiv, që të arrihen të gjitha afatet dhe datat që të arrihet zhvillimi. Pranoj se ka  ndryshime në shtet, të cilat janë të patjetërsueshëm për shkak të mjedisit politik, keni arritur zhvillim të madh, jeni shembull për rajonin dhe ju falënderoj për përkrahjen në bashkëpunimin me rajonin. Bashkë kemi arritur shumë, mendoj se disa herë po punojmë, pra BE punon për perspektivën evropiane të vendit tuaj dhe ajo mund të arrihet”, deklaroi Han.

Ja çfarë tha Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pas takimit me eurokomesarin Han, theksoi se ai dhe kabineti qeveritar angazhohen për plotësimin e kushteve të cilat janë të vendosura nga BE, si dhe për zbatimin e reformave të parapara nga plani “3-6-9”, raporton Portalb.mk.

“Qeveria është e përkushtuar në proceset reformuese. E përshëndes eurokomesarin Han, kjo vizitë vjen në moment kur ne gjendeni në fazë kyçe për vlerësimin e planit reformues 3-6-9, ky është udhërrëfyesi ynë. Nuk kishte kurrfarë dyshimi pasi që qytetarët e treguan vullnetin e tyre, se prioritetet e para të qeverisë do të jenë anëtarësimi në NATO dhe BE bashkë me fqinjësi të mirë”, tha Zaev.

Ai gjithashtu tha se, Qeveria e re reformuese ka filluar me zbatimi ne reformave në të gjitha fushat, në të cilat, Maqedonia ka pasur ngecje në vitet e fundit.

“Kemi organizuar zgjedhje lokale demokratike. Në bashkëpunim me Kuvendin, Qeveria do të fokusohet në kthimin e ambientit demokratik, nëpërmjet bashkëpunimit me të gjitha partitë. Do të bëjmë kornizë institucionale për funksionim të shoqërisë civile. Reformat në media do të bëhen, në aspektin duke mos lejuar ndikime të jashtme, i kemi ndaluar reklamat qeveritare. Kemi bërë reforma në gjyqësor. U shfuqizua Këshilli për Verifikimin e Fakteve dhe u miratua propozim – ligji për dëshmitarët e mbrojtur. MPB ka kryer konsultime gjithëpërfshirëse për sistemin e sigurisë, është formuar grup për mbikëqyrje dhe reforma në DSK. E kemi formuar komitetin nacional për mbrojtje nga ekstremizmi”, tha Zaev, duke shtuar se janë ndërmarrë aktivitete për depolitizim dhe profesionalizim të administratës.

Zaev gjithashtu theksoi se, Qeveria po punon në përmirësimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje, për atë pret që me të drejtë Maqedonia të bëhet pjesë e agjendës  së BE-së për zgjerim, gjegjësisht marrjen e rekomandimit për anëtarësim në BE, transmeton Portalb.mk.

Pyetje dhe përgjigje

Pyetje – Si do të bëhet debllokimi në rrugës drejt NATO-s dhe BE-së, pse vlerësoni se do të ndryshohet?

Zaev – Në këtë periudhë ka miqësi të madhe mes Greqisë dhe Maqedonisë, në të kaluarën nuk ka qenë kështu. Ky optimizëm na jep mundësi si politikanë serioz ta ndryshojmë situatën, dhe të gjendet një zgjidhje.

Pyetje – Kemi informata se në Bruksel përgatite dokument strategjik, kur parashihet që Serbia dhe Mali i Zi deri në 2025 të bëhen anëtare të plota të BE-së, si i komentoni?

Han – Do të ketë dokument, por për 6 vendet e Ballkanit. Kjo strategji do të publikohet në shkurt të vitit të ardhshëm.

Zaev – Përpara 2025 pres që Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së, por ajo do të varet prej plotësimit të kushteve. Nëse i plotësojmë të gjitha kushtet edhe të gjitha shtetet tjera të Ballkanit, BE-ja do të përkushtohet edhe më shumë që të anëtarësohemi.

Pyetje – çarë vlerësimi keni për ligjin për gjuhët

Han – Mendoj se kjo kërkesë është e arsyeshme, por ashtu siç thash edhe në bisedimet bilaterale, mendoj se autoritetet duhet të bëjnë prioritete, t’i ndajnë, si prioritete ato fusha ku do të fitojnë vlerësime pozitive. Nëse miratohet ligji për gjuhët, në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Venedikut ajo është në rregull, por është e rëndësishme që Qeveria dhe faktorët tjerë në vend të fokusohen në ligjet dhe miratimin e kushteve relevante për marrjen e rekomandimit pozitiv. Ligji për gjuhët nuk është marrëveshje në këtë kontekst. Në Bruksel po punojmë për atë. Prioritetet duhet të definohen sipas interesave nacionale.

