Përralla që zgjojnë nga gjumi

Ne në Maqedoni po jetojmë  një kohë përplotë turbulenca dhe paqartësi në të cilën po përplasen me njëri tjetrin koncepte të ndryshme të të jetuarit. Dhe, nëse edhe mund të mbyllim sytë përpara anomalive e devijimeve që mbeten në rrafshin individual, ne kursesi nuk mund të pajtohemi me qëndrimet kolektive sipas të cilave “jeta për të gjithë në këtë shtet është e pamundur.

Kohët mund të kenë ngjyrime të llojllojshme, mundë të duken të bardha në shikim të parë e në fakt të mbulojnë njerëzimin me errësirë,mundë të mbretërojë koha në të cilën mbytet arrsyeja dhe koha në të cilën mençuria mbisundon,mundë të jetohen kohë të ngjajshme më këto që po i jetojmë e në të cilat nuk është aspak e rëndësishme oferta e vërtetë politike, kombëtare, intelektuale e fetare, mund të kemi kohë për vajtime e gjëmë por edhe kohë për këngë dhe gëzime, kohët mundë të prodhojnë njerëz si qenë por edhe njërëz si luanë, ka kohë për qyqarë dhe ka kohë për trima, mundë të jetojmë kohë gënjeshtrash por ato mundë të zëvendësohen me kohë në të cilat do shkëlqejë urtësia dhe drejtësia, mundë të ketë kohë hajdutësh e rrugaçësh,kohë përplotë me shpifje dhe intriga por edhe kohë njerëzish të ndershëm e fisnikë, kohë në të cilat rrëfehen përralla që të përgjumin dhe kohë në të cilat rrëfehen do përralla të tjera që shërbejnë për të zgjuar njerëzimin nga gjumi.Sidoqoftë, njerëzit janë përherë humbës në luftë me kohën e tyre  të cilën në fund e mbulon një grusht dhe.

Çdo fund është një fillim    

Kur kryhet misioni i babait në këtë botë, fillon i yti. Kur bie një mbret, vie tjetri. Kur bie një pushtet, e zëvendëson një tjetër. Njerëzit përjetojnë goditje dhe bien, të fuqishmit ngriten dhe vazhdojnë luftën për jetë, të dobëtit struken skutave dhe vegjetojnë.Rënie dhe ngritje, sërish rënie dhe sërish ngritje, përherë kështu, deri në Kijamet.

Nëse shikoni rreth vehtes, çfarë do shihni ? Do shihni një luftë permanente për jetë, do shihni të fuqishmit që po rikthehen nga goditjet më të rënda dhe të dobëtit që kanë mbetur të pllandosur nga një shuplakë. Por, me që jeta është gjithfare, qëllon që të shihni edhe njerëz që bëjnë sikur janë të fuqishëm e në fakt janë të mjerë, mundë të shihni edhe njerëz nga më të fuqishmit të cilët detyrohen të bëjnë të dobëtin në pritje që rrota e kohës dhe e jetës të ndalojë në vendin e duhur. Do shihni një ndërthurje të pashmangshme përpjekjesh për mbijetesë dhe do shihni nga njëra anë virtytet e njerëzisë, mirësinë dhe humanitetin që udhëheqin nëpër jetë, por nga ana tjetër do i shihni ligësinë, poshtërsinë dhe intrigën si armë të vetme për t’u ngritur nga llumi!

Po, do shihni njerëz që buzagaz kalojnë nëpër shkuret gjembaçe të jetës dhe me buzëqeshje e shprehin fuqinë e fisnikërisë së vizionit të tyre për jetën, por do shihni edhe plotë fytyra të djallëzuara që  synojnë madhështinë ama përfundojnë si lakejë dhe shërnebtorë të devotshëm të të keqes. Këta të grupit të dytë, biles, do i dëgjoni shpeshëherë edhe duke u thirur në besimin te Zoti e duke mos u pyetur – Vallë, a ju beson Zoti atyre?