———————————————————————————————————————

Eurokomesari Johanes Han sot do të qëndrojë për vizitë në Maqedoni. Takimin e parë të tij do ta realizojë me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev në Shkup, njofton Portalb.mk.

Meqë në takimin e sotëm parashihen takime edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, atë të Drejtësisë, Bilen Saliji dhe të Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Damjan Maçevski supozohet se temë diskutimi të takimit të Johanes Han të jenë reformat e kërkuara të Bashkimit Evropian në sferën e gjyqësorit, sigurisë dhe administratës publike, sfera këto të alarmuara në raportet e fundit të Komisionit Evropian.

Në orën 14:30 do të mbahet konferencë e përbashkët e Hanit dhe Zaevit, në Klubin e Deputetëve në Shkup.

Në orën 14:40 Johanes Han do të takohet me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, me ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, me ministrin e Drejtësisë, Bilen Salij dhe me ministrin e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.

Johanes Han do të takohet edhe me kryeparlamentarin e Maqedonisë, Talat Xhaferi në Kabinetin e tij, në ora 16:15.

Krahas me krerët e lartë shtetëror të përfshirë në reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian, eurokomesari Johanes Han do të takohet edhe me krerët partiak, me atë të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në Sallën Kushtetuese të Kuvendit më 16:30, me të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në Sallën e Qeverisë më 17:10 dhe me të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski në Sallën Kushtetuese më 18:10.

________________________________________________________

Eurokomesari për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore Johanes Han pas takimit më zëvendës kryeministrin për çështje evropian, Bujar Osmani dhe shefin e diplomacisë maqedonase Nikolla Dimitrov, paralajmëroi se këtë javë do të vjen në Maqedoni. Për njohësit e politikës së jashtme, kjo vizitë do të dëshmon edhe një herë përkrahjen që ka BE-ja për reformat dhe eurointegrimin e Maqedonisë.

Ish diplomati Alajdin Demiri thotë për Portalb.mk se se eurokomesari Han pritet të bëjë presion Maqedonisë sa i përket reformave, dhe negociatave me Greqinë.

“Vizita e Hanit është në kohën kur duhet të bëhet presion për shpejtimin e proceseve të reformave në Maqedoni, posaçërisht reformat në drejtësi si dhe presion për të filluar negociatat me Greqinë. Pra këto janë dy çështje për të cilat do të bisedohet pasi që i nevojiten dhe kanë përkrahjen e Bashkësisë Evropiane”, tha për Portalb.mk , Demiri.

Gjithashtu edhe ish ambasadori Nano Ruzhin thotë për Portalb.mk se kjo vizitë do të jetë një shtytje nga vetë Han që të sheh atë që filloi qeveria e Zaevit, do të thotë të zhvillohen reformat në formën e duhur.

“Vizita e Hanit bëhet në një moment kyç për Maqedoninë, për integrimet e saja Euro-Atlantike, në periudhën kur hapen dyert për marrëveshje me fqinjin jugor kur gjithashtu po zhvillohen reforma si në planin e jashtëm ashtu edhe në të brendshëm, kështu që kjo vizitë do të jetë një shtytje nga vetë Han që të sheh atë që filloi qeveria e Zaevit, do të thotë të zhvillohen reformat në formën e duhur. Mendoj se duhet në mënyrë intensive të luftohet korrupsioni, të reformohet gjyqësia, të ketë liri të mediave, depolitizim të administratës e kështu me radhë”, tha për Portalb.mk , Ruzhin.

Ai shtoi se kësaj radhe nga Han pritet që t’i jep Maqedonisë dimension më relaksues dhe pozitiv për rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Brukseli gjithmonë i shikon disa aspekte të veçanta nga prizma që të mos përsëritet ajo që ndodhi në kohën e qeverisjes së VMRO-së. Besoj që kjo do të jetë një vizitë rutine e cila do të forcojë marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, dhe pritet që ai t’i jep Maqedonisë dimension më relaksues dhe pozitiv për rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, shtoi Ruzhin.

Ndërkaq pas zgjedhjeve lokale të cilat u zhvilluan në Maqedoni, pritet që të intensifikohen veprimet qeveritare lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, gjë që do të zhbllokonte procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, njofton Portalb.mk. Po ashtu edhe ministri i punëve të jashtë të Greqisë, Nikos Kozias deklaroi se qeveria ka qëllim që të zgjidh çështjen e emrit me Maqedoninë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button