Sidoqoftë, ne në Maqedoni po jetojmë  një kohë përplotë turbulenca dhe paqartësi në të cilën po përplasen me njëri tjetrin koncepte të ndryshme të të jetuarit. Dhe, nëse edhe mund të mbyllim sytë përpara anomalive e devijimeve që mbeten në rrafshin individual, ne kursesi nuk mund të pajtohemi me qëndrimet kolektive sipas të cilave “jeta për të gjithë në këtë shtet është e pamundur”. Këso qëndrime po shprehin njerëzit kryesorë të partisë që e humbi pushtetin, të cilët po dëshirojnë të ngriten duke u kërcënuar me “hakmarjen e popullit”. Dromca nga kjo tezë diskriminuese, madje, u dëgjuan edhe në një intervistë të vetë ish kryeministrit.

Shpejto ngadalë…

“Mos e përcjell hapin e një plaku sepse ai të ngadalëson, por kur të shpejtosh hapin, shpejtoe ngadalë sepse në shpejtim e sipër mund të anashkalosh gjërat që asnjëherë në jetë nuk do mund t’i  arijshë…”

Jo menjëherë e kisha kuptuar këtë porosi të hoxhës plak që rrezatonte humanizëm të cilën ai aq me kujdes e me dashamirësi u mundua t’a mbjellë te unë dikur moti. Me ikjen e viteve, atë porosi e kyça në zemër si diçka tejet të shtrenjtë që do e kujtoj sa të jetë jeta dhe e shndërova në njërën nga motot të cilat më orientojnë.

Dhe, situata në të cilën gjendemi ne sot, marëdhëniet dhe raportet ndërnacionale e ndërfetare që gjatë decenies së shkuar aq shumë  u keqpërdorën dhe e kërcënuan ekzistimin e këtij shteti dhe të njerëzve që jetojnë këtu, më duket se duhet të menaxhohet pikërisht sipas metodit  të hoxhës. Shpejtë, sepse tik-taku i orës të këtij shteti  po tregon se ka ikur koha e pritjeve të kota dhe durimit të pakuptimtë. Ngadalë, sepse ndryshimet që po vijnë, në shpejtësi e sipër  mundë edhe të mos i përfshijnë disa nga pritjet tona.

Po e them këtë gjë nisur nga fakti se shoqëria shqiptare në Maqedoni është dukshëm e përçarë dhe ashtu e përçarë ajo nuk mundë të kyçet me sukses të plotë në jetësimin e idesë për “një shoqëri për të gjithë”.

Sot, kur denigrimi dhe intrigat janë bërë mënyrë e rëndomtë e komunikimit dhe shpeshë herë armë e vetme për të luftuar jobashkëmendimtarët , kur edhe blasfemia po  paraqitet si “liri e shprehjes”, më duket se  sikur asnjëherë më parë jemi të detyruar të mbështetemi  te njëri tjetri. Pse jo,edhe  të kërkojmë shpjegime e udhëzime në detin e pakufishëm të urtësisë islame. Shembujt e shumtë të kontroversave  në shoqërinë shqiptare  dhe një listë e tërë e përplasjeve që po synojnë të shkaktojnë panikë morale në mesin e popullatës, rrjedhimisht edhe në mesin e besimtarëve, janë shenjë e qartë alarmi.

Ne, vetëm po përkujtoj,rrezikojmë të zhytemi në humnerën që nuk kontrollohet nga vlerat dhe nëse vehtes ia bëjmë këtë budallaki, nuk do ishte korekte t’ua hudhim fajin të tjerëve. Këtë gjë, para së gjithash duhet t’a ketë të qartë lidershipi politik shqiptar që me siguri e ka kuptuar tani më që të tjera erëra po fryjnë ndër ne, se politika ka marrë një kahje tjetërsoj, se orientimet evroatlantike kërkojnë platforma përbashkësuese brëndaetnike dhe ndëretnike. Përrallat me shtriga e shtrigana nuk i dëgjon më askush.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